Anri Sala, tri kate ekspozitë në New York

Feb 4, 2016 | 15:03
SHPËRNDAJE

Anri Sala hap të parën ekspozitë të plotë në New York. Kalendari artistik i New Museum vijoi mbrëmjen e së martës me hapjen e ekspozitës “Anri Sala: Answer me”, kuruar nga Massimiliano Gioni.

Artisti Anri Sala
Artisti Anri Sala

Artisti 42-vjeçar shqiptar, i shpallur tri herë si artisti më i mirë në Francë, që e ka prezantuar këtë të fundit në Bienalen e Venecias, është ndër emrat më të përmendur viteve të fundit në arenën e artit bashkëkohor.

Veprat e tij, kryesisht në mediumet video-instalacion, filma me metrazh të shkurtër, janë vazhdimisht të pranishme në galeri të rëndësishme në Europë e SHBA. Por ekspozita e fundit konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha në karrierën e Salës. Vepra e tij ka pushtuar tri kate të New Museum dhe ofron një kërkim gati 15-vjeçar të artistit mbi lidhjen e tingullit, muzikës dhe arkitekturës. Vepra të krijuara prej tij përgjatë këtyre dy dekadave të fundit, janë vendosur në tri kate (të dytin, të tretin dhe të katërtin) të ndërtesës, duke krijuar një atmosferë simfonike.

Ndërsa në videot e tij më të hershme, të viteve 1990, Sala kërkon të ekzaminojë jetën pas rënies së komunizmit në Shqipëri, duke u kthyer në një vëzhgues i hollë i rolit të gjuhës dhe kujtesës në narrativën sociale dhe historitë politike, në mileniumin e ri, punët e tij marrin një tjetër karakter. Në videot e tij ndërfutet elementi i zërit dhe i muzikës, duke zbuluar efektet e saj psikologjike, mënyrën se si komunikon emocione.

Më tej ky kërkim u bë edhe më i thellë. Sala fillon të përfshijë artistë dhe interpretime të gjalla në veprat e tij, qofshin këto video apo performanca live (“Long Sorrow”, 2005, “Answer Me”, 2008, “Le Clash”, 2010, “Tlatelolco Clash”, 2011).

Nga vepra “Ravel Ravel Unravel”
Nga vepra “Ravel Ravel Unravel”

Janë copëza të jetës së përditshme, histori personale, gjendje emocionale, situata ekstreme ndalimqarkullimesh në kohë lufte, të cilat vijnë të përthyera përmes muzikës, ndërkohë që arkitektura nuk është thjesht një “dekor”, por përforcon idetë apo ndjesitë që kërkon të përcjellë artisti. Hapësirat e galerisë pushtohen nga tingujt e “Verklärte Nacht” të Arnold Schoenberg (“The Present Moment”), duke përforcuar edhe më tej kërkimin e artistit mbi marrëdhënien mes zërit dhe hapësirës arkitektonike.

Pjesë e ekspozitës është edhe instilacioni “Ravel Ravel Unravel” (2013), e cila pati premierën në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias, ku Anri Sala përfaqësonte Francën. Në këtë instilacion, në dy dhoma të projektuara për të përthithur tingujt, vendosen paralelisht dy interpretime të një prej veprave të Maurice Ravel (Koncert për piano për dorën e majtë, në Dmaxhor).

Sala rikrijon temporitmet e të dyja performancave, të cilat së bashku ofrojnë një eksperiencë të jashtëzakonshme, duke krijuar perceptimin e jehonës muzikore në një hapësirë ku jehona është e pamundur. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 prill, do të shoqërohet gjatë kësaj periudhe edhe me takime e biseda me artistin rreth krijimtarisë së tij dhe kërkimeve të tij më të fundit mbi lidhjen e tingullit me hapësirat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura