Apeli lë në fuqi vendimin, 2 vite burg për Adriatik Llallën/ Avokati: Gjykim i padrejtë! Klienti im është në regjim spitalor

Sep 22, 2021 | 14:21
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Po ashtu vendimi përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë së ish-kryeporokurorit.

Në një prononcim për mediat avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin si të padrejtë.

I pyetur mbi vendndodhjen e Adriatik Llallës, avokati tha: “Di që është në regjim spitalor. Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit ka bërë copy-paste konstatimet e organit hetimor”.

I pyetur nëse ka dijeni nëse ish-kryeprokurori ndodhet në një spital në Shqipëri, avokati tha: “Nuk kam komunikim për aspekte shëndetësore, vetëm proceduriale, penale”.

Sjellim në vëmendje që Adriatik Llalla u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Disa prej pasurive të tij u sekuestruan dhe i kaluan shtetit. Po ashtu ish-kryeprokurorit iu morën  4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura