“Apeli i eurodeputetëve, gjesti i duhur politik”- Genc Pollo: Liberalizimi i vizave me Kosovën nuk është çështje e qeveritarëve në Tiranë. Mund të ishin frymëzuar nga Prishtina për…

Jul 7, 2020 | 19:53
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo ka përshëndetur nismën e 42 eurodeputetëve që kërkuan liberalizimin e vizave më Kosovën, nën argumentin se ishin përmbushur standardet e kërkuara.

Pollo

Në një postim në facebook, Pollo thotë se liberalizimi i vizave nuk është çështje e qeveritarëve në Tiranë, ndërsa thekson se mund të ishin frymëzuar nga Prishtina për të mos i shtuar kushtet.

Teksa kujton se qeveritarët e sotëm ishin në opozitë kur u bë i mundur liberalizimi i vizave, Pollo shprehet se “Kontributi i tyre asokohe ishte përhapja e panikut tek socialistët europianë e tek ca të tjerë se po të hiqeshin vizat do të kishte dyndje popullore si në 1991.”

Reagimi i plotë:

Është e vërtetë qe Kosova i ka përmbushur me kohë kushtet për liberalizimin e vizave. Siç është e njohur që disa  shtete antare të BE ende nuk kanë dhënë pëlqimin duke vonuar kështu vendimmarrjen. Prandaj apeli i eurodeputetëve është gjesti politik i duhur. Vetëm të mos harrojmë se ky është vendim i politikanëve udhëheqës në BE dhe vetëm i atyre. Nuk është çeshtje e qeveritarëve në Tiranë; këta të fundit mund të ishin frymëzuar nga Prishtina dhe mund të mos i kishin shtuar kushtet europiane  nga 5 në 9 e së  fundi në 15. Qeveritarët e sotëm ishin opozitarët e djeshëm kur shqiptarët morën liberalizimin e vizave në Zonën Schengen (2011).

Kontributi” i tyre asokohe ishte përhapja e panikut tek socialistët europianë e tek ca të tjerë se po të hiqeshin vizat do të kishte dyndje popullore si në 1991. Vizat u hoqën e dyndje nuk pati; deri në vitin 2014 kur dyndja filloi e nuk po pushon. Kaq mjafton për të bërë dallimin; pa qenë nevoja të kujtojmë si e përdorën ata Grizeldën e Roshit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura