Apeli i Mustafës: Shijoni 17 shkurtin, mos zaptoni sheshe e festa!

Feb 13, 2016 | 9:50
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nëpërmes profilit të rihapur në Facebook ka ftuar qytetarët që të shijojnë festën, që ai e quan, më domethënëse të historisë së Kosovës, të cilën, sipas tij, nuk mund ta zbehin as vendimet arbitrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën. Mustafa po ashtu u ka bërë thirrje që të refuzojnë tendencat eventuale për të përvetësuar sheshe e festa.

mustafa“Askush, as vendimet arbitrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën më domethënëse të historisë së Kosovës, nuk mund ta zbehë kremten tonë të përbashkët, 17 shkurtin”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

Ai më tej u ka bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë tendencat eventuale për të përvetësuar sheshe e festa, për interesa të ngushta politike.

“Ju ftoj të demonstroni pjekurinë karakteristike kosovare dhe refuzimin estetik që na ka lënë trashëgimi Presidenti Historik, Doktor Ibrahim Rugova, ndaj tendencave eventuale për të përvetësuar Festa e Sheshe, për interesa të ngushta politike”, ka shkruar më tej Mustafa.

Mustafa në fillim të këtij mesazhi ka thënë se për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, “ne u gëzohemi arritjeve dhe atdheut tonë”, duke shprehur mirënjohje për kontributin kosovareve dhe kosovarëve, që luftuan dhe ranë dëshmorë e martirë.

Isa Mustafa thotë se Kosova nuk është ashtu siç është ëndërruar, por do të kthehet në atë rrugë.

“Jam i bindur se Kosova, sot nuk është bërë ende vendi që kemi ëndërruar ta kemi. Por, këto ditë ne duhet të mbledhim energjitë tona pozitive, për ta kthyer Kosovën në rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit”, potencon kryeministri vendit, duke shtuar se e tërë Kosova është e qytetarëve të Kosovës dhe e miqve të tyre të shumtë.

Ai në fund thotë se do ta kalojnë çdo sfidë, me durim dhe pjekuri.

“Me refuzim estetik do ta ndalim çdo tendencë ndaj Kosovës, mike të përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë në Evropë dhe në tërë botën”, përfundoi kryeministri Mustafa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura