Anxhelo Peruci lëshon një “mesazh kërcënues” ndaj Igli Tares

Jul 26, 2016 | 14:40
SHPËRNDAJE

Mungon vetëm firma por emërimi i Anxhelo Perucit te Lacio është çështje e përfunduar. Ish-portieri i famshëm i Juventusit, Lacios dhe kombëtares italiane, do të jetë një ndihmës në klubin bardhekaltër për trajnerin Simone Inzagi, duke u marrë drejtpërdrejt me lojtarët, një rol i cili prej shumë vitesh i besohet një ish-futbollisti në shumë klube apo kombëtare të njohura.

epa000414545-igli-tare-of-bologna-and-angelo-peruzzi-of-ss-lazio-l-FFCP4M

Por Peruci i ka idetë të qarta dhe që pa filluar punën, ka lëshuar një “mesazh kërcënues” në adresë të Igli Tares, i cili kontrollon thuajse gjithçka në klubin e Lacios. “Autonomi totale dhe asnjë ndërhyrje nga Tare apo persona të tjerë afër tij. Nuk kthehem në klub për t’u bërë shërbëtori i ndokujt”, mësohen të kenë qenë fjalët e Perucit në takimin me presidentin Lotito ku u vendos për emërimin në këtë post.

Sipas “cittaceleste.it”, një portal pranë klubit të Lacios, një situatë e tillë nuk do t’i pëlqejë drejtuesit shqiptar, i cili ka qenë gjithmonë në kontroll të plotë jo vetëm të merkatos së klubit, që është funksioni primar i tij, por edhe çështjeve të tjera sportive pranë skuadrës.

Gjithashtu, pretendohet që edhe lojtarët janë më të lumtur që të komunikojnë me Perucin sesa me Taren apo presidentin, të bindur se ish-portieri do të jetë më shumë në anën e tyre sesa atë të drejtuesve.

Pavarësisht kësaj situate, Igli Tare vazhdon të jetë në Itali një nga drejtuesit sportivë më të vlerësuar. Arritjet e tij në merkato, me një buxhet shumë të kufizuar, kanë bërë që në të kaluarën, emri i tij të përmendet si një objektiv i klubeve më të mëdha, mes të cilave edhe Interi.

Ndërkohë, drejtuesi shqiptar nuk e ka fshehur dëshirën që në të ardhmen të drejtojë në futbollin shqiptar. Emri i tij është përmendur vazhdimisht si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e FSHF-së, por në të kaluarën ai ka zgjedhur të mos kandidojë kundër Armand Dukës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura