Anjeza Dyrmishi & Endrit Bardhi, fotografë në çdo stinë

Aug 11, 2014 | 14:45
SHPËRNDAJE

Nëse mendoni se janë fiktive prenotimet një apo dy vite përpara, jo vetëm e keni gabim, por do të thotë gjithashtu që për dasmë as e keni syrin fare. Të paktën jo që të jeni ju njëri nga protagonistët, sepse si të ftuar vështirë se mund t’i shpëtoni më shumë sesa një ftese në sezonin e verës. Fotografja Anjeza Dyrmishi na tregon se qysh tani kanë nisur prenotimet për në shtatorin e ardhshëm e madje se ka përpjekje edhe për të mbyllur ndonjë datë në 2016, por që as ajo e as i shoqi, Endrit Bardhi, gjithashtu fotograf, nuk e kanë marrë përsipër. Të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është fotografia, që do të përfaqësojë vite të tëra të mëpasshme ditën më të bukur të jetës. Deri ca kohë më parë dukej se ishin vetëm teka të nuses për të zgjedhur sa e sa fustane, vende të veçanta e poza si të divave të Hollivudit. Jo, sot është njësoj e rëndësishme edhe për dhëndrin. Përfshihen të dy në një lojë që zgjat ditë të tëra e që i bën të ndihen të paktën një herë në jetë aktorë të vërtetë. Me këtë skenar, Anjeza Dyrmishi dhe Endrit Bardhi përballen përditë. Sidomos këta muaj. “Jo se fotografitë e dasmave ndërpriten ndonjëherë, në cilindo muaj të vitit, por duke nisur nga muaji maj e deri në fund të shtatorit mund të themi që është kulmi i sezonit. Mund të ketë dasma edhe përditë, ju e dini që s’po i qëndrojnë më besnik të gjithë të shtunës e të dielës kur zakonisht jemi mësuar të jenë ditë dasmash. Për shkak të intensitetit, puna bëhet gati e papërballueshme”- dhe kur e thotë këtë Anjeza, është lehtësisht e besueshme po të mendosh që në shtëpi e pret një bukuroshe vetëm gjashtëmuajshe, të cilën nuk ka kohë ta shohë aq sa do të donte. Deri një vit më parë, kur e kishte ende brenda vetes, ishte e sigurt e nuk e kishte ndalur ritmin e punës. Sot, mjaftohet ta shohë vetëm pas orëve të gjata që ka kaluar pas objektivit të aparatit fotografik. E, nëse mendoni që meqenëse e ka të shoqin pjesë të profesionit dhe i lehtësohet puna, nuk është kështu. Secili prej tyre ka klientët e vet. Patjetër, ndodh të punojnë edhe bashkë, por përgjithësisht i kanë punët të ndara. Mbase edhe prandaj funksionojnë kaq mirë. “Me Endritin njihemi thuajse që fëmijë, punojmë bashkë prej shumë vitesh. Unë kam nisur të merrem me fotografinë pak më herët, për rrjedhojë edhe të studimeve për multimedia në Akademinë e Arteve, por kryesisht për shkak të pikturës që ka lindur bashkë me mua. Kam pikturuar që në moshën 5-vjeçare. Sot është e vështirë të kem ende kohë për pikturën, por ajo gjithsesi ngelet prezente në çdo fotografi që bëj. Ngjyrat, kompozimi i fotografisë, janë nën ndikimin e pikturës. Me këtë dua të them që fotografia nuk ka ardhur rastësisht në jetën time e as në atë të Endritit”. Sa për konsulta a shkëmbim mendimesh në dobi të cilësisë së imazhit, asnjëri nuk kursehet t’i japë tjetrit. E kjo nuk ndodh vetëm brenda çiftit, janë vazhdimisht në kërkim të ideve më të mira a kritikave nga të gjithë kolegët. Natyrisht që këtë e bëjnë në një sezon pak më të ngeshëm, sepse deri në fund të shtatorit i kanë minutat e numëruara edhe për të parë të voglën e tyre…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura