Apologji për kritikën ndaj Much-it

May 30, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

   Së pari, më duhet t’u kërkoj një të falur të madhe lexuesve që e kisha bërë kritikën ndaj Mustafa Nanos, ose shkurt Much-it (po e shkruaj siç ka qejf ai ta shkruajë emrin e tij) pa parë shfaqjen, por duke iu referuar intervistës që ai vetë kish dhënë për kuptimet ndaj shfaqjes së tij. Duhej në fakt ta kisha dëgjuar Much-in që ta shihja shfaqjen përpara se të shkruaja. E pasi e pashë, jua them me bindje se është krejtësisht gabimi im që e mora seriozisht. Kjo vjen ngase debati për besimin apo ateizimin për mua ka qenë gjithnjë shumë serioz. Madje edhe nga intervista, pavarësisht se linte shumë vend për kritikë, ai sërish më la idenë se do ta kisha marrë më seriozisht vetveten. E madje, ngaqë shfaqja e tij do të vihej në skenën e magjishme të Teatrit Kombëtar, mora përsipër të vishem në mënyrë pak elegante, siç i shkon për shtat asaj salle. Por në fakt, atje as me shapka nuk ia vlente të hyje, pasi ishte më pak serioze se sa një vrap. Ç’them dhe unë, se vrapi drejt liqenit është seriozitet për veten. Por në shfaqjen e Much-it nuk kishte asnjë shenjë të tillë.
Do t’i sugjeroja një teatër humori, por për fat unë humorin e vlerësoj maksimalisht, ndaj dhe nuk mund të bëj këtë gabim. Thjesht Much-i kish zgjedhur gjithçka gabim, duke shënuar ndoshta historinë e vetme, ku një personazh publik merr përsipër të bëjë një shfaqje me leximet e tij mes e poshtë për librat më të rëndësishëm të njerëzimit, siç janë Bibla e Kurani. Nëse do t’i referohesha asaj që pashë, më ndjeni, por nuk ishte monolog, por monologë, që i referohej hallit të madhësisë së organit gjenital, e më pas homoseksualëve e lesbikeve, për të arritur në një abuzim të pastër leximesh deri në raportin mes fesë dhe kombeve. Nuk do citoj asgjë, sepse nuk ia vlente asgjë për t’u cituar.  
Unë nuk kam asgjë me ateizmin e Much-it e të askujt tjetër. Madje, ngase e kisha marrë seriozisht, kisha dëshirë të shihja disa pyetje serioze të një ateisti. Mirëpo e gjitha ishte një mungesë serioziteti e një personazhi publik për vetë publikun. Normalisht, duhej t’i isha referuar vetë Much-it, i cili kohë më parë, në një intervistë, shprehej se ishte aq vanitoz, sa edhe mund të hidhte bluzën mbi shpatulla apo të vishej çuditshëm për të rënë në sy. Por duket se ka gabuar këtë herë, pasi këto tema kaq të rëndësishme, ose ndoshta më të rëndësishmet për njerëzimin, nuk merrnin aty asnjë pyetje kundërshtuese. Ose të paktën, një pyetje që mund të përligjë mosbesimin, siç mund të jetë ajo që bëjnë rëndom ateistët: “Nëse gjithçka është vendosur më parë, po vendimet tona pse hyjnë në punë?”.  
Unë duhej ta kisha kuptuar në fakt që vetë tallja e Much-it me vetveten, pa ditur të ngrejë pyetje serioze përveç shqetësimit lidhur me rolin që luajnë përmasat seksuale në raportet në çift, e kish dhënë efektin që në ditët e para kur për të nuk kishte thuajse asnjë debat. Ndoshta debati seksual mund të ketë qenë i vetmi që ka tërhequr ende. Por të paktën Much-i të mos e kish bërë me bileta, pasi tashmë, për gjëra që ngjallin më interes sa sa shfaqja e tij, ka njerëz që marrin para për t’i ndjekur në emisionet televizive si spektatorë.
Ndaj, i nderuar lexues, ju kërkoj ndjesë që iu referova intervistës së Much-it për shfaqjen dhe jo vetë shfaqjes. Po të isha treguar pak më i vëmendshëm, do e kisha kuptuar se lëvizja e fundit e Mustafait kishte të vetmin trend, që ai të njihet me versionin anglisht Much. Asgjë më shumë se kaq. Por shumë, shumë pak për të paguar ne nga një biletë 500-lekëshe, për ta mësuar këtë në skena të mëdha, sidomos në atë me emrin Kombëtar.
I nderuar lexues, shfaqja e Muçit nuk kishte as pikëpyetje, as dhënie mendimesh. Ishte një mishmash, që vështirë se do të gjejë edhe Much-i vetë ndonjë arsye për të qenë, përveç asaj të provokimit apo rënies në sy, të cilën unë e dyshoja që nga intervista që i lexova, por nuk kam dashur ta besoj.
Në fakt, i nderuar lexues, u mendova shumë të gjeja një arsye se përse e ka bërë Much-i këtë shfaqje. Ai vetë deri më sot nuk është se ka dhënë ndonjë shpjegim, përveçse “lirisë për t’u shprehur”. Por, për çfarë apo për kë, nuk dimë asgjë, megjithëse janë dhënë disa shfaqje nga ai deri më sot.
Kështu pra, duke qenë se unë vetë e mora seriozisht në letrën time atë që as vetë Much-i nuk e kish marrë seriozisht, më mbetet t’ju kërkoj ndjesë të thellë për kohën që ju mora kur iu drejtova atij me një letër.
Me respekt dhe i penduar për letrën publike!
Agimi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura