Ankesa për provimet, AKP: Merrni kopjen, s’ka rivlerësim

Jun 28, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Disa ditë pas përfundimit të provimeve, maturantët nxjerrin në pah një sërë pakënaqësish, që nga kushtet e zhvillimit të testimeve e deri te vlerësimet.

maturante

Për rezultatet e marra deri më tani, Gjuhën e Huaj dhe Letërsinë, ata pretendojnë se dy duar korrigjuesish nuk kanë bërë vlerësimin sipas skemës së publikuar online, ndërsa shprehin rezerva për provimet me zgjedhje, për disa prej të cilave nuk janë publikuar ende përgjigjet e sakta.

Revolta e tyre shkon deri aty sa zgjidhjen ta shohin te studimet jashtë vendit. “Rezultatet që morëm në provime nuk përputhen aspak me ato në tri vite gjimnaz. Do të ikim të vazhdojmë studimet jashtë, është e pamundur këtu. Edhe po të mësosh, duket sikur duan të na lënë të gjithëve pa shkollë”, shprehen një grup maturantësh të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet. Nuk ka vonuar shumë reagimi indirekt i Ministrisë.

Po dje, në faqen e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, është publikuar njoftimi i përvitshëm që u rikujton maturantëve se kanë të drejtë të marrin një kopje të testit me përgjigjet dhe vlerësimin, ndërsa theksohet sërish se nuk do të ketë rivlerësim të tij.

Thënë ndryshe, ky formalitet nuk do të ndikojë aspak në rezultatin final, i cili mbetet i pandryshueshëm. “Në bazë të nenit 28, pika 8 e Rregullores së Maturës Shtetërore 2016: Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH- së, e cila do t’i kthejë dhe përgjigje.

Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë”, sqarohet në njoftimin e agjencisë. Bashkangjitur njoftimit për kopje të testit, ankuesit gjejnë edhe faturën përkatëse në vlerën e 400 lekëve, e cila shkon për llogari të agjencisë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura