Ankesat e Ditmirit për marazet që shokëve u ndeza në gji!!

Aug 16, 2022 | 15:49
SHPËRNDAJE

agrongjekmarkaj

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Pikërisht kur isha bindur që do të kaloja një verë pa trazime  si rrufe në qiell të kalter me mberriten qortimet e Ditmirit ish ministrit të jashtëm paraardhësit  të evlatit Gent Cakaj  për shumëkënd që e ka harruar djalken vështrim perhumbur nga Kosova të cilin na pat sjelle Batoni për të rregulluar Ballkanë e trazuar paq ! Merzitë e tij pak a shumë mbushnin këta shakuj !

Në kohen që Shqipëria ka nevojë për unitet , për një skuadër grusht bashkuar rreth Babos  ti hedh benzinë në pasionet meskine të atyre që duan të bëjnë karrierë brenda nesh !!

Se sheh qametin që po vjen , mos u hiq si qyryk ?! Shokun Niko e ke lënë pa gjumë ndonëse  mes flakëve i përcëlloi qerpikët dhe kaloi verën  duke luftuar si Shën Gjergji me Kuçedrën ! Ai i bën per idealizëm keto punë se nuk e ka për gjë të thyej karrigen si Braçja kur pat ikur. Nuk e njeh ti Niko qerratanë në zemërim!

Shokun Çuçi e ke bërë më të menduar . Shoqen Elisë më të distancuar ! Shoqen Elvi më të përhumbur! Të heshtur shoqen Ogerta. Vetëm Bora argëtohet, tani të  di dhe emrin , thotë ja erdhi xhaxhi shakaxhiu!  Po kaq Taon si natyrë shumë emotive por edhe gjithë qeverinë se kujt do ti zërë vendin e sidomos grupin parlamentar kush do të jetë pasuesi. Per Taon zihen në parti si qytetet greke per Homerin.

Si gojëprishur që je Tezen e cila aq shume të ka dashur ty dhe mua e që vazhdimisht me merr në telefon edhe pse nuk jam më ministër, po kaq. Ajo krejt boten e sheh me idealizem ndesa ti e ke trazuar, e thartuar si kumbull të papjekur duke yshtur Babon që ti bëjë këpucët! Kaq ta bësh dhëmbin ti se Babo e zë lepurin me qerre nuk pyet për peticione.

Ti cingun e zemërngushte nuk i njohe kontributin Krifces për akademine  e barinjve, berberhanen e deshve, dhe maternitetin e deleve  pas nderzimit online dhe po kaq ndjell Klosin  i cili përton ti zërë vendin duke injoruar luftën e Braçes kundër saj. Pse ty Erjon virani të duket kaq idealist sa i bën ato interpelanca për hiç gjë? Hë hë hë është si kacamiser ay bren ngadalë dhe di ku del !

Po hallë Ikonomin atë xhanane zonjë, që kaq byrek  e petulla ka bërë për kronikat e tua të çartura, që kërkon me doemos ta zëvendësosh me Etilden në mënyre që ajo e gjorë të humbasë mburojën e Tonit dhe përballe asaj opozitë ogurzezë të përvëlohet nga sulme  e shikime noprane.

Apo nuk është ai Salianji mortja në bankë të parë që e ka llafin krupë  !! Nuk mund të jesh kaq i pashpirtë me Bleron e dashur, me lotin smeral tek dënes mbyturazi për sukseset e mazhorances kur ajo përmirësohet, dhe rritet ne besim duke lexuar e mbajtur shënime mbi fjalimet e Elises si linje mendimi e aksioni politik.

Gjeneralin e mirë Kollçaku i cili mund të kurorëzohej President para Bake xhanit  e bën të harxhojë  per kostume të reja, ndërkohe duhet të shikosh veten se çfarë kostumi do veshësh se boll u more me qyfyre, je votuar për të bërë politike, të madhe madje!! Të gjitha do ti falja e hallall do ti bëja por jo zhgënjimin që i ke sjellë Mimi di Puccini !! Ti do që Pandi ti zërë vendin si Kryetar i komisionit të jashtëm  qëkur ajo të sfidoi me të shkuarën e saj kur lexonte  Danten  pas buke  e përlotur për fatin e kont Ugolinit dhe violinën që  i binte para si aperitiv, sepse ti kulturën e ke forme dhe ajo thelb, stil jete!!!

Po shokun Damo atë flori djalë  që nuk prish qejf as me dushmanin pse nuk e le rehat të pushoje atje në Himarë do ta bësh hasem me se s’bën duke e projektuar në qeveri perseri e t’ja nxjerrësh Doktorit në pritë si dash kurbani!! Apo ju të partisë suaj i keni qejf desherit që theren nëper porta si atëhere kur Babos i hoqët nga dora Bashkinë?!!!

Ai me tha eja në kongres mbi zetor , s’ka rendësi në është me jonxhe apo silazh , eja dhe fol. Ti do të me fusësh në ngasje po mirënjohja ime është e pakufi për Damon që u përpoq dhe Babon që pranoi.

Një gjë se kuptoj ! Shokun Ulsi i vetmi nga veriu me portofol ti ma nxjerr si djaloshin Verter që nduk faqet e çirret se iku Bela në vend që në pah të nxirrje anën e tij epike , ta krahasoje me Hajredin Pashën në shërimin e plagëve në reformën në drejtësi pas zbulimit të grupit armiqësor të Xhafes.

Çudi si kërkon që Ibrahimi të bëhet ferrë në këmbët e Babos dhe ai ta heqë, si qimen nga mjekra, kur ne fakt me kukurimat e saj ajo është hudhra e ekzekutivit , nuri i tij dhe jo Bela qe një ditë Bogdanin thirre në ndihme për ta përkufizuar !!! Duhet ta dish anësia jote ndaj Beles ka rënë në sy dhe po hap debat  si tek dy partitë e tua ashtu edhe tek e jona sepse ti si pedagog duhej ti gjendeshe Evisit dhe Elvit megjithëse lavdia e tyre s’ka nevojë për asgjë e jotja po për të tyren!!

Një qortim të rreptë mund ta hash dhe nga Grida  për devijim estetik sapo të vesh këmbë në parlament e ndoshta edhe nga Luli për ulje të shpirtit opozitar. Jorida do mjaftohet veç në indiferencë të përvuajtur si nata që ta kuptosh vetë se ç’ke bërë!

Ndërsa po të zuri Albana pisk e ke se do hash ndonjë dackë, ka dorë të rëndë e uruara!

Me romuzet e tua të pacipa  u ke prerë hovin të gjithë atyre që duan të shprehin ndjenjat e tyre me poezi për Babon duke i bërë atentat kulturës së epërme. Së fundi përgojove një nga perlat e poezisë shqipe me aq pasion e dliresi të shkruar nga Bora  të titulluar “Babo dhe shiu”!  Bilali kishte gati antologjinë ” Babo dhe vjeshta” tani zor se e boton. Po kaq i pasigurtë është fati i epit të ri “Skenderbeu i pafan” që Elisa nder vite latoi !!

Mjaft nga shoket pas kesaj janë kompleksuar dhe unë vetë ndjeva dridhje dore në rreshtin e dyte dhe e lashë sapo doja të bëja një me rimë!

Po nuk perjashtoj mundësinë që edhe shoku Fatmir të pesojë stepje se ai si nga Vlora i bën me rime  dhe me eeeee në mes që të jenë hazer edhe si tekste kengesh labe.

Ish Kryeministri Majko që i ka qejf partizanet  dhe model sjelljeje gjatë ketij shtatori betejat e Babos mund ti krahasonte me kalimin e Shkumbinit  në shtypje të reaksionit që po zien si kaçamak. Me hipotezat e tua plot helm ke ndikuar edhe tigrushin që të jetë vetvetja në kujtime dhe i ndrydhur  në lirizem. Ai si Çald Haroldi pranë Ali Pashait mund të rrefente embelsinë e viteve pranë Babos dhe marzin e ndarjes me të.

Ti që me hiqesh si mik në vend që ti bësh letra të mbyllura e të hapura Babos që ai të japë një shenje faljeje e në shtator të hapë zemrën i kujton atë ditë të zezë kur nuk hypa në makinën e tij .

Ju të gjithë mendoni se refuzova për kryengritje kur ajo ishte përulësi, nuk ndihesha i dënjë të ulesha pranë tij me dertet me të cilat ja mbusha hejbet teksa ai në mendje kishte Shqipërinë e së ardhmes.

Rrugeve të botes teksa me traste në krah shkoj sa në një vend tek një tjeter rri dhe mejtoj per shoket, per idealet e tyre, perpjekjet dhe betejat që ata bëjnë! E sidomos në keto ditë gushti në kanë gjetur ndonjë plazh të pazënë ku të vendosin çarçafet me kater hunj që ti ikin diellit e djegies dhe a kanë menjanë ndonjë kacille për  buk , djathë e bostan!? A mos Alket Hyseni ju gjindet pranë me ndonjë broke ujë kroi? A mos Shalsi si sportiv peshkon me rrjeta dhe  pjekin qefull nën pisha ? E do merakosesha edhe për të tjeret po kush i njeh tanimë të gjithë ?!

Desh harrova zonjen Lindite që mu thaftë goja psherëtiu! Kushedi ku është mbyllur e thote , kaloi dhe kjo vetë, prite Zot rrezikun e ruana nga njerzit e këqij !  Vëmendja, malli, mbështetja dhe krenaria ime është e gjitha per ta! Unë shoket dhe Babo jemi një ! Nuk na perçau Doktori, Luli, Iliri me  revolucionet që bënë  e as me ato që po farketojnë e jo do ja dalësh ti me ca palo intriga publicistike !!! Rroftë Babo, Rrofshin  shokët dhe të gjithë poetet e politikes që po shtohen dita dites! Keshtu si ja ke nisur do vesh në diskutim edhe vetë Babon që mos bëfsh hajer !

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura