Antihistoria

Feb 19, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

RAIMONDA SHUNDI rajmonda-shundi

“Unë të fshij nga historia!”, i thotë Hrushovi kundërshtarit të tij pas ekzekutimit barbar. Po ashtu, edhe Hoxha, si ndjekës i dëshiruar i diktatorit Stalin, vijoi idenë. Të transformosh gjithçka ka ndodhur me të shkuarën duke e manipuluar atë në shërbimin personal autoritar, përbën fakt mjaft të njohur e të vërtetuar. Ndryshojnë vetëm minutat, vitet, orët, ditët, etapat, emrat, bashkëpunëtorët. Dokumentet nga ku “armiku” ishte pjesë e asaj çka ish ndërtuar dhunshëm ose jo falë fatit të kohës. E pas kësaj, nis një histori e re me vetë ata që mundësuan fshirjen dhe modifikimin e atij realiteti të ri. Eja dhe përballu me kaosin e vërtetë – gënjeshtërt, të maskuar tymshëm në arkivat e “mbyllura”. Kutelit nuk i gjendet as edhe një sekondë e xhiruar në qendrën arkivore të Kinostudios Shqipëria e Re, sipas emërtimit fillestar, sot Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Po pse më tingëllon kobshëm mua emërtimi “Qendra arkivolo/ arkivore?!”, apo jo vetëm mua?!

Pas një aktiviteti që organizova në Teatrin Kombëtar për figurën e Mitrush Kutelit, teksa po përpiqesha t’i sillja këtij brezi diçka nga xhirimet e kohës për atë figurë aq emblematike, mbeta kapur keq në ngërçin e asgjësë. Megjithëse e bija e Mitrushit, Atalanta, nisi punë në këtë arkiv mjaft herët në historikun e krijimit, ajo nuk mundi të shijonte asnjë sekuencë filmike nga i ati në gjithë ato vite mbijetese shqiptare në aktivitetet që organizoheshin nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve apo qarqeve letrare. Asgjë e mbetur nga kronikat ilustruese të kohës mbi aktivitetet e fundit. Të zhdukura të gjitha. Askund nuk e shihje Kutelin, në asnjë cep, a diku në mbledhjet a takime e ndryshme mes shkruesish e përkthyesish. Vigjilentë për të kontrolluar gjithçka e më pas për të hequr. Madje, ndryshe edhe nga kolegët e dënuar. Kuteli kategorikisht nuk ka asnjë sekuencë të gjallë në celuloid. Sigurimi i shtetit dhe modifikuesit e realitetit socialist natyrisht që ishin shumë hapa përpara familjes e jo më si bashkëkombës apo dashamirës të letërsisë. Ne sot duam disa sekuenca nga shumëkush, por nuk ka.

“Unë të zhduk nga historia”, ishte dhe është togfjalëshi i dashur i diktatorëve apo të dashuruarve pas imazhit të tyre. Unë të fshij, të shkrij, të zhduk e shumë sinonime të tilla, janë përdorur frikshëm me Kutelin, Poradecin (që vetëm izolimi e shpëtoi nga tragjedia), apo shumë nga emrat e modifikuar tashmë në tekstet tona. Pse frika dhe paranoja për të vërtetën i çon deri në këto limite kokat e nxehta të shtetit diktatorial? Nuk i tremb fakti se e vërteta do gjejë rrugë dhe drita do të marrë udhën drejt tjetërsimit?! Apo shprehja “kur unë të mos jem, le të ndodhë fundi i botës”, i bën të mos pengohen në rrugën drejt dreqit?! Dikur “Kinostudio Shqipëria e Re” u krijua si makina më optimale e larjes së trurit shqiptar. Ushqimi i tij i bollshëm me kronikat, dokumentarët, reportazhet ku stivoheshin fitoret dhe sukseset e Njeriut të Ri, kishin rezultuar optimale. Çdo etapë institucionale përfshihej mbytshëm në kronikat apo edicionet e lajmeve, nga ku makina propagandistike evidentonte Lej fenët dhe heroin e ditës. Shumë emra të çuditshëm për Shqipërinë e vogël të izoluar nisën të shqiptoheshin me vështirësi, deri sa zëvendësohej me fushatën e vendit “mik” në mbërritje. Shqiptarët e dashuruar pas Rusisë së madhe, befas tradhtoheshin nga flirtet diplomatike. Sapo procesi i ballafaqimit dhe ndërtimit të urave bashkëpunuese niste historinë e re, miqtë ishin transformuar tashmë në armiq e rrjedhimisht në frikë e panik. Pas kësaj, nisje të shihje me më vëmendje se si kish qenë ajo rrugë e shkurtër, për të ndrequr historinë tënde, se ndoshta ajo histori do të kushtonte edhe vetë jetën.

Historia nis e rishkruhet sipas tekave të fitimtarit, e ka thënë Bonaparti, Rusvelti, Stalini, Enveri, Rama…. Këtë histori që ne po shohim e shkruajmë çdo ditë; nuk ka historian që ma fshin apo dreqos. Natyrisht, fakti që lënda e historisë do të jetë lëndë mësimore me dëshirë, e vërteton katërçipërisht se tashmë drejtuesit tanë, historinë historikisht e kanë bërë hi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura