Apeli i shqiptarit të kthyer nga Gjermania: Ma bënë shesh me lule, por jeta atje ishte tmerr. Mos harxhoni kursimet kot

Apr 17, 2015 | 18:21
SHPËRNDAJE

Teksa numri i lartë i shtetasve shqiptarë që po kërkojnë të largohen nga vendi, me qëllim për të përfituar azil në vendet e Bashkimit Evropian, ka shqetësuar autorietetet shtetërore, ka edhe nga ata që e kanë provuar fatin e tyre, dhe duket se janë rrëzuar keqaz nga kjo ëndërr. Një nga këto raste, është ai i një të riu nga qyteti i Lushnjës, i cili është kthyer nga Gjermania tashmë edhe më i varfër se sa kur ka ikur. Krenar Toromani ka rrëfyer për mediat historinë e tij. Kur iku nga Shqipëria, i nxitur edhe nga shokë të tij.

Krenar Toromani

“U nisa nga Shqipëria sepse më thanë dy shokë hajde këtej. Kalova nga Shqipëria në Itali, e më pas për në Gjermani, por nuk na pritën fare mirë. Na futën në disa çadra, si ato ushtaraket në një kamp, ku qëndruam për 2 javë të gjithë bashkë, familjarë, burra etj. Më pas na çuan në një hotel dhe na jepnin shumë pak parà, që nuk mjaftonin as për bukë. Ja kështu, shok pas shoku nisemi. Kush ka shkuar më parë atje, na thotë hajdeni dhe ikim të gjithë. Në fakt kur ika nuk kisha as garanci me vete, por nuk na nxorën asnjë lloj problemi. Na pyetën përse kishim shkuar atje, iu përgjigjëm për azil, sepse s’kemi bukë të hamë andej dhe erdhëm këtej. Na futën në një kasolle, që do thosha se më mirë jetojmë këtu, sesa atje. Atje ishte tmerr, femra e fëmijë flinin me të rritur, të gjithë bashkë. Dhe nuk flinin vetëm me mua, por me 50 veta në një kamp’’, tregon Krenari.

Por për t’u larguar, atij iu desh të merrte para borxh, të cilat tani thotë se nuk di se si do t’i kthejë. Teksa mendimi se Gjermania do t’i ndryshonte jetën është ventiur, tani, Krenarit dhe shokëve të tjerë të tij, u duhet të gjejnë edhe një herë rrugën e jetës në vendin e tyre.

‘’Unë kam marrë borxh kur kam ikur. Tani duhet tua kthejë paratë atyre dhe s’di se si. Nja 4-5 vetë janë kthyer me mua nga
Gjermania, ndërsa një tjetër vjen në datën 25, sepse po pret të marrë lekët i shkreti, nuk ka para as për biletën e kthimit”, ka rrëfyer Krenari.

Ndërsa i riu ka një apel për të gjithë bashkëatdhetarët që kanë në mendje se me largimin nga vendi, i pret një jetë më e mirë.

‘’Askush nuk ka interes t’u tregoj të vërtetën. Agjencitë e udhëtimit kanë interes të pasurohen për vete. Unë e preva biletën në Lushnje e ika nga Vlora për në Itali. Të gjithë ma bënë shesh me lule edhe gjatë udhëtimit, por e pashë vetë me sytë e mi se çfarë ishte jeta atje. Prandaj u bëj thirrje njerëzve mos t’i prishin ato para që kanë kot’’, përfundon rrëfimin e tij djali nga Lushnja.

Në të gjithë vendin, është rritur së tepërmi numri i personave që aplikojnë për pasaportë madje edhe me procedurë të përshpejtuar, me qëllin largimin drejt vendeve të BE-së, për të përfituar azil. Por Gjermania, ashtu si edhe vende të tjera u kanë bërë thirrje shqiptarëve të mos gënjehen nga grupe kriminale që i mashtrojnë vetëm për të marrë lekët, dhe të gjitha premtimet për një jetë ndryshe në vendet e huaja, janë boshe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura