Antifashizmi, Akademia e Shkencave vlerëson veprën e Paskal Milos

Nov 16, 2019 | 10:55
SHPËRNDAJE

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mblodh dje juria ndërkombëtare e konkursit për Veprën Shkencore më Cilësore, kushtuar Antifashizmit të popullit shqiptar, botuar gjatë viteve 1991-2019, me rastin e 75-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve shkencore
Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve shkencore

Në përfundim të saj, juria e kryesuar nga akademiku Marenglen Verli dhe me anëtarë studiuesit Valentina Duka, Hamit Kaba, Jusuf Baraktari dhe Mario Brunetti, vendosi që çmimi i parë nga autorë vendës t’i jepet prof. dr. Paskal Milos për veprën “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, vol. I”, me këtë motivacion: “Vepër shkencore me vështrim panoptik për vlerat e antifashizmit shqiptar dhe për zhvillimet më të rëndësishme politike dhe ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore në gjithë hapësirën historike, në Shqipëri dhe në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi e Çamëri; trajtim me përgjegjësi të lartë shkencore dhe etike i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, mbështetur në dokumente të shumta arkivore vendëse dhe të huaja, vështruar në rrafsh krahasues me dëshmi të vetë protagonistëve të Luftës, një pjesë e madhe e të cilave të panjohura më parë”.

Studiuesi Paskal Milo u shpreh entuziast për vlerësimin nga institucioni më i lartë i shkencës në Shqipëri. “Për mua është kënaqësi, edhe pse vlerësohem përballë kolegëve të mi shqiptarë dhe të huaj. Pa dyshim që ky çmim do të më vlejë edhe për të përfunduar vëllimin e dytë për Luftën, të cilin e kam në proces”. Historiani tha se vlerësime të tilla janë inkurajime për studiuesit, pasi tregojnë se puna e tyre çmohet edhe nga institucione siç është Akademia e Shkencave.

Sipas Milos, historiografia shqiptare po bën përpjekje të mëdha për të ngritur nivelin e saj. “Në të njëjtën kohë presim me shpresë që inkurajime të kësaj natyre të bëhen më të mëdha, me qëllim që historiografia jonë të mund të ketë mbështetjen që meriton”, shtoi Milo. Të nominuarit e tjerë nga autorët vendës për veprën shkencore më cilësore, për periudhën e Antifashizmit në Shqipëri ishin: 1. “Dosjet e luftës”, me autore Ana Lalaj; 2. “Ripushtimi i Kosovës (shtator 1944 – korrik 1945)” me autor Lefter Nasi; 3. “Shqipëria dhe tokat e lirueme: 1939-1946 me autor Romeo Gurakuqi.

RODERICK BAILEY KRYESON NGA AUTORËT E HUAJ

Vepra më cilësore kushtuar Antifashizmit nga autorët e huaj, u përzgjodh “Lufta e Fshehtë në Shqipëri – një histori e misioneve britanike 1940-1945”, me autor studiuesin Roderick Bailey. Tri veprat e tjera të nominuara për këtë çmim ishin: 1. “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”, me autor Bernd J. Fischer; 2. “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939-1944): një analizë historike e gjedhes kulturore të mikut dhe armikut”, me autor Hubert Neuwirth; 3. “Fitorja e hidhur – Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë”, me autor Reginald Hibbert. Kush është Roderic Bailey? Ndoshta fakti që gjyshi i tij ka shërbyer si oficer gjatë pushtimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste ka nxitur Bailey-n të trajtojë në studimet e tij angazhimin e Britanisë në Shqipërinë e pushtuar nga forcat nazifashiste. Studiuesi aktualisht punon si pedagog në Oksford dhe është i specializuar në studimin e Luftës së Dytë Botërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura