Aplikimet për kreditë e buta, bashkia shtyn afatin. Deri kur do pranohen. Nëse kriza do vazhdojë…

Mar 17, 2020 | 14:55
SHPËRNDAJE

keshilli bashkiak termet velioaj

Bashkia e Tiranës ka vendosur që të shtyjë deri më 17 maj afatin e aplikimit për kreditë e buta. Në lidhje telefonike për News 24, kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se një nga vendimet që do të miratohen nga këshilli bashkiak do të jetë dhe ajo për t’i dhënë kohë qytetarëve që të aplikojnë, pasi të kalojë kjo situatë emergjence prej koronavirusit. Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të ndihmuar familjet në nevojë për strehim.

Aplikimin për kreditë e buta kemi vendosur që ta shyjmë me dy muaj, pra nga 17 marsi do të jetë 17 maji dita e fundit e aplikimit për kreditë e buta. Sigurisht, nëse kriza do të vazhdojë, do të duhet ta moderojmë edhe atë vendim; pra askush nuk ka nevojë të ngutet apo të vijë në Bashki, kjo është diçka që pret. Ajo që nuk pret është higjiena dhe menaxhimi i kësaj krize. Ne kemi interes t’i japim, jo t’i mbajmë kreditë e buta. Kështu që për sa kohë që bashkia e ka paguar interesin, ne duam që sa më shumë familje të reja të përfitojnë nga ky proces”, deklaroi ai.

Veliaj siguroi gjithashtu se Bashkia e Tiranës do të vijojë ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

Një proces tjetër që jemi duke e vazhduar është procesi i kompensimit dhe i rindërtimit të shtëpive pas tërmetit. Ka qenë një porosi e veçantë e kryeministrit, që të gjitha bashkitë të funksionojnë me dy skuadra, pra një skuadër që merret me emergjencën aktuale që në Bashkinë e Tiranës përveç kryetarit dhe drejtuesve kryesorë, është Zjarrfikësja, Policia Bashkiake, transporti, ujësjellësi, dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, bashkë me Shërbimet Sociale, që çojnë drekat dhe darkat në çdo familje në nevojë, kryesisht tek të moshuarit. Por ka edhe një skuadër tjetër që po vazhdon punën normale, që përveç kredive të buta, ka të bëjë me ndërtimin e 600 shtëpive të reja në fshat që janë dëmtuar prej tërmetit, dhe planifikimin final të lagjeve të reja për të tjerët që në zonat urbane mund të kenë të dëmtuar apo humbur shtëpinë e tyre prej tërmetit. Duam të mendojmë, dhe po e imagjinojmë Tiranën edhe mbas kësaj situate. Sigurisht që ne do ta fitojmë këtë betejë, e sigurisht që kjo flamë një ditë do mbarojë dhe do mundet. Kështu që duhet të mendojmë që tani se çfarë do të bëjmë në ditën e parë kur të kthehemi në normalitet”, u shpreh kreu I Bashkisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura