Anri Sala, një bisedë mbi krijimtarinë e tij me studentët e Arteve

May 23, 2018 | 17:42
SHPËRNDAJE

Një ndër të paktët artistë shqiptarë që ka bërë sukses në botë në artet pamore, Anri Sala, zhvilloi dje një takim me studentët e Universitetit të Arteve. I ftuar nga Dekanati i FAB-it, Anri Sala zhvilloi një bisedë në Black Box. Ai prezantoi para studentëve veprat e tij në vite, duke i shpjeguar njëkohësisht edhe konceptin e tij mbi artin, procesin e punës dhe evoluimin e saj në vite. Sigurisht, për një artist është e vështirë të shpjegojë veprat e veta dhe është e sigurt që Sala flet më bukur përmes punëve të veta. “Intervista” ishte një ndër punët e para pas largimit nga Tirana.

32901738_850299228499149_686388889761349632_n

“Është edhe një nga punët, që hapi një dritare interesi për mua, sepse krijoi këtë lloj dyshimi, më bëri koshient, që ka një lloj ngërçi në gjuhë midis sintaksës edhe përmbajtjes. Ky raport, ky lloj ambiguiteti midis sintaksës, midis formës dhe përmbajtjes, është diçka që ka evoluar në punën time, duke marrë trajta të tjera, ku zëri edhe muzika pastaj janë ato që përcjellin një situatë. Një nga gjërat që mbase më ka interesuar më shumë është në diferencë nga gjuha si mjet komunikimi, muzika ka cilësinë që të përcjellë pa i thënë gjërat”, tha Sala.

“”Intervista” është gjeneza nga ku mori drejtim puna ime, sepse prek raportin me politikën, me kontrollin, mënyra se si sintaksa, forma e kontrollon përmbajtjen, se si një pjesë e madhe e kontrollit që bëhet futet në shtresat, arkitekturën, atë çka jep sistemi i gjuhës. Ka edhe disa gjëra të tjera në raport me lëvizjen, me koreografinë, ku interesi im shkoi nga dëshira për të gjetur fjalët, që ishin thënë në nevojën për të lexuar lëvizjen e buzëve. Këtë punë e bëra një vit pasi jam larguar nga Tirana (1996 për të studiuar në Paris). Në kthimet e mia të para gjeta një film, që e kishin lënë në një cep për mua, sepse thoshin, që: “Këto gjëra më përkasin mua”.

Gjeta një intervistë të mamasë sime pas Kongresit të Rinisë, që flet në lidhje me atë eveniment politik, por i mungon zëri. Teknikisht në atë kohë regjistrimi dhe xhirimi kalonin nga dy pajisje të ndryshme, prandaj e vetmja mundësi që unë të gjeja çka ishte thënë, ishte leximi i lëvizjeve të buzëve. Për të arritur te gjuha m’u desh që të kaloja nga koreografia e trupit”, vijon ai. Më tej, artisti foli për të tjera punë, që fillimisht vendoseshin në Shqipëri, por më pas morën një tjetër shpërndarje gjeografike.

Po kështu, edhe interesat e tij kaluan në të tjera mediume, duke “iu larguar” atyre mjeteve, me të cilat ishim më- suar të përdornin artistët pamorë. Raporti mes muzikës dhe hapësirës, arkitekturës mbizotëronin në veprat e tij të fundit. “Në punët e hershme ndihet më shumë historia edhe politika, por që gjithsesi historia, politika dhe zhvillimet, mënyra se si ato janë në marrëdhënie të ndërsjellë midis produkteve kulturore edhe momenteve të proceseve historike janë gjëra që më interesojnë shumë. Për shembull, në punën “Ravel ravel” nuk do të kisha arritur atje nëse nuk do të kisha pasur një interes vërtet të raportit të historisë, së Luftës së Parë Botërore, raportit me humbjen e pjesëve të trupit dhe gjithë kompozimet për dorën e majtë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura