Arben Frroku i vodhi identitetin, Renato Çepa: Jam shokuar, i kam dokumentet

May 2, 2016 | 18:50
SHPËRNDAJE

Përdorimi i identitetit të një qytetari nga Korça prej Arben Frrokut ende mbetet i paqartë. Renato Cepa, një 49-vjeçar nga Korca vijon aktivitetin e tij normal dhe rutinën e zakonshme në qytetin juglindor.

Renato Cepa
Renato Cepa

Pronar i një lokali bar-kafe në qendër të qytetit, Renato Cepa është befasuar kur ka mësuar se emri i tij ishte lakuar në një histori të tillë.

Ai ka mësuar nga telefonatat që po i vinin njëra pas tjetrës se në lajme po publikohej emri i tij dhe se kjo kishte lidhje me Arben Frrokun dhe arratisjen e tij. Sigurisht kjo ka zgjuar jo pak shqetësim tek Renato Cepa dhe familjarët e tij jo vetëm për shkak të historisë në fjalë, por edhe lidhur me faktin se ai ishte shpallur në kërkim.

Cepa pretendon se pavarësisht çdo gjëje ai nuk është larguar asnjëherë nga shtëpia e tij dhe aq më pak nga Shqipëria, ndaj ka marrë guximin të flasë hapur për të treguar lidhur me atë pjesë që ka lidhje me të.

“Jam shokuar kur ka dalë lajmi dhe sidomos kur thuhej se isha shpallur në kërkim, pasi nuk më gjenin. Sigurisht që lajmin e mësova nga të tjerët dhe u shtanga, por gjithsesi identiteti im është vjedhur dhe kjo pjesë i takon institucioneve shtetërore për t’u zbardhur. Unë vazhdoj të jetoj në të njëjtën banesë, me familjen time, me fëmijët e mi të cilët janë alarmuar nga kjo gjendje, vijoj të punoj me lokalin që kam dhe nuk jam kërkuar nga askush, aq më tepër të fshihem. Me pak fjalë është absurde që të përflitem sikur të isha një kriminel që strehohem një zot e di se ku, kur unë dal dhe vazhdoj jetën time si çdo ditë. Lidhur me identitetin tim nuk di të them sesi ka ndodhur, unë i kam të gjitha dokumentet e mia në shtëpi, nuk më ka humbur asnjë prej tyre dhe as më përpara nuk më ka humbur ndonjë që të kem bërë denoncim. Pas ngjarjes i kam verifikuar dokumentet, sepse u shqetësova, por unë i disponoj të gjitha dokumentet greke dhe jam i qetë për pjesën që më takon. Thjesht kjo histori më ka trazuar qetësinë familjare”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër burime nga policia e Korçës pohojnë se Renato Cepa nuk është një person i shpallur në kërkim. Rasti është në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ende pranë bluve të qytetit juglindor nuk është deleguar ndonjë urdhër për këtë person, çka konfirmon faktin se Renato Cepa nuk është një person i shpallur në kërkim. dh.ç/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura