“Anketa tregon se 54% e qytetarëve e lexojnë gabim vlerën e lekut” – Banka e Shqipërisë çel fushatën ndërgjegjësuese për mospërdorimin e termave të gabuar “lek i ri” dhe “lek i vjetër”

Nov 18, 2021 | 8:44
SHPËRNDAJE

“Monedha jonë nuk është as e vjetër e as e re, por është thjesht lek”, kështu u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë fjalës së mbajtur dje në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht lek!”.

gentsejko

Kjo iniciativë e re e Bankës së Shqipërisë ka si qëllim ndërgjegjësimin e publikut për mospërdorimin e termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër”. Përveçse është e gabuar, një terminologji e tillë ka shkaktuar jo pak konfuzion te qytetarët, duke u kthyer heraherës edhe në burim për keqkuptime. Monedha shqiptare, vë në dukje Banka e Shqipërisë, quhet thjesht lek dhe vlera e saj është ajo e shkruar mbi monedhë apo kartëmonedhë.

“Reforma monetare e vitit 1965 solli zëvendësimin e kartëmonedhave të mëparshme lek me kartëmonedha të reja, në raportin 10 me 1, duke ndryshuar në të njëjtën shkallë shprehjen e çmimeve, pagave dhe të çdo veprimi tjetër financiar. Pra, që prej asaj kohe, një pjesë e mirë e publikut nuk është përshtatur ende me këtë ndryshim dhe komunikon me ‘lekë të vjetër’, duke shkaktuar konfuzion në komunikimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve dhe leximin e drejtë të treguesve ekonomikë e financiarë”, tha guvernatori Sejko.

ANKETA

Të dhënat e një ankete të realizuar nga BSH tregojnë se 54 për qind e qytetarëve e lexojnë apo identifikojnë gabim vlerën e lekut.

“Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 lekëshe, më shumë se gjysma (54%) e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në ‘lekë të vjetër’. Situatat apo ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin rëndom, në mbi 80% të rasteve, me “lek të vjetër” janë kryesisht ambientet joformale apo familjare: dyqanet e vogla apo tregjet e fruta/ perimeve; bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik. Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jobanka etj.) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%), megjithëse mund të pritej që këto shifra të ishin edhe më të ulëta”, shtoi Sejko.

Sa i përket analizës sipas grupeve socio-demografike, rezultatet e vrojtimit tregojnë se vlerën monetare në “lekë të vjetër” e komunikojnë më shpesh meshkujt; personat e moshuar; individët me nivel më të ulët arsimor; individët joaktivë në tregun e punës; si dhe ata me nivel të ulët të të ardhurave familjare.

Pikërisht këto grupe të identifikuara nga vrojtimi do të përbëjnë edhe fokusin e projekteve ndërgjegjësuese të fushatës për eliminimin e përdorimit të terminologjisë së gabuar “lek i ri/lek i vjetër”.

FUSHATA

Bazuar në këto gjetje, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese gjithëpërfshirëse, e cila do të shtrihet në kohë dhe do të prekë grupe të ndryshme interesi. Fakti që ky keqpërdorim, sipas Sejkos, është trashëguar në të folurën e përditshme dhe i ka rezistuar kohës për mbi 55 vjet, dëshmon që përpjekjet sporadike dhe të izoluara të një institucioni të vetëm për ta korrigjuar fenomenin nuk mjaftojnë.

Në përfundim të aktivitetit, në emër të Bankës së Shqipërisë, guvernatori ftoi të gjitha institucionet e lartpërmendura që t’i bashkohen angazhimit të Bankës për të ndërgjegjësuar publikun shqiptar për të lënë pas njëherë e përgjithmonë përdorimin e kësaj terminologjie të gabuar në marrëdhëniet ekonomike e financiare, me bindjen se ka ardhur koha ta kthejmë atë përfundimisht në një relikt linguistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura