Financieri i Habilajve mbetet në burg, pse u rrëzua kërkesa e Seitit në gjyq

Nov 23, 2017 | 12:06
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në burg Nezar Seitin, i arrestuar si “financieri” i grupit të Habilajve. Seanca u zhvillua ditën e djeshme, teksa trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatit të Seitit për ndryshim mase sigurie.

nezar-seiti

Krimet e Rënda kanë të plotë dosjen e përgjimeve të Prokurorisë së Katanias për Nezar Seitin, nga të cilat rezulton se ai ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës. Seiti, sipas dosjes, ka qenë person kyç dhe krahu i djathtë i Moisi Habilajt.

Detyrat e tij ishin organizimi i transportit detar të drogës dhe ndarja e parave që fitohej nga shitja e saj. Për Seitin ka edhe një masë sigurie me afat 20-ditor nga Gjykata e Tiranës për efekt ekstradimi. Deri më tani nuk kanë ardhur shkresat e plota nga shteti italian për ekstradimin e tij.

Vetë Nezar Seiti nuk ka pranuar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ofruar nga organi i akuzës.

Ai, në dëshminë që ka dhënë në Prokurori, ka pranuar vetëm faktin që me me Habilajt ka lidhje krushqie dhe se në Itali ka punuar me shkëputje, por jo në trafikun e drogës.

Seiti ka kërkuar që të ekstradohet në Itali dhe të hetohet nga autoritetet e vendit fqinj, por për të ka një masë sigurie “arrest me burg” nga Krimet e Rënda për llogari të procedimit në Shqipëri.

Nezar Seiti u arrestua gjatë aksionit të famshëm në Babicë të Vlorës, së bashku me Armand Koçerrin, në banesën e të cilit u gjetën plot 4 tonë hashash. Operacioni erdhi një ditë pas publikimit në media të dosjes italiane të Habilajve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura