Arben Bajo, ky bir i veprës së tij që ikën vetëm për një ditë

Aug 10, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ Agron-Gjekmarkaj

Vdekja duket si koncept metafizik kur ajo na shfaqet si statistikë çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë për pandeminë COVID-19.

Ndjen atë keqardhjen njerëzore si respekt për çdo qenie të ngjashme dhe jetë që shuhet, por dhembjen që ajo shkakton e provon ku e ku më tepër kur ajo prek njerëzit që njeh apo miqtë. Qysh dje pasdite qarkulloi lajmi që skulptori Arben Bajo është rëndë dhe për të kërkohej gjak për ta ndihmuar.

Ndërsa sot dita filloi me lajmin e rëndë se ai nuk është më. Të ngushëllosh familjen është pak, t’u thuash bëhuni të fortë duket pa kuptim… Por edhe familjaret e Ben Bajos e dinë që artistët, ndryshe nga të tjerët, kanë dy jetë. Ata jetojnë edhe kur të tjerët harrohen se vdekja e vërtetë zë fill te harresa.

Bajo, ndonëse i ri, ka skalitur në kujtesën tonë aq vepra sa të mos dalë kurrë prej saj. Një prej tyre është monumenti i At Zef Pllumit, i vendosur në shëtitoren e Shëngjinit përballë detit, ku prej vitesh me mijëra qytetarë e turistë, pa fund nga Kosova e diaspora, nga qytetet e Shqipërisë, ndalen për ta këqyrur e bërë një foto, e ku bashkë me imazhin e “Fratit të kujtimeve” marrin me vete plot admirim emrin e Arben Bajos.

Personalisht, prej kësaj shtatoreje e pata fatin ta njoh nga afër. Ishte viti 2014 kur Komuna Shëngjin dhe kryetari i saj, Salvador Kaçaj, për të nderuar Pllumin, i cili kishte lindur në gushtin e vitit 1924, pikërisht në Malin e Rrencit, sipër qytezës bregdetare, kërkonin një skulptor. Kaçaj na pat kërkuar mendim mua dhe Preç Zogajt mbi kandidaturën e Bajos për ta realizuar këtë ëndërr të vjetër e të përbashkët të të treve ne dhe shoqërisht na la detyrë të flisnim me të.

Ia mbështetëm pa ekuivok propozimin, duke njohur punët e tij të mëparshme. Jam takuar shpesh me Benin gjatë asaj periudhe dhe çdo herë më befasonte me kulturën e gjerë profesionale dhe mirësinë njerëzore dhe po kaq me dashurinë e njohjen që kishte për At Zef Pllumin. Ai nuk ishte asfare komercialist në zgjedhjet e tij. Nuk e bënte një gjë nëse s’e ndjente së brendshmi.

Si ndihmës pat marrë Greg Ramën, djalin e Kryeministrit, i cili shfaqte admirim për profesorin e tij e për hir të së vërtetës sillej me modesti mbresëlënëse në studio ku ndërtonin vepron apo në Shëngjin ku projektonin vendosjen, pa i njohur vetes ndonjë meritë që ishte biri i Edi Ramës. Me dhjetëra herë kam shkuar në atë vend, po kaq flisnim në telefon për të ndarë pasionin e përbashkët. Rrëfente me një dëshirë të ndezur çdo detaj, shpjegonte çdo ndryshim, interpretonte pozicionet dhe në fund realizoi një kryevepër, duke skalitur në bronz me forcë të madhe komunikimi një prej personaliteteve më të mëdha të kulturës dhe rezistencës kombëtare. Arben Bajo kishte diçka të përbashkët me subjektin e tij, besimin te fuqia emancipuese e së bukurës dhe e së mirës. Të dy besonin se njeriu është vepra e vet.

Ditën e përurimit, ai dhe ndihmësi i tij u shfaqen më të përunjurit mes shumë fjalimesh përgjatë ceremonisë solemne. Po na linte kumtin a mesazhin se unë do flas nesër, pasnesër, çdo ditë me veprën time, unë jam ajo. Po, Arben Bajo është njeriu që njohëm, por edhe arti që na la, të cilin do ta kemi gjithmonë mes nesh. Të qoftë e lehtë lëndina Ben Bajo, që po ikën vetëm për një ditë, duke shkaktuar dhembje, shumë dhembje e po kaq lot, por nesër do të kthehesh… Je kudo i shpërndarë në veprat e tua!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura