Ankth dhe panik, gratë që pësojnë abort përjetojnë simptoma afatgjata të stresit post-traumatik

Jan 15, 2020 | 12:03
SHPËRNDAJE

Një në gjashtë gra që humbasin fëmijën gjatë shtatzënisë përjetojnë simptoma afatgjata të stresit post-traumatik.

Sipas një studimi të ri, gratë kanë nevojë për përkujdes më të ndjeshëm dhe specifik pasi pësojnë abort ose shtatzëni ektopike (fetusi zhvillohet jashtë mitrës).

Toni Edwards-Beighton tha se mendoi se u çmend pas një aborti në vitin 2016.

“Ndjeva se nuk duhet të pikëllohesha sepse nuk ishte një fëmijë i vërtetë, por isha në shok të plotë,”- tha 36-vjeçarja.

Tonit dhe bashkëshortit të saj Matt iu tha se zemra e foshnjës së tyre nuk rrihte, kur ajo ishte vetëm 12 javëshe shtatzënë para se të pësonte një abort të natyrshëm në banjën e shtëpisë.

Por ajo nuk e priste që do të kishte gjakderdhje për 8 ditë dhe më pas do kishte kontraktime të dhimbshme.

“Mendova se po çmendem,”- u shpreh ajo. “Nuk kisha informacione se çfarë do të ndodhte me mua.”

Panik dhe ankth

Në fund, diçka e dallueshme në madhësinë e një pëllëmbë ra mes këmbëve të saj në mes të natës.

“Nuk ishte një ind për mua, ishte fëmija ynë,”- tha Toni.

Në javët që pasuan, ajo filloi të frikësohej për gjithçka, veçanërisht për vajzën e tyre që ishte katër vjeç në atë kohë.

“Unë shqetësohesha se ajo do të vdiste. E shikoja sikur po binte në tokë,”- rrëfeu gruaja.

Muaj më vonë, mjeku e diagnostikoi me PTSD (çrregullim të stresit post-traumatik) dhe i ofroi këshillim por nuk e vazhdoi për shkak se kishte mbetur sërish shtatzënë.

“Nëntë muajt e ardhshëm ishin të tmerrshëm, isha e bindur që do ta humbja përsëri fëmijën tim,”- tha ajo.

Tani Toni dhe Matt janë prindër të dy vajzave, Phoebe 8 vjeç dhe Willow, 2 vjeç.

Në studimin ku morën pjesë 650 gra nga Imperial College London dhe KU Leuven në Belgjikë, 29% e tyre treguan simptoma të stresit post-traumatik një muaj pas humbjes së shtatzënisë dhe kjo shifër binte në 18% pas nëntë muajsh.

Shumica prej tyre pësuan abort të parakohshëm kur ishin 12 javëshe, ndërsa pjesa tjetër kishin shtatzëni ektopike.

Nga gratë e marra në studim, një muaj pas humbjes së foshnjës së tyre, 24% kishin simptoma ankthi dhe 11% të depresionit.

Kjo u ul në 17% dhe 6% pas nëntë muajsh, zbuloi studimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura