Arap Çeloleskaj, valltari nga Labëria që befasoi muzikantët europianë. Nga skena e Vranishtit në Lion të Francës, ku shpërthenin duartrokitjet për artin virtuoz

Jan 21, 2023 | 14:03
SHPËRNDAJE

PANO HALLKO

Capture
Arap Celoleskaj me grupin e valltarëve të Vranishtit

“Kam kënduar dhe unë me Arapin”. Kështu shprehen shpesh në Vranisht e përtej Lumit të Vlorës, sa herë bie fjala për mjeshtrin e këngës dhe valles labe, Arap Çeloleskaj.

Ka gati një dekadë që kolosi i polifonisë ka ndërruar jetë, po emri dhe fama e tij është prezente edhe përtej Vlorës. Virtuoz si ai, plotë kolorit e ëmbëlsi në këngë që i buronte nga shpirti, Çeloleskaj do adhurohej si rrallëkush nga dashamirësit e polifonisë labe dhe njëherazi do befasonte muzikantët europianë me interpretimin brilant. Ka qenë shtatori i vitit 1989, kur erdhi në Shqipëri kryetari i Jurisë së Europës për Folklorin, Aleksandër Fenton. E sillte në vendin tonë këtë autoritet të lartë një detyrim profesional i tij.

Në majin e atij viti, nga Shqipëria ishte paraqitur për të konkurruar një kasetë filmike me këngë dhe valle nga Jugu i Shqipërisë, posaçërisht nga Lumi i Vlorës. Në të ishte Grupi i këngës i Vranishtit, Treshja e Dukatit dhe disa grupe të tjera. Mysafiri i famshëm vinte për të sjellë çmimin e lartë, me të cilin ishte vlerësuar paraqitja e këtyre grupe në konkurrim. Përtej kësaj, muzikanti i shquar nga Perëndimi, “sekretet” profesionale, do t’i nxirrte një e nga një në koncertin e realizuar “live” në njërën nga ish-shtëpitë e Kulturës që kishte në atë kohë Vranishti. Asokohe, quheshin Shtëpi Kulture që nuk kishin pse ta kishin zili Pallatin e Kulturës në Vlorë.

KOREOGRAFI QË KËRKONIN EUROPIANËT

E ndoqi me vëmendje personaliteti i madh i kulturës europiane, Aleksandër Fenton, koncertin e organizuar për nder të tij në Vranisht. E ndoqi sy e vesh dhe bëri tri pyetje: -Kush është koreografi i valles së Vranishtit? Kush ua mëson vallen këtyre njerëzve? Në cilën palestër bëhen provat për kësi vallesh dhe për sa kohë ngrihen ato? Këto pyetje dhe shumë të tjera, vizitori i lartë i shtroi me të njëjtin sinqeritet dhe habi, siç i kishin bërë atje, në Juri, duke parë kasetën, me bashkëpunëtorët e tij… Njerëzit në fillim, sapo dëgjuan përkthimin e pyetjeve, bënë buzën në gaz, pasi menduan se skocezi në origjinë (ai krenohej me origjinën e vet, edhe pse gjyshi i tij kishte lindur në Londër), po bënte shaka…

Pastaj, specialistët e Institutit të Folklorit që kishin ardhur enkas aty e sqaruan se kjo valle nuk kishte koreograf(!). Mikut që vinte nga larg iu tha se këtë valle njerëzit e mësojnë dhe e trashëgojnë brez pas brezi, qysh kur nuk mbahet mend! Dhe Aleksandër Fentoni, edhe pse u bind nga shpjegimet e specialistëve, shfaqte njëfarë dyshimi të fshehur lehtas (me veten e vet kësaj radhe).

Teksa shikonte treshen virtuoze të valles: Hetem Shkurtin, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj si dhe nëntë valltarët e tjerë të talentuar në lëvizjet e vrullshme e të vështira të valles, tha: – “Ky nuk është grupi i Vranishtit, se këta janë me fustanella. Kurse ata që kemi parë në kasetë, ishin me pantallona dhe me tirqe. Kishte të drejtë europiani i madh, në sa thoshte. Po ku mund ta merrte me mend ai, se artistët e grupit të Vranishtit u njoftuan në mbrëmje, që në mëngjes duhej të ishin në qendër me rrobat e grupit, ‘Sepse do vijnë për xhirim nga Tirana’.

Dhe ndodhi, që veshjet e artistëve vranishtiotë- kostumet e fustanellave, ishin në lavanderinë e fshatit, për t’i larë. Dhe u desh që artistët e grupit të Vranishtit, të “merrnin hua” kostumet e fustanellës nga një grup tjetër, që ndodhej atë ditë aty. Me mundimet e sikletshme për t’i përshtatur në trupat e tyre, me siklet dhe nën presionin e kohës për të dalë në skenë ata u shfaqën vrullshëm sikur nuk kishte ndodhur gjë. Një torturë e vërtetë, por duhet të bëhej, përndryshe asaj “makinerisë” që vinte nga Europa, nuk i mbushej mendja se bëhej fjalë për të njëjtin grup.

Të huajt madje kishin dyshuar edhe për zërin. Mbasi nuk mund ta besonin, se artistët duke luajtur atë valle me lëvizje të vështira, me lodhje fizike, mund të nxirrnin zërin aq të plotë e burrëror, njëherësh duke ecur me ritmin e valles. Pra, ata kishin dyshuar se mos zëra të tjerë ishin futur në studio dhe ishin bashkëngjitur me lëvizjet e koklavitura të valles. Në fund, pa fshehur befasimin kreu i jurisë europiane u shpreh:

“Ky vend paska një kulturë më të lashtë sesa e kisha menduar”. Diku aty nga mesi i drekës së shtruar për nder të vizitorëve të lartë, Fenton-i ngriti një dolli ku ndër të tjera shprehu edhe një habi tjetër:

-“Më bën përshtypje një gjë: Në skenë u mrekullova nga tingujt dhe nga timbri i zërave, nga përpikmëria artistike e realizimit të valles. Por po shikoj edhe këtu, ku njerëzit hanë mish të pjekur, pinë raki të zier dy herë, dhe… Zëri, është i njëjti interpretim”?!?, -tha ai….

Arap Çeloleskaj iu përgjigj dollisë së skocezit me vargjet e këngës: “Jemi zot të këtij vatani”, krijim i “Mjeshtrit të Madh të Punës”, profesor Muhamet Tartari… Ajo ditë përbën kthesën e mendimit dhe fillesën e idesë europiane, për ta shpallur Këngën Labe shqiptare Pasuri të Kulturës Botërore…

GJENERALI I KËNGËS DHE SHQIPONJA E VALLES

Më datën 4 janar 2012, u shua mjeshtri i madh Arap Çeloleskaj. … Ishin tre vëllezër e një motër jetime. Nëna e tyre, nënë Nazja, një grua trime vranishtiote, aktiviste e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, grua që mbështeti partizanët me fuqinë e shpirtit. Grua që organizonte të gjitha gratë për të punuar në shtiza natën bluza dhe çorape për ata që bënin luftën kundër pushtuesit, por edhe për të grumbulluar dhe transportuar ushqime për ta. Detyrat e rritjes së tre vëllezërve, ia kishte ngarkuar fëmijës së madh, vajzës së saj, Raziesë, e cila i ndihmonte të rriteshin, por i ndihmonte edhe në këngë.

Pas përfundimit të Luftës, kjo Nënë iu fut një tjetër Lufte, të një tjetër natyre, luftës së madhe të jetës, për të rritur fëmijët jetimë në Vranishtin e zhuritur nga Lufta e Dytë Botërore Shtëpia e nënës dhe e tre vëllezërve, në anë të xhades, në qendër të fshatit. Ishin të varfër, si shumica e njerëzve ato vite. Shpesh ishin pa bukë dhe i merrte uria. Por edhe urisë ia kishin gjetur ushqimin dhe ilaçin: Këngën! Dhe këndonin të tre vëllezërit, bashkë me motrën, njëri më mirë se tjetri, e të katër bashkë i falnin gëzim e shpresë Vranishtit. Ngrinin peshë zemrat e bashkëfshatarëve, falnin buzëqeshje në buzët e plasura të njerëzve që kishin humbur trimat në Luftën e Madhe, u jepnin atyre guxim dhe motiv për të rindërtuar shtëpitë e djegura nga zjarri, e të rrënuara nga gjylet. I madhi, Iliazi, shkëlqeu në bankat e Shkollës Ushtarake shqiptare. Ai ishte ndër të paktët oficerë të këtij vendi.

I dyti, Leskua, punëtor ndër më të dalluarit e fshatit e të zonës, i ndershëm e me zemër në dorë. Pak njerëz e dinë faktin se Arapi ka nisur dikur Shkollën “Skënderbej”. Dhe në fund të vitit të parë, për arsye shëndetësore u largua prej aty, për të marrë timonin e “Zis”-it të fshatit, por edhe timonin e këngës dhe të valles vranishtjote… Po të vazhdonte në ushtri, mund të mos ishte bërë gjeneral, po u bë gjenerali i këngës labe, i folklorit shqiptar. Arapi u lind atje, në Vranisht. Atje ai mori vrullin për të fluturuar nëpër skenat e Europës dhe të botës, duke mahnitur njerëzit me zërin e tij të fortë dhe melodioz, pavarësisht se nuk arriti dot moshën e pranueshme të ikjes. Sakaq, Arapi i Paharruar ishte futbollist i shkëlqyer, shtylla por dhe shkolla e skuadrës së fshatit, ishte ai që i jepte zemër, edhe kur ndeshej ajo me skuadra profesioniste. Dhe u bënë të tre vëllezërit shembulli i mirëkuptimit, harmonisë, model brilant vëllazërie, për vranishtiotët, por jo vetëm.

Në përcjelljen e Arapit në banesën e fundme morën pjesë më shumë se një mijë njerëz. Vranishti përcillte birin e tij të madh, artistin. Por atje kishin ardhur nga gjithë Shqipëria, shokët dhe miqtë e këngës, madje edhe shumë personalitete të artit dhe të kulturës së vendit. Natyra, të tre vëllezërve u fali zërin e bukur, por edhe talentin për këngën. Ata janë themeluesit e Grupit të Vranishtit, bilbilat e tij. Por edhe brenda treshes së vëllezërve, Arapi pati të veçantën e tij: Kur këndonte Arapi në Pallatin e Kulturës në Tiranë, regjisorët dhe kompozitorët, por edhe poeti i mirënjohur shqiptar Agim Doçi, thoshin: “Zëri i Arapit, është shtatë oktanë”.

POETI I MADH, MUHAMET TARTARI

Profesor Muhamet Tartari ka qenë krijuesi dhe shtylla kryesore e grupit polifonik, por edhe një burrë i mençur që ka ditur ta çojë lart e më lart emrin e fshatit dhe bashkëfshatarëve të tij. Profesori i një arti të mahnitshëm, me krijimtari të ekzaltuar, drithëruese, gulçe spazmatike të shpirtit, kundërshti e shpërthimeve të fuqishme, dehje e dalldi. Vranishti, fshati ku zor se gjen Historia e panjohur e valltarit të paarritshëm të grupit të Vranishtit U nis për gjeneral ushtrie, përfundoi gjeneral i këngës ndonjë njeri të mos dijë të këndojë, qoftë burrë apo grua, e mban në krye të nderit profesor Tartarin.

Qysh nga viti 1972, nën drejtimin e tij, por edhe me kontributin e spikatur të vëllezërve Çeloleskaj, emri i Vranishtit i kapërceu kufijtë e Shqipërisë. Treshja virtuoze e Vranishtit: Hetem Shkurti, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj bashkë me nëntë valltarët e talentuar të tjerë, ngritën në këmbë sallat më të mëdha të Botës, qysh nga Festivali i Dizhonit në Francë, e deri te Çmimi i Parë i Jurisë së Europës për Folklorin. Arapi ishte ai që niste dhe që ndizte këngën. Por ishte Leskua ai që e nxirrte Grupin faqebardhë para sallës me “terezinë” dhe “ekonominë” e tij në lëvizjet e vështira të valles së Vranishtit, me fytyrë nga salla në vargun e fundit. Arapi i dekorua disa herë e me çmime të ndryshme nga shteti shqiptar. Por Arapi kishte vetëm emrin, të shkruar në Dekorata. Ato dekorata ishin dhe mbetën pronë e Grupit, pronë e Vranishtit.

Në kabinën e “Zisit” të Arapit nuk pushonte kurrë kënga, madje as kur ai ishte i vetëm brenda saj. Me këngën e tij, ai u bë shembull imitimi për rininë vranishtiote, të krahinës dhe të të gjithë Vlorës. Në pamje të parë, dukej sikur suksesi i Arapit qëndronte vetëm te zëri i tij i lartë dhe i fortë. Nuk ishte kështu. Arapi, edhe pse ishte me natyrë të rëndë në dukje, kishte një shpirt të pastër fëmije. Ai e përjetonte këngën me të gjithë qenien e tij. Ai ishte një artist, që me shembullin dhe përpjekjet e tij nxori shumë artistë të tjerë në Vranisht. Arritja më e madhe e Arapit, ishte Familja e tij. Ai e lidhi jetën e tij me Havanë, një grua dinjitoze vranishtiote… Ata rritën 5 fëmijë, të zotët dhe të ndershëm, të aftë për të përballuar jetën. Grupi i fëmijëve ishte padyshim njëra nga arritjet më të mëdha të profesor Muhamet Tartarit.

Ai e bëri Vranishtin një Ansambël gjigant, duke krijuar dhe drejtuar disa grupe, nga të gjitha moshat. Një jetë të tërë, Arap Çeloleskua ishte njeri dinjitoz. I tillë, dinjitoz ishte ai edhe në përballjen me sëmundjen e rëndë… Sot, shumë njerëz thonë me krenari: Unë kam kënduar me Arapin, qoftë edhe në një dasmë apo gëzim shoqëror. Ai, edhe me mosqenien e tij në këtë jetë, do të vazhdojë të nxjerrë këngëtarë në brezat që vijnë, të cilët do të mrekullohen me zërin e tij, dhe do ta kenë shembull stili dhe karakteri në këngë. Edhe pse kurrë nuk kanë për ta njohur. Sot, këndohet kënga në atë fshat, e cila ndër të tjera thotë: …”Brez pas brezi vranishtiotët/Sa herë do mblidhen te Rrapi/Të bashkuar do gëzojnë/Do këndojnë si Arapi!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura