Anti-oligarkia, nga John Kerry te Donald Lu

Nov 19, 2015 | 10:13
SHPËRNDAJE

Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në nëntor 2015, ka stigmatizuar saktësisht e fuqimisht, me emra konkretë, majën e ajsbergut oligarkik në Shqipëri. Që prej 1 shkurtit 2014 kanë kaluar vetëm rreth  22 muaj që vendet “demokratike” të Ballkanit janë vënë në shënjestër për shkak të “nëpërkëmbjes së aspiratave të qytetarëve nga interesat e korrupsionit e të oligarkisë” që kanë marrë peng votën e lirë, Kuvendin, administratën publike, biznesin, median, shoqërinë civile dhe Drejtësinë.

Shqipëria është një vend tipik i qeverisur përmes një “regjimi oligarkik”. Rreziku dhe shqetësimi kryesor i SHBA-ve dhe BE-së lidhet me krijimin në këto vende të hapësirave për hyrjen e “faktorëve/aktorëve të tretë”, jashtë atyre të BE-së e NATO-s, duke devijuar demokracinë e këtyre vendeve drejt regjimeve “të oligarkisë, krimit, korrupsionit dhe të trafiqeve” apo duke vënë në pikëpyetje “integritetin e sovranitetin” e tyre, por mbi të gjitha duke rrezikuar edhe vetë këto dy organizma të demokracisë perëndimore.

Rreth pas dy vjetësh ka filluar çmontimi/çrrënjosja e regjimit oligarkik në Shqipëri. Shumë vetë nuk e besonin që kjo të ndodhte, madje edhe sot ka jo pak që nuk e besojnë se ky “pastrim” do të ndodhë rrënjësisht. Gabohen rëndë. Procesi sapo ka filluar, ai do të jetë i thellë, radikal, dhe total. Madje, sa më i madh reaksioni, aq më radikal dhe i thellë do të jetë pastrimi.

1. 1 SHKURT 2014, JOHN KERRY PARAQET RREZIKUN E OLIGARKISË NË BALLKAN

John Kerry, sekretari amerikan i Shtetit, në Samitin e 8-të të Sigurisë globale në Mynih, më 1 shkurt 2014, duke iu referuar situatës në Ukrainë, një vend me demokraci oligarkike, ndër të tjera ka deklaruar se qytetarët e vendeve të Ballkanit “përsëri janë të zhgënjyer se aspiratat e tyre po nëpërkëmben nga korrupsioni dhe interesat e oligarkisë i) që blen votat, ii) shantazhon kundërshtarët, iii) tenton të eliminojë opozitën, iv) vendos nën kontroll gjyqësorin dhe v) blen biznesin e shoqërinë civile”.

Një regjim oligarkik, për të qëndruar me çdo kusht e mjet në pushtet, për t’iu shmangur detyrimeve për respektimin e standardeve demokratike apo për të përballuar krizat ekonomike të gjeneruara nga keqqeverisja, evazioni, korrupsioni e trafiqet, në mënyrë direkte apo indirekte, është i gatshëm të bëjë gjithçka: i) t’i drejtohet kartës nacionaliste, duke dëmtuar paqen në rajon e nxitur konfliktet etnike, ii) të lejojë, të krijojë kushtet apo të mbyllë sytë për t’i hapur rrugën infiltrimit të radikalizmit islamik apo edhe dërgimit të luftëtarëve për në ushtrinë e ISIS, dhe iii) të ndërtojë marrëdhënie preferenciale me Rusinë apo edhe deri sfiduese për NATO-n dhe BE-në. Ndërkohë që të tilla sjellje janë të përjashtuara apo të pamundura në një vend me demokraci liberale.

2. 8 KORRIK 2014, VICTORIA NULAND NË KROACI STIGMATIZON KLEPTOKRATËT

Në fjalën e asistentsekretares së Shtetit të SHBA-ve, Victoria Nuland, në Forumin e Dubrovnikut, Kroaci, më 8 korrik 2014, ndër të tjera thuhet: “…Europa nuk mund të jetë së bashku nëse kleptokratët e trajtojnë shtetin si një plaçkë e majmur për vete dhe miqtë e tyre. Ajo nuk mund të jetë e lirë, kur zgjedhjet manipulohen, kur media e pavarur rrudhet deri në heshtje dhe kur minoritetet poshtërohen. Ajo nuk mund të jetë në paqe kur funksionaret e korruptuar përdorin kërcënimin politik, ekonomik e gjyqësor për të mbytur opozitën dhe rrjepur qytetarët e tyre.

Korrupsioni kërcënon gjithashtu edhe sovranitetin kombëtar, sepse çdo politikan i pistë midis nesh, çdo kontratë jotransparente dhe e pistë që ne lejojmë, krijon një vrimë të zezë që na bën lehtësisht të cenueshëm dhe krijon rrethanat për keqbërje nga forcat e jashtme. Nga Ballkani deri në Detin Baltik e Detin e Zi, ne duhet të kuptojmë se, siç ndodhi në Maidan, korrupsioni nuk është vetëm vrasës i demokracisë, por edhe një mjet gri në arsenalin e autokratëve dhe kleptokartëve që kërkojnë të shtrijnë ndikimin e tyre, të dobësojnë demokracinë dhe të pasurohen në kurriz të qytetarëve…”.

3. TETOR 2014, SENATORI MURPHY PARAQITI RREZIQET QË I KANOSEN BALLKANIT

Kryetari i Nënkomisionit të Jashtëm për Çështjet e Europës në senatin e SHBA-ve, z. Chris Murphy, pasi është kthyer në SHBA me mbarimin e vizitës në Ballkan në tetor 2014, ka mbajtur një fjalë e përcjellë një mesazh shumë të rëndësishëm, ndoshta me vlera historike për vendet e Ballkanit, në një aktivitet në Universitetin “Johns Hopkins” për Studimet Ndërkombëtare të Avancuara. Në fjalën e tij me temë “Luftëtarët e jashtëm, paratë ruse dhe tensionet etnike”, senatori Murphy ka vënë në evidencë përmes argumentesh racionalë nevojën e “Riangazhimit të SHBA”-ve në Ballkan. Sipas tij, “Riangazhimi i SHBA”-ve paraqitet i nevojshëm për shkak të tri rreziqeve.

Së pari, paqja etnike, fetare dhe politike të vendosura vetëm para pak vitesh në këtë rajon nuk janë të dhuruara një herë e përgjithmonë, pra ato janë shumë të brishta e të paqëndrueshme. Së dyti, fundamentalizmi islamik po penetron ndjeshëm në disa nga vendet e Ballkanit; dhe më konkretisht lidhur me situatën aktuale në Irak e Siri, numri i luftëtarëve nga disa vende ballkanike pjesëmarrës në ushtrinë e ISIS-it është rritur në mënyrë të ndjeshme. Së treti, ndërkohë që SHBA është tërhequr nga rajoni i Ballkanit, Rusia e ndodhur te dera e tij po tenton të mbushë boshllëkun e krijuar nga SHBA; kjo përbën sipas senatorit edhe rrezikun më të madh.

Gjithçka thuhet në këtë deklaratë është shumë e saktë dhe plotësisht e drejtë. Por gjykoj se ka një rrezik shumë më të madh, që do të kishte ndikim dhe pasoja të paparashikueshme për zhvillimet e ardhshme në Ballkan; rreziku që vjen nga qeverisjet oligarkike. Ky rrezik e bën të domosdoshëm “Riangazhimin e SHBA”-ve në Ballkan, sepse pa këtë riangazhim çrrënjosja e oligarkisë do të ishte e dyshimtë.

4. DHJETOR 2014, PARLAMENTI EUROPIAN NXIT MARRËVESHJEN MAXHORANCË-OPOZITË PËR DEKRIMINALIZIMIN E KUVENDIT…

Pas sulmit fizik të dy deputetëve të maxhorancës, të orkestruar nga Rama, ndaj një deputeti të opozitës, u deshën 6 muaj bojkot që Parlamenti Europian të “nxiste/detyronte” maxhorancën të nënshkruante në dhjetor 2014, marrëveshjen për Dekriminalizimin e Kuvendit dhe të Administratës Publike. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Parlamenti Europian do të pranonte se Kuvendi i Shqipërisë (më konkretisht maxhoranca qeverisëse), ka në përbërje të tij një numër deputetësh me rekorde kriminale që duhet të largohen. Ky fakt do të vendosej si kusht për hapjen e negociatave me BE-në në raportet e Komisionit Europian.

5. SHTATOR 2014, NJË RAPORT I BRENDSHËM I OSBE-SË “ZBULON” OLIGARKINË E TIRANËS…

Në një raport të brendshëm të OSBE-së që bëhet publik në shtator 2014, shfaqet një “fotografi” e “oligarkisë” së Parlamentit shqiptar, por edhe përtej tij konkretisht 14 “oligarkë” i përkasin PS-së, 7 “oligarkë” i përkasin LSI-së, 4 i përkasin PDIU-së e të tjerë. Ajo që bie në sy janë i) Rama figuron me një “pasuri prej 200 milionë eurosh, të fshehur në një llogari bankare off shore në emër të të vëllait…” dhe ii) një deputet i maxhorancës rezulton i lidhur me mafien ruse.

6. SHTATOR-NËNTOR 2015, DONALD LU STIGMATIZON MINISTRAT E KORRUPTUAR, DEPUTETËT KRIMINELË, PROKURORËT E PAAFTË E GJYQTARËT, DHE KRIMINELËT QË LËVIZIN LIRISHT…

Në datën 8 shtator 2015, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga Parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga. Këto vendime përfaqë- sojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike. Gjatë një takimi në datën 13 nëntor 2015, për reformën në Drejtësi, ambasadori Donald Lu ka stigmatizuar ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë dhe gjyqësorin e paaftë e të korruptuar, duke deklaruar konkretisht se “Unë e di se kush janë kundër reformës në Drejtësi, ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk ndjekin penalisht dikë…”.

Kurse 4 ditë më vonë, ambasadori amerikan Lu ka qenë edhe më i ashpër duke përmendur emrat konkretë të disa kriminelëve që lëvizin lirisht. Konkretisht ai ka thënë: “Shqipëria ka nivelin më të ulët të ndjekjeve penale… Javën e kaluar pyeta: Kush i trembet më shumë kësaj reforme, thashë se shumë zyrtarë të korruptuar të qeverisë dhe të gjyqësorit. Persona të tjerë që kanë frikë nga reforma e Drejtësisë janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë.

Persona si Arben Frroku që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi, ndërsa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që është akuzuar haptas në media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por që nuk është çuar para drejtësisë…”.Duhet sqaruar se Arben Frroku është kandidat për deputet i një partie në marrëveshje koalicioni me Ramën për zgjedhjet e vitit 2013. Kurse Emiljano Shullazi është një individ që është akuzuar për lidhjet me ministrin Tahiri. Kurse deputetët Arben Ndoka dhe Armando Prenga janë stigmatizuar si “deputetë të maxhorancës me rekorde kriminale”.

7. NËNTOR 2015, LSI DEKLARON: JO BIZNESMENËVE DHE JO KRIMINELËVE SI DEPUTETË, TRANSPARENCË TOTALE PËR FINANCAT E PARTIVE…

Ndërkohë që opozita këmbëngul prej një viti për procesin e Dekriminalizimit dhe ka deklaruar pjesëmarrjen për miratimin e një reforme të Drejtësisë që garanton një gjyqë- sor profesional, me integritet dhe të pavarur nga politika që lufton korrupsionin dhe krimin, LSI-ja deklaron se i) nuk do të kandidojë për deputetë asnjë biznesmen; ii) nuk do të kandidojë asnjë individ me rekorde kriminale dhe iii) do të bëjë publike të gjitha shpenzimet financiare të partisë. Kjo kërkesë e hershme e opozitës, në gojën e LSI-së tingëllon si një sfidë ndaj Ramës për të bërë kontrastin me PS-në të marrë peng nga “oligarkët, biznesmenët e dyshimtë, përfaqësuesit e medias klienteliste dhe kriminelët”.

Kjo deklaratë tingëllon edhe si një mesazh ndaj SHBA-ve e BE-së për t’u treguar se LSI-ja është e gatshme, ndryshe nga PS-ja, të bëhet pjesë e procesit të de-oligarkizimit të Kuvendit dhe administratës publike. Mbetet për të parë sa e sinqertë do të jetë kjo deklaratë për t’u kthyer në një akt ligjor.

8. NË VEND TË PËRFUNDIMIT…

Në Shqipëri vendi qeveriset nga oligarkia. Konceptuesi, përfaqësuesi, përfituesi kryesor dhe drejtuesi prej 15 vjetësh në Shqipëri i qeverisjes aktuale oligarkike është Edi Rama… Segmentet kryesore të kësaj oligarkie prezente në maxhorancën qeverisëse janë

1) politikanë të korruptuar me pasuri të dyshimta që kontrollojnë partitë e tyre, Kuvendin, institucionet kryesore kushtetuese ose në përgjithësi shtetin, biznesin privat, median, gjyqësorin, shoqërinë civile e të tjerë;

2) biznesmenë të pasuruar në mënyrë të paligjshme apo klienteliste me pronat e fondet publike në lidhje klienteliste me politikanët-oligarkë;

3) përfaqësues të medias, aktivë në politikë, që kanë ngritur perandoritë e tyre mediatike përmes bizneseve përfituese të pronave e fondeve publike dhe përmes lidhjeve klienteliste me politikanët oligarkë;

4) ish-zyrtarë të lartë të pasuruar nga përfitimet në poste lukrative të tilla si agjencitë e privatizimit, dogana, tatime, gjyqësor, polici dhe

5) individë me rekorde kriminale të konsideruar si “material” lidhës i amalgamës oligarkike.

Rruga e vështirë dhe komplekse, por e pashmangshme e “de-oligarkizimit” të politikës shqiptare do të kalojë përmes tri fazash:

1) faza e parë dhe më e lehta është ajo e “dekriminalizimit”, ose thënë ndryshe e largimit të individëve me rekorde kriminale, të cilët janë me të “dukshmit”;

2) faza e dytë është ajo e largimit të individëve nga biznesi e media oligarkike me pasuri të krijuar në bashkëpunim e në bashkëaksione me politikanët oligarkë;

3) faza e tretë është ajo e largimit të politikanëve oligarkë, kjo është edhe faza më e vështirë. Natyrisht që mund të ketë edhe ndërthurje midis këtyre fazave. Reforma e Drejtësisë do të jetë “gijotina” për realizimin “e butë” të procesit të de-oligarkizimit, përndryshe protestat masive e të pandalshme (ndryshe të artikuluara si revolucioni demokratik), do të mbeten zgjidhja eventuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura