Antikorrupsioni në Kinë nuk i kursen “tigrat”

Nov 27, 2017 | 9:51
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Në Kinë, por dhe jashtë saj, vazhdon të flitet gjerësisht për një zhvillim të hovshëm të vendit të “epokës së re”. Socializmi kinez, me karakteristika të veçanta, vlerësohet si model arritjeje të suksesshme, që, me sa duket, do të vazhdojë dhe forcojë më tej këtë rrugë në të ardhmen. Qeverisja efikase kineze i ka dhënë dhe po i jep për këtë provat e saj. Dhe ajo që bie në sy, e tërë kjo, është e pandarë nga veprimtaria e partisë.

Në këtë rrugë, kjo e fundit, siç përcakton dhe media botërore, shihet si motori real që vë në lëvizje të vazhdueshme tërë sistemin e drejtimit në Kinë. Të ndalemi vetëm në pak tregues: 6 deri në 7 për qind është ruajtur rritja ekonomike; në pesë vjetët e fundit janë krijuar mbi 13 milionë vende pune për çdo vit, me një pushtet që u jep frymëmarrje të gjerë reformave. Si investitore e fuqishme, Kina paraqitet me 12 për qind të investimeve globale. Mund të radhitnim dhe më tej tregues të tjerë suksesi.

Në këto arritje, sigurisht, ajo nuk mund të mos ketë dhe mungesa të ndjeshme, të cilat lidhen me shumë faktorë. Duke mos u zgjatur më tej në dukuritë e mësipërme, qëllimi i këtij shkrimi është gjetkë, tek çka po tërheq më shumë vëmendjen aktualisht: beteja e pandërprerë përballë korrupsionit, si dhe, siç shprehet presidenti i vendit, Xi Jinping, kundër devijimeve nga misioni i qeveritarëve, por dhe i drejtuesve të tjerë, qofshin apo jo partiakë. Është kjo arsyeja që Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të Kinës u ndal gjerësisht në këto probleme.

Dhe, nga tërë kjo betejë, asgjë nuk është fshehur. Mbi një milion zyrtarë, ku përfshihen ata të nivelit të lartë, të njohur si “tigra” apo të niveleve të tjera, të emërtuar si “dhelpra” e “miza”, janë dënuar për raste korruptive, midis të cilëve dhe 18 anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë ose 9 për qind e anëtarëve të këtij forumi të lartë. Ndaj kujtdo që shkon kundër kësaj rrjedhe, dënimet parashihen të ashpra. Lufta kundër korrupsionit shihet afatgjatë.

Kontrolli, vëzhgimet nga populli dhe partia për të gjithë zyrtarët e niveleve të ndryshme nuk janë fjalë në erë, por një veprimtari e qartë, e mirëorganizuar në të gjitha hallkat. Motoja “tolerancë zero” ndaj korrupsionit ka për emërues të vetëm respektimin, forcimin kudo të ligjit. E tërë kjo- përballë synimit të modernizimit të Kinës përmes funksionimit të një demokracie të vërtetë.

Në këtë rrugë ka një fakt të rëndësishëm: Sidomos në katër pesë vitet e fundit, me ardhjen në pushtet, në udhëheqje, të brezit të ri, janë shtuar masat nga Partia Komuniste Kineze kundër korrupsionit. Xi Jinping, kryereformatori i njohur ekonomik, presidenti i sotëm i vendit, qëndron në krye të kësaj beteje. Aktualisht ai vlerësohet si një lider i fuqishëm. Duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kreut të Partisë, konfirmuar kjo dhe në Kongresin e fundit, ai ka jo vetëm suportin e Partisë, por dhe të qytetarëve kinezë.

Nuk po ndalemi këtu në rolin e tij të padiskutueshëm, që Kina të jetë lojtar tepër i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, me një mision të qartë në skenën globale e sikurse përmendet, “për një kontribut më të madh ndaj njerëzimit”. Ndaj dhe në statutin e partisë përcaktohet qartë zbatimi i domosdoshëm i ideve të Xi Jinping për socializmin me karakteristika kineze për një epokë të re.

Pavarësisht disa mendimeve të shprehura, mendojmë se këtu nuk ka vend droja që lidhet me rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një dorë, sikurse as edhe me atë të përdorimit të antikorrupsionit si armë për të mënjanuar kundërshtarët. Performanca e sotme e kësaj qeverisjeje dëshmon një realitet tjetër. Që Kina të jetë një vend ku askush nuk guxon të korruptohet, janë marrë dhe po ndërmerren akte konkrete kundër korrupsionit dhe çdo lloji kompromisi të mundshëm me të, me mbikëqyrje dhe transparencë të gjithanshme, filluar nga drejtuesit e forumeve më të larta të partisë.

Duket ndërkohë se bëhet kujdes i veçantë ndaj “goditjes” që vjen e duhet të vijë kundër këtij fenomeni gërryes: nga udhëheqja apo nga ligji. Ligji është përparësor. Por përballë tezës “goditje vetëm nga ligji” mund edhe të spekulohet, sepse ai mund të përdoret thjesht si koperturë kur realiteti mund të jetë ndryshe. Prandaj dhe masat e marra nga kinezët i japin më shumë dritë kësaj teze, duke mënjanuar me vendosmëri çdo ekuivok a qëndrim frenues në këtë rrugë të vështirë, por edhe për një qeverisje të suksesshme në realizimin e objektivave të saj të njohura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura