Apeli ul dënimet, Delijorgji: Dorëzohem, por do ta ankimoj

Feb 14, 2013 | 9:24
SHPËRNDAJE
Nga procesi gjyqësor për Gërdecin

Biznesmeni Mihal Delijorgji tha mbrëmë se ai dhe avokati i tij janë të pakënaqur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit. “Jemi të pakënaqur me vendimin dhe bashkë me avokatin, kemi vendosur të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë sapo të posedojmë vendimin”, tha biznesmeni Mihal Delijorgji mbrëmë, gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama”.

Ai bëri me dije se nga dënimi me 6 vjet e shtatë muaj që dha dje Apeli, i mbeten për të kryer edhe tre muaj burg. Në lidhje me ekzekutimin e kësaj mase nga ana e Policisë, Mihal Delojorgji deklaroi se aktualisht ai është në arrest shtëpie dhe pohoi se në momentin e parë që vendimi i Apelit të zbardhet dhe të dërgohet për ekzekutim, ai është gati për t’u paraqitur në Polici me vullnetin e tij.

Nga të gjithë personat e dënuar nga Gjykata e Apelit, i vetmi që nuk është i pranishëm është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili është larguar jashtë Shqipërisë.

 

Gërdeci, ulet dënimi për Pinarin dhe Delijorgjin

Gjykata e Apelit Tiranë shpalli dje vendimin përfundimtar në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Vendimi ka sjellë ulje të dënimit të personave kryesorë të akuzuar. Ashtu si në vendimin e Shkallës së Parë, në mars të vitit 2012 Apeli tha se nuk pati asnjë përgjegjës për “vrasje”, akuzë kjo e ngritur që në fillim të hetimit nga Prokuroria. Trupa gjykuese e Apelit vendosi ndryshimin e pjesshëm të vendimit të Shkallës së Parë, duke lehtësuar masën e dënimit për të akuzuarit kryesorë të ngjarjes. Në anën tjetër, treshja e Apelit vendosi pesë pafajësi, nga nëntë të tilla të dhëna në Shkallën e Parë. Në sallën e gjyqit dje nuk ishte asnjë nga të pandehurit kryesorë të dosjes. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri e kishin përgatitur të arsyetuar vendimin përfundimtar, në një total prej 392 faqesh, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta. Në kohën e shpalljes së vendimit, godina e Gjykatës së Apelit ishte e rrethuar nga forca të shumta sigurie.

NDRYSHIMET

Në verdiktin e saj final, Gjykata e Apelit pohonte se Gjykata e Shkallës së Parë nuk pranoi kërkesat e të pandehurve Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji dhe shoqërisë “Albademil” për gjykim të shkurtuar. Kështu, ish-kreu i shoqërisë MEICO, i pandehuri Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, për akuzat e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “shpërdorim të detyrës”, masë të cilës i ulet një e treta. Uljen e një të tretës, sipas Apelit, e përfituan edhe ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, i pandehuri Minxolli, i dënuar me 18 vjet burg në Shkallën e Parë; biznesmeni i hekurit, Delijorgji, i dënuar me 10 vjet burg në Shkallën e Parë dhe shoqëria “Albademil”, e gjobitur me 25 milionë lekë gjobë. Vendimi ndaj të pandehurit Ngjeçi, ish-specialisti i MEICO-s në Gërdec, mbeti i pandryshuar.

(Lexoni vendimin e plote te gjykates, se bashku me reagimet per vendimin sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura