Apeli i Mirush Kabashit: Shembja e Teatrit për interes të mafies, do ishte mjerim për shoqërinë tonë (e plotë)

Mar 22, 2018 | 14:45
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, Mirush Kabashi e sheh prishjen e teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

kabashi

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kabashi vëren problematika të mëdha në ligjin për artin, sipas të cilit ai krijon varësi të plotë politike nga qeveria dhe zhduk pavarësinë e bordeve artisitike me përbërjen e artistëve për të vendosur për veprat artistike.

Duke bërë një krahasim me periudhën komuniste, Kabashi e cilëson ligjin për artin më autokratik se ai ligji i fundit të viteve ’80.

Cili është pozicioni juaj në këtë debat që zhvillohet për Teatrin Kombëtar? Nga artistët ka qëndrime të ndryshme për të ruajtur këtë godinë, për të mos pasur një teatër mes kullash, ju ku qëndroni në këtë mori qëndrimesh?

Unë qëndroj në anën e artistëve. Por do të veçoja pjesën e parë të pyetjes suaj, duke thënë se pozicionohem në atë pjesë që më duket se ka të bëjë me themelin e problematikës së krijuar, që është ligji për artin, një ligj i mbrapshtë që na ka vënë në këto pozita, ka vënë të gjithë artin skenik, duke e vënë në pozita shumë inferiore, gati-gati të humbjes së dinjitetit të tyre. Sepse është e pabesueshme dhe me vjen keq që e them këtë, që ligji që kemi sot, është më autokratik se ligji i sistemit komunist të Partisë së Punës.

Në çfarë aspekti?

Veçanërisht në pjesën e vendimmarrjes artistike. Në vitin 1988, në kuadrin e një lloj liberalizimi, PPSH e pa të arsyeshme që të delegojë të drejtën e organizimit artistik nga Komitetet e Partisë, që kishte një sektor të veçantë dhe që merrej me artin, që natyrisht i impononte dhe i konsideronte punonjësit e artit si ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave, t’ia delegojë bordeve artistike pranë teatrove të rretheve. Ata tashmë bënin politikën e artit, që nga zgjedhja e repertorit e deri në organizimin artistik, të regjisorëve, aktorëve etj.

A funksionoi kjo skemë?

Ka funksionuar shumë mirë. Mua më vjen keq që ndonjë shembull ta jap nga vetvetja për atë periudhë. Për shembull, unë kam pasur fatin që në janar të 1991 të bëj një koncert me titull “Për demokracinë”, koncert recital artistik, i imi, natyrisht me disa kolegë shumë të nderuar si Hajg Zaharian, Mario Ashiku etj. Por mos harrojmë, se termi demokraci e tërbonte PPSH dhe regjimin e kohës, por bordi artistik e miratoi këtë shfaqje, edhe pse pati presione të mëdha nga komiteti i partisë. Ka pasur dhe shembuj të tjerë që kanë funksionuar, edhe pse forca e PPSH-së ishte dobë- suar, por bëri shumë presion dhe shfaqja ime u votua me një votë më shumë në bordin artistik.

Po sot ku jemi?

Sot, me ligjin e ri për artin, drejtorët artistikë në institucionet artistike vendosen me firmën e Kryeministrit, ndërsa bordet artistike firmosen me firmën e ministrit dhe politikën e artit e bën Kryeministria dhe e zbaton ministria përkatëse. Ligj më autokratik dhe më të turpshëm se ky nuk ka. Si mundet në demokraci të funksionojë një ligj i tillë?! Ku e ka referencën?! Ky ligj bie në kundërshtim dhe me Kushtetutën, e cila si nen të parë ka lirinë e shprehjes së fjalës dhe mendimit, ndërsa në institucionet përkatëse, siç janë ato të artit skenik, ligji e kufizon në politikën e një partie apo në rastin më të mirë, të një koalicioni. Kur i heq oponencën artit, i ke hequr dinjitetin. Me ligjin aktual, drejtorët janë emëruar nga Kryeministri dhe zakonisht kanë qenë drejtorë të fushatave elektorale. Kaq mjafton për të kuptuar atë që ndodh në teatro. Në Teatrin Kombëtar, bordi artistik nuk ka asnjë aktor, asnjë regjisor, asnjë dramaturg dhe asnjë skenograf. Atëherë, më thoni ju mua, çfarë këshilli artistik është ky?! Fakti që Robert Ndrenikës nuk iu dha fjala, është pjesë e këtij ligji, që i vendos artistët në pozitat e nëpunësit dhe i vendos në pozita vërtet diskriminuese kur i vendos vetëm si dekor, për të pasqyruar atë që është më e rëndësishme për teatrin, dhe nuk i lejon që të flasin. Kryeministri duhet ta kishte për nder që simboli i aktrimit shqiptar është prezent në prezantimin që ti i bën teatrit të ri.

Duket se artistët nuk po merren me ligjin, por po merren me godinën e teatrit?

Në fakt, ata po merren me pasojën e këtij ligji. Çështja e godinës së teatrit është më imediate. Pritet të shembet ajo që është altari i teatrit shqiptar dhe është Teatri Kombëtar.

Ju mendoni se godina e teatrit duhet shembur dhe mbi të të ndërtohet një godinë tjetër, apo të ruhet fasada?

Unë mendoj se këtë gjë duhet ta vendosin vetë artistët, duke zgjedhur variantin më të mirë dhe më dinjitoz për një Teatër Kombëtar. Shumë bukur e tha Ndrenika, që teatrot ndërtohen një herë në 500 vjet, nuk ndërtohen çdo vit. Por duhet të prevalojë edhe mendimi i arkitektëve shqiptarë, sepse flitet për Teatër Kombëtar, të mos e harrojmë këtë. Nuk bëhet fjalë për një institucion kozmopolit, ku edhe arkitektë të tjerë mund të vijnë. Pra, edhe gjykimi në pikëpamjen e arkitekturës duhet të jetë nga arkitektë shqiptarë, ndërsa fjalën e fundit duhet ta thonë artistët shqiptarë.

Si e shikoni faktin që “Shtëpia e gjetheve” e Sigurimit të Shtetit ruhet dhe restaurohet, ndërsa Teatri Kombëtar prishet për të bërë një kompleks kullash?

Këto janë absurditete të politikës shqiptare që gjithçka e mendon, njëra palë sesi do ta mbajë pas 4 vjetësh pushtetin dhe pala tjetër, sesi do ta rrëzojmë këtë qeveri pa mbaruar mandatin. Në këtë mënyrë po politizohet jeta e vendit. “Politika mbi gjithçka”, kjo shprehje e diktaturës vazhdon të zbatohet, për vendin e punës, për komoditetin, për kredibilitetin, për pozicionet etj.

Këtu jemi në rrugë të gabuar dhe të frikshme. Ajo që më vret shumë, është dhe politizimi brenda teatrit, kur shoh që i ndajnë artistët, në artistë blu dhe artistë rozë. Në fakt, nuk u vë shumë faj artistëve, sepse teatri dhe arti në përgjithësi është pasion, por dhe mjet jetese. Kur politika të prek te mbijetesa, të zhvesh nga dinjiteti, siç ndodhi në diktaturë, dhe arti ka marrë fund. Kjo ndërhyrje e zhvesh teatrin nga oponenca qytetare që duhet t’i bëjë pushtetit dhe politikës në përgjithësi. Me rastin e 20-vjetorit të vënies në skenë të “Sokratit”, i cili ka kaluar në shumë teatro jashtë vendit, duke u cilësuar si shfaqja më përfaqësuese në aktivitetet ndërkombëtare, kam dashur ta rishfaq për rininë shqiptare. Por nuk e gjej mundësinë për ta rishfaqur.

Edhe shfaqjen e parë “Për demokracinë”, pas 26 vjetësh, kam kërkuar që ta rivë në skenë, por nuk gjej hapësira, nuk më mbështet njeri. Por dua të kujtoj një shprehje të të madhit Kadri Roshi, simbolit të aktrimit tonë, për teatrin: “Teatër, quhet ai institucion ku keqbërësi, pasi shikon një shfaqje teatrore, shkon në polici për të rrëfyer krimin e tij”. Ky është karakteri i katharsisit të teatrit sepse mesazhet që jepen në të, si në pikëpamjen e informacionit, ashtu dhe në pikëpamjen e zbavitjes, por dhe të moralit, janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike. Ne po e asfiksojmë, jo vetëm duke ia hequr këtë të drejtë të oponencës artit, por po trysnojmë dhe artistët për të qenë koniukturalë.

Ju pëlqeu projekti i Teatrit të ri Kombëtar, i prezantuar nga studioja “Bjarke Ingels Group”?

Të them të drejtën, nuk e pashë sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve.

Ju shqetëson më shumë fakti që shumë pranë teatrit do të ketë kulla shumëkatëshe?

Të gjitha së bashku, dhe funksionaliteti, dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit.

“Turbinën” e keni parë, si ju duket?

E kam parë, por më vjen mirë që ngrihet një institucion tjetër artistik me mundësi të një karakteri kulturoro-artistik. Por që të pretendosh se “Turbina” mund të ishte Teatri Kombëtar, kjo pastaj është një bumerang shumë i madh për ata që kanë marrë përsipër të drejtojnë Ministrinë e Kulturës, duke i zhveshur nga përgjegjësia jo më funksionale, administrative, por dhe nga formimi i tyre qytetar dhe kulturor. Në fakt, kemi të bëjmë me një mjegullnajë që vërvitet prej 20 vitesh, për të justifikuar një vendim që është marrë me ndërtues, për ta marrë atë shesh për interesa të jashtëzakonshme ekonomike. Kur fillojnë të shiten dhe kultura dhe interesat fondamentale kulturore, identitare dhe kulturore të një populli dhe të barazohen me vlera monetare në mënyrë kaq abuzive, do të ishte një mjerim i madh për shoqërinë tonë nëse do të pranohej të bëhej. Nuk kam asnjë interes personal sepse unë tashmë jam në pension, por flas si admirues i asaj shkolle arti që ndërtuan korifenjtë tanë në disa dekada, duke ngritur një art skenik mjaft dinjitoz, vlerat e të cilit ne po i marrim sot. Në festivale dhe konkurse ndërkombëtare po spikat kjo trashëgimi artistike, ku kemi dëgjuar dhe shprehje të tilla: “nëse ju e paskeni teatrin në këtë nivel, atëherë ju keni pse të keni zili asnjë prej vendeve të BE-së”. Kjo ka të bëjë me shkollën shqiptare të teatrit, mbi bazën e një orientimi të shkollës ruse dhe të një temperamenti mesdhetar shqiptar, me emra të tillë si: Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Robert Ndrenika, me Pirro Manin si regjisor dhe me shfaqje të tilla si “Arturo Ui” etj., etj., sepse jo të gjitha shfaqjet kanë qenë me karakter ideologjik e politik. Mos harrojmë se teatri ka qenë dhe vatra e aktorëve të kinematografisë shqiptare dhe që sot përsëri është e gjallë. Prandaj, ne nuk duhet ta lejojmë që të zhbëhet kjo traditë. Sot, shoqëria shqiptare ka nevojë për emancipim dhe teatri është një nga komponentët për ta bërë këtë, bashkë me artin, kulturën, sportin dhe besimin fetar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura