PD: “Arben Frroku, i arrestuar që më 6 Mars, Tahiri nuk dërgoi të dhënat”

Apr 29, 2016 | 11:28
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike akuzon qeverinë se me urdhër të Ramës dhe Tahirit vonuan të dhënat për Arben Frrokun, i cili është prangosur që më 6 mars.

alibeajNë një deklaratë për mediat, kreu i departamentit të rendit dhe sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka theksuar se janë të njëjtët persona si në rastin e Mark Frrokut që i shërbyen krimit dhe shkelën ligjin me urdhrin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lejen e Edi Ramës.

Sipas tij, ishte denoncimi i Berishës ai që detyroi qeverinë të njoftonte për arrestimin.

Deklarata e Alibeajt

Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.

Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.

Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.

Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.

Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.

Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura