Anketimi: Kur prindërit lexojnë, fëmijët më të afërt me librin

Sep 10, 2018 | 17:48
SHPËRNDAJE

LILI SULA*/ Studimi mbështetet në të dhënat e anketimit “Lexues të fortë dhe të ‘dobët’”: Disa përfundime të anketimit për lexueshmërinë, prezantuar në Seminarin Ndërkombëtar “Letërsia për Fëmijë dhe Lexuesit e saj: Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit” (2018). Anketimi është pjesë e një studimi krahasues midis partnerëve të projektit, përkatësisht shtëpisë botuese “Dituria”, Tiranë, asaj “Tabernakul”, Shkup dhe Agjencisë Kulturore “Arcipelago”, Napoli, si dhe vjen në kuadër të projektit “Lexuesit e së ardhmes”, që realizohet nga shtëpia botuese “Dituria”, me mbështetjen e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.

**

Shprehitë e para të të lexuarit fitohen qysh në vogëli e me kalimin e viteve ato pasurohen dhe individualizohen. Një lexues “i dobët”, në fëmijëri, mund të bëhet një lexues i mirë ose shumë i mirë teksa “rritet” me librin, po përgjithësisht, pranohet se marrëdhëniet me librin, me leximet artistike, zënë fill në vitet e para të shkollimit.

40FE806100000578-4562400-image-a-40_1496317780277-1-634x358-480x271

Në anketimin “Lexues të fortë dhe të ‘dobët’”, janë pyetur rreth 1100 nxënës në Shqipëri dhe 1000 nxënës në Maqedoni, po kaq edhe në Itali. Anketimet u kryen në qytete e në zona periferike, në grupmoshat 6–10 dhe 11–16 vjeç. Për të analizuar shprehitë e leximit të fëmijëve po përgjithësojmë disa prej rezultateve të anketimit:

• Kur prindërit lexojnë, ka më shumë gjasa që fëmijët të bëhen lexues të fortë. Mbi 60% e të anketuarve në Shqipëri që lexojnë, shprehen se prindërit e tyre lexojnë! Kjo shifër rritet me rreth 10% në Itali.

• Grupmosha që lexon më shumë është 9–12 vjeç (59%). Dukshëm, vajzat lexojnë më shumë se djemtë, dallim gjinor që vjen e theksohet edhe në moshë më të rritur.

Në lidhje me pyetjen se çfarë zhanri letrar lexoni: fëmijët në Shqipëri, si edhe në Itali e në Maqedoni parapëlqejnë, sipas grupmoshave:

– rreth 70% përrallat, për fëmijët nga 6–10 vjeç; dhe

– librat me aventura për fëmijët nga 11–16 vjeç.

Librat me “princesha, zana, heronj, aventura e Pepa Pig etj.”, për grupmoshën 6–9 vjeç, si dhe librat me aventura e me mistere për moshën 11–16 vjeç, janë librat më të parapëlqyer për fëmijët.

Në Itali, një nga veçoritë e marrëdhënieve të fëmijëve me librin është se 2/3 e tyre pohojnë që shkollat e tyre zhvillojnë veprimtari letrare që promovojnë leximin përmes takimeve me autorë, pjesëmarrjes në festivale për të rinj, panaire e shumë forma të tjera. Siç thotë Umberto Eco: “Ka lindur moda e festivaleve! Nganjëherë ‘të tepruara’ në Itali” (Pape Satan Aleppe). Por nuk ndodh kështu për fëmijët tanë dhe situata të ngjashme hasen edhe në Maqedoni.

Interesante është të shënojmë frekuentimin e bibliotekave nga fëmijët:

– Në Itali mbi 60% e fëmijëve nuk shkojnë në bibliotekë e diçka më shumë se 30% e tyre e frekuentojnë atë.

– Në Maqedoni 1/3 e nxënësve frekuentojnë bibliotekën e qytetit ose të shkollës.

– Në Shqipëri, çështja e bibliotekave publike dhe shkollore hap një temë të gjerë diskutimi. Fëmijët tanë ende nuk e kanë të krijuar këtë marrëdhënie ose e kanë shumë pak në krahasim me vendet e tjera, sepse organizimi dhe funksionimi i bibliotekave tona ka mjaft probleme, që lidhen me disa faktorë, e në radhë të parë me varfërinë e titujve që ofrojnë ato, veçanërisht bibliotekat e shkollës e ato publike, me vendin e papërshtatshëm, përkushtimin e mësuesit a personelit bibliotekar etj., duke mbetur shumë vite pas.

Te ne dhe në vende të vogla, përgjithësisht, lexohet më shumë letërsi e përkthyer. Mbi 80% e fëmijëve tanë shprehen se librat që parapëlqejnë më tepër janë prej autorëve të huaj, sepse:

image-1

– Botohen shumë më tepër libra të përkthyer me tematikë tërheqëse;

– Janë të shkruar më bukur;

– Lexojmë librat që lexojnë bashkëmoshatarët e tyre në botë.

Gjithsesi, në Shqipëri, po edhe në vende të tjera, ka një bindje se për shkak të shumë faktorëve të njohur, e sidomos atyre lokalë, fëmijët lexojnë më pak. Ndajmë të njëjtin mendim me kolegët italianë e ata maqedonas se shprehitë e leximit janë të kushtëzuara dhe përforcohen në shkallë të lartë nga mundësitë për të zhvilluar punë konkrete që u pëlqejnë fëmijëve (kurse, laboratorë, takime me autorë, artistë, botues etj.). Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë të natyrës gjeografike, kulturore, sociale e familjare. Mes këtyre, vendin e parë e zë roli që luan shkolla dhe niveli socio-ekonomik.

Gjendja ekonomike duket se ka ndikuar në rënien e dëshirës për të lexuar. Sigurisht, financat kanë peshën e vet domethënëse, por, sipas nesh, një ndryshim në treguesit e të ardhurave, nuk do të përkthehej domosdoshmërisht me rritjen e shitjeve të librave apo me rritjen e leximit. Përmirësimi i gjendjes ekonomike nuk përbën të vetmin kusht të domosdoshëm që do të sillte përmirësimin ose përkeqësimin e gjendjes së leximit. Ndikimi i teknologjisë, mundësia për të bërë aktivitete të tjera tërheqëse, si dhe mungesa e promovimit të leximit janë faktorë me rëndësi për këtë gjendje, e në këtë kontekst, puna me fëmijët për të krijuar shprehi e kulturë leximi mbetet misioni ynë kryesor

Promovimi i librit për fëmijë në Shqipëri

Salanos (Itali) paraqiti përvojën e saj, duke theksuar se rezultatet e nismës “Lëvizja”, të viteve ’80, për libra xhepi dhe me çmime të lira për lexuesin e vogël, po ndihen/përdoren edhe në ditët e sotme. Lëvizje të ngjashme ka pasur edhe në vendin tonë, në kontekstin e fushatave sensibilizuese, në kryeqytet e shumë më pak në rrethe; pa mundur të kthehen në lëvizje periodike, mbarëshqiptare e me rezultate të matshme.

Nga anketimet e krahasuara, por edhe nga intervistat me bibliotekarë, librarë e prindër, del e qartë se fëmijët lexojnë më me dëshirë, kur:

– ata e zgjedhin librin vetë dhe ai u përshtatet interesave të tyre;

– shohin që mjedisi përreth ka libra;

– libri nuk mbaron në faqen e fundit, por është intrigues e zbavitës;

– libri krijon mundësi për diskutim me shokët apo mësuesit.

Është e rëndësishme të theksojmë arsyen e tërheqjes ndaj këtyre leximeve (të librave jashtëshkollorë, të librave artistikë), e cila ka të bëjë mirëfilli me formimin e shijeve artistike e me thelbin e artit. Lexues nuk bëhesh rastësisht! Me të drejtë, Roald Dahl thekson se rëndësia e librit, të lexuarit për qejf, për emocion e kënaqësi, për të mësuar gjëra të reja, për t’u futur në botën e aventurave, e për të krijuar një botë të dytë, për të mësuar se si të veprosh në situata të njëjta, për të kaluar kohën… etj., duhet shpjeguar, promovuar e mbështetur.

Fëmijët edukohen të lexojnë nëse kjo bëhet pjesë e strategjisë institucionale, duke filluar që nga arsimi parashkollor, veçanërisht në shkollën 9-vjeçare. Siç evidenton Umberto Motta, problemi i formimit të kulturës së leximeve letrare është çështje skolastike, natyrisht, e lidhur me projekte edukative që përcillen në çdo cikël arsimor.

Jemi në një mendje me analizat e rezultateve të anketave në Itali, përmes së cilave del në pah “Domosdoshmëria e krijimit të një sistemi informativ cilësor, shkollor e universitar, i aftë për të vepruar në përputhje me mundësitë reale të grupeve të ndryshme sociale. Rëndësia e shkollës në procesin e “mësimit dhe të konsolidimit të kompetencave të leximit është i padiskutueshëm, shkolla është vendi ku libri ofrohet në letër, në format miks e digjital; në shkollë, nxënësve u ofrohen tekste të ndryshme, të gjinive të larmishme, të botuesve të ndryshëm, bazuar në një proces didaktik të mirëstudiuar, me synimin për të përfituar një metodë leximi e kërkimi autonome. Edhe pse shumë shoqata kulturore zhvillojnë veprimtari të rëndësishme lidhur me shprehitë e leximit, shkolla përfaqëson çelësin kryesor në formimin e lexuesit”.

Në vështrim të parë, duket sikur shkolla interesohet për çdo gjë: bulizmin, paragjykimet raciale, turizmin etj., madje edhe të drejtën e autorit e ka përfshirë në projektet e veta, por për leximin flitet pak, shumë pak. Mungon inkurajimi për nxënësin; orët letrare janë të pakta; titujt që rekomandohen janë të kufizuar e të diskutueshëm. Mendojmë se midis faktorëve kryesorë që pengojnë leximin është mungesa e politikave shkollore të edukimit të leximit.

Do të doja të shënoja këtu përvojat e shkrimtarëve italianë e atyre të rajonit për takimet periodike në shkolla me lexuesit e vegjël. Ata kanë rolin aktiv përmes veprimtarive intensive, (pothuajse dhjetë takime në muaj me nxënësit), por bëjnë thirrje: “…të nderuar mësues, bibliotekarë apo çfarëdo roli që keni brenda zinxhirit të edukimit të fëmijëve, duhet të mësoni si funksionon një takim midis meje dhe nxënësve!”. Dhe, a e dini se cili është kushti i tij i parë: Që mësuesit ta kenë lexuar e madje diskutuar më parë librin me nxënësit.

Prandaj, shkollat tona dhe drejtuesit e tyre, madje vetë mësuesit e prindërit, duhet të jenë të hapur, bashkëpunues e nismëtarë kryesorë të projekteve të leximit. Shkolla komunitare, si koncept teoriko-strategjik qëndron mirë, po duhet punuar shumë më tepër për takime të mirorganizuara mes autorëve, përkthyesve, botuesve etj., me lexuesin/nxënësin, që ato të mos mbeten në kuadër të takimeve spontane. Gjithashtu, numri i vogël i librarive apo shpërndarja e tyre vetëm në qytete të mëdha; politikat e pamjaftueshme në drejtim të inkurajimit të editorëve, po nga ana tjetër, pa përjashtuar edhe rastet e botimeve jocilësore etj., janë faktorë që bjerrin leximin.

Disa rekomandime:

– Libri, biblioteka e shkollës/qytetit, promovimet në shkollë, rekomandimet e mësuesve, bisedat për librin, projektet për letërsinë, konkurset letrare, laboratorët e krijimit, nismat e ndryshme mbi leximin, nuk duhet të jenë objekt fushatash, por pjesë kryesore e programeve shkollore.

– Pasurimi i bibliotekave shkollore, mbështetja financiare e morale e tyre mbetet prioritet primar. Shembulli i nxënësve të një shkolle në vendin tonë që kanë lexuar të gjithë ata pak tituj që gjenden në bibliotekë është tregues i fortë. Një bibliotekë me tituj të rinj josh lexuesin!

– Te ne, Biblioteka Kombëtare kryen edhe funksionin e bibliotekës publike, ndërkohë që kryeqyteti i vendit nuk ka një bibliotekë publike me funksion parësor lexueshmërinë për anëtarët e saj dhe fushatat e promovimit të librit dhe leximit. Ka qytete e rrethe pa bibliotekë, ka shkolla pa biblioteka, siç ka edhe qytete pa librari. Ndërsa në vendet e tjera po u kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje bibliotekave reale, multimediale e virtuale, ku lexuesve u ofrohen mundësi huazimi pa u paraqitur personalisht dhe pa kërkuar dokumente për verifikim, në vendin tonë prej shumë vitesh situata nuk ka përmirësim e me ç’duket as shenja përmirësimi.

– Politikat e pavarura shkollore mbi kulturën e leximit theksohen te të tria anketimet, në Itali, Maqedoni e Shqipëri. Inkurajimi i formave alternative të leximit, nën moton i rëndësishëm është leximi dhe jo formati i leximit, është detyrë sa institucionale, aq edhe qytetare.

– Politikat institucionale për inkurajimin e leximit dhe botimit, siç janë: ulja e taksave për librat artistikë, bonuse për përfitimin e librave për grupe sociale të caktuara, si dhe pasurimi i titujve në bibliotekat publike e atyre shkollore, do të bëjnë që këto institucione të gumëzhijnë nga lexuesit/fëmijët.

– Krijimi i organizmave letrarë dhe konkurseve ku të vlerësohen krijimet më të mira në poezi e prozë për nxënësit është një nga rekomandimet që theksohet në raportin e të tre partnerëve të Projektit “Lexuesit e së ardhmes”.

– Organizimi i panaireve dhe festivaleve të librit dhe leximit. Mbajtja e panaireve tematike ku fëmijët të kenë mundësi të bisedojnë drejtpërdrejt me autorë, përkthyes e botues të letërsisë artistike për fëmijë e të rinj.

– Përmirësimi i cilësisë së propozimeve editoriale, si për nga përzgjedhja e titujve, edhe nga cilësia e përkthimit, janë, gjithashtu, faktorë që rrisin lexueshmërinë.

– E së fundmi, por jo nga rëndësia, është inkurajimi i kritikës letrare, recensioneve, klubeve letrare, këndit të librit, këshillave të leximit.

Duke folur për të rinjtë dhe kënaqësinë e humbur të leximit, një nga shkrimtarët e njohur bashkëkohor, Daniel Pennac, shkruan se: “Përgjigjet janë të shumta: zakonisht fajësohen televizionet, video-lojërat, kompjuterët dhe, në përgjithësi, të gjitha teknologjitë e reja, por edhe shkolla dhe shoqëria e konsumit shpesh konsiderohen përgjegjës. Duke i konsideruar këto shkaqe objektive, shohim që na çlirojnë nga çdo përgjegjësi subjektive: Është gjithmonë faji i të tjerëve dhe i një sistemi, mbi të cilin nuk kemi kontroll. Shumë e lehtë!”

Por, gjithkush duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

*Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, UT Autore e teksteve shkollore)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura