Apokalipsi po ndodh që t’i shohim pas kangjellave

Jul 22, 2016 | 11:52
SHPËRNDAJE

marko cakaMARKO CAKA

Që në fillim kur është ni sur për t’u bërë, reforma në Drejtësi në Shqipëri, personalisht kam qenë skeptik, për të vetmen arsye të thjeshtë, se nuk mund të bësh reformë me klasat politike që kanë abuzuar me pushtetin me anë të korrupsionit. Edhe më budallai i botës e kupton se nuk ka dalë njeri t’i bëjë vetëgjyqësi vetes e t’i hapë dyert e burgut vetvetes.

Sado që të vetmen shpresë e kemi te Shtetet e Bashkuara, e cila me asnjë kusht nuk pranon kompromise, sesa për europianët që kanë dhënë prova se mund të mbyllin edhe njërin sy, për hir të “miqve” të vjetër të politikës shqiptare. Ndërsa amerikanët nuk kanë mik askënd që është përzier me krimin dhe ka lerosur duart në korrupsion.

Reforma në Drejtësi e ka të qartë, nëse je i pastër, nuk ka arsye të hetohesh, por meqenëse janë të lerosur të gjithë, absolutisht nuk pret nga ata përveç refuzimit për të miratuar marrëveshjen e reformës në Drejtësi.

Meqenëse në këta 25 vjet pothuajse çdo politikan që ka marrë karrigen e pushtetit ka abuzuar me postin e tij, dhe kjo duket sheshit me pronat dhe vilat e tyre, si dhe me llogaritë që kanë kaluar në emër të njerëzve të tyre të afërt. Kam 25 vjet jashtë me një standard page, pothuajse deri në dyfish më të lartë se të një deputeti shqiptar dhe akoma nuk kam siguruar një shtëpi timen.

Dhe ndërsa deputetët, ministrat, gjyqtarët përveçse kanë uzurpuar tokat me vilat e tyre në bregdet, por me anë të këtyre aferave kanë ndërtuar edhe kompani fantazmë për të pastruar paratë që burojnë nga ky korrupsion pasiv që ka militarizuar të gjitha familjet dhe krushqitë e tyre. Dhe duke qenë se ngopet i gjithë zinxhiri i të afërmeve dhe miqve të tyre duke u transmetuar në korrupsion masiv, prandaj edhe pushteti ka mbetur gjithmonë në duart e tyre, duke luftuar me çdo kusht vjedhjen e votave.

Prandaj dhe reforma në Drejtësi ka dashur një arbitër ndërkombëtar, sepse politika shqiptare është e lerosur këmbë e kokë e derë për derë. Andaj edhe shqiptarët e thjeshtë, ose më mirë që janë zhvatur nga pala tjetër, sytë i mbajnë te përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu.

Kemi parë një Donald Lu më të ashpër se asnjëherë tjetër, për të vetmen arsye se amerikanët nuk hanë pykë ndaj korrupsionit. Njeriu që abuzon me pushtetin, si dhe vjedh djersën e qytetarëve është armiku më i madh i shtetit amerikan. Drejtësia amerikane jo vetëm që nuk toleron, por jep dënimin më maksimal ndaj krimit ekonomik. Gjatë karrierës sime dyvjeçare në industrinë hollivudiane kam rreth dhjetë filma që kam luajtur në rolet e vogla të agjentit të FBI.

Dhe falë këtij karakteri, eksperienca më ka mësuar se falë këtij departamenti federal investigues, mbrohet shteti dhe mbi të gjitha e drejta e qytetarit amerikan. Pra, nëse cenohet djersa e cilitdo shtetasi, çdo individ, qoftë i veshur edhe me pushtet, është futur në armiqësi me FBI-në amerikane. Dhe këtë tani e dinë mirë shqiptarët që i mbajnë sytë tek amerikanët, dhe Donald Lu shihet si një engjëll.

Shqiptarët sot janë më të sensibilizuar më tepër se kurrë nga reforma në Drejtësi, sepse për herë të parë kanë shpresën ta shohin hajdutin e tyre pas kangjellave. Dhe për të ndodhur ky apokalips, që shqiptaret një ditë të shohin idhujt apo “engjujt” e tyre pushtetuzurpues pas kangjellave, duhet vetëm një mentalitet i ftohtë amerikan, që nuk ia fal kurrë krimet kriminelit, sado që vërdallisen të kollarisur e të kopsitur mirë.

Dhe këtë besim shqiptarët e kanë fituar te personaliteti i Donald Lu, si një dritë shprese për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga tuneli i errët që kanë ndërtuar klasat politike në këto 25 vite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura