Arapi, më i madhi i “trinisë” së poetëve, i vetmi që kërkoi falje për të shkuarën

Oct 12, 2018 | 19:34
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA/ Padyshim ikja nga jeta e këtij poeti, e kësaj pulëbardhe të letërsisë shqipe siç do ta përcaktoja unë Arapin, shkakton një lloj lëvizje tektonike përsa i përket poezisë dhe letërsisë shqipe. Arapi ka folur me poezi, me letërsi. Arapi ka folur me heshtjen e tij. Ka mote që hesht, sepse ka folur në librat e tij.

Behar-Gjoka

Ka mote që askush nuk e dinte se është ndër të gjallët. Me sa duket, jemi te fati i poetëve gjeni, te fati i mjeshtërve të fjalës, që pasi i kanë thënë gjërat, tërhiqen në heshtjen e tyre. Natyrisht ky është një moment, që unë do të doja të kishte një lloj reflektimi. Çfarë ndodh me mjeshtërit e letërsisë shqipe?!

Ajo që ndodh me ta është një largim, ku shoqëria është pjesë e një faji, por pjesë e një faji të zakonshëm tashmë janë institucionet e kulturës, institucionet e arsimit, institucionet e akademizmit ku heshtin, heshtin pambarimisht dhe nuk e thonë atë fjalë që u takon mjeshtërve si ai. Unë para 10 vitesh takohesha me të dhe shpesh këmbenim fjalë nga më të çuditshmet dhe vija re një lloj përmallimi të tij për poezinë shqipe.

Për mua, ai është i vetmi poet që kërkoi ndjesë për atë që kishte ndodhur përpara ’90-s. Korifenjtë e tjerë nuk e bënë këtë. U mundua, kërkoi ndjesë për sa i përket letërsisë së shkruar gjatë Realizmit Socialist. Kërkoi ndjesë përsa kishte ndodhur në të shkuarën! Natyrisht, Fatos Arapi për mua është poeti, është prozatori, është studiuesi, është eseisti, është njeriu që jetoi në letërsi dhe për letërsinë.

Tashmë, ata që e mbajnë mend nuk kanë shansin të thonë diçka, sepse mbyllja e tij në “kullën e fildishtë” ndodhi për shkak se nuk kishte më shans komunikimi me këtë mjedis që, nuk është se kishte vëmendje te poezia, te letërsia, te teksti, por kishte vëmendje te gjëra rastësore. Nuk u shërbente partive ai, nuk kishte lidhje me partitë! Fatos Arapi tha gjithçka për letërsinë shqipe dhe pak u tha për të.

Gjurma që do të mbetet dhe, natyrisht, tani që fillon shtegtimi real i Fatos Arapit, është letërsia. Ky brez që vjen në vitet ’60, në studimet letrare prezantohet si: Agolli, Kadareja, Arapi. Kadareja, Agolli, Arapi. Arapi, Kadareja, Agolli. Pra, shumëkush është munduar që t’i shikojë në raportimin e përbashkët, por edhe në raportimin e përveçëm. Në raportimin e përveçëm, unë gjej te poezitë letrare në Kosovë, që fillon gjithçka me Fatos Arapin. Fatos Arapi është poeti modern, Fatos Arapi është poeti i lirikës qytetare, i lirikës poetike, i lirikës intime.

Fatos Arapi është vijues i asaj letërsie poetike, që çeli Migjeni. Në këtë kuptim gara mbetet e hapur, është garë leximi. Për mua, natyrisht, nëse Agolli ishte poet burimor dhe spontan, nëse Kadareja ishte poet që e kërkonte më së shumti në laboratorin e procesit krijues, Fatos Arapi ishte poet i lindur. Poet i lindur dhe poet i sprovave të kërkimeve të vazhdueshme të ligjërimit poetik.

Është një trini, ku në krye, sipas meje, qëndron Fatos Arapi. Nuk qëndron sepse është dita, qëndron prej kohësh, sepse Arapi foli me tekst, Arapi foli me heshtje, ndërsa të tjerët nuk kanë ditur të heshtnin. Heshtja e tij është hyjnore, fjala e tij është më hyjnore sesa heshtja. Është poeti që i bën nder letërsisë bashkëkohore shqipe dhe letërsisë shqipe gjithëkohore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura