Anila Rubiku, stilistja shqiptare e Borsalinos

Sep 24, 2012 | 14:30
SHPËRNDAJE

Pjesëmarrja në Bienalen e Venecias qëlloi me fat për artisten shqiptare, Anila Rubiku, diplomuar në Akademinë e Brerës. Tashmë ajo është krijuesja e koleksionit të kapelave për firmën italiane të modës, Borsalino, për sezonin vjeshtë-dimër 2012-2013

Çfarë kanë të përbashkët bunkerët me kapelat? Veç formës, i bashkon emri i Anila Rubikut, artistes shqiptare që vjet çoi të parët në Venecia, ndërsa këtë vit ka krijuar një koleksion të kapelave për firmën italiane të modës, Borsalino, për vjeshtën e dimrin 2012-2013. Anila ka lindur në Durrës e prej viteve ’90 jeton në Milano, ku erdhi për studime. Ajo tregon se edhe si studente nuk e kishte të lehtë t’i shpëtonte opinionit të krijuar nga mediat mbi shqiptarin, dhe se vuajti sa çdo bashkatdhetar i saj paragjykimet e racizmin: “Sapo ndizje televizorin, dëgjoje vetëm lajme mbi shqiptarët: prostitucion, drogë, emigrantë. Kur më pyesnin se nga vija e kur tregoja kombësinë time, isha e lidhur menjëherë me këtë imazh…”, tregon ajo sot.
Studimet e para i ka bërë në Durrës, ndërsa në Milano ka ndjekur Akademinë e Brerës. Sot është artiste e afirmuar që ekspozon në të katër anët e botës: Angli, ShBA, Izrael, Zvicër, Ukrainë. Kur e pyet se si ndihet sot, të thotë natyrshëm se nuk i pëlqejnë kufizimet gjeografike, ndaj edhe projekti që paraqiti vjet në Venecia kishte për titull “Është më mirë të jesh qytetar i botës, sesa vetëm i një kombi”. Por megjithatë mbetet shumë e lidhur me Shqipërinë e veçanërisht me gjuhën shqipe: në një nga instalacionet e saj shkruan “Personi që mohon gjuhën e tij për të adoptuar një tjetër, ndërron identitet e pëson zhgënjime”.
Së fundi keni nisur një bashkëpunim me Borsalino për koleksionin e ardhshëm vjeshtë/dimër 2012-2013. Si lindi bashkëpunimi?

Anila Rubiku në Bienalen e Venecias

Ky projekt lindi pas një eksperience pozitive për të dyja palët,  për mua si artiste, ashtu edhe për fondacionin “Borsalino” në Pavijonin Shqiptar në rastin e Bienales së 54-t të Venecias, që u zhvillua në qershor-nëntor 2011. Unë paraqita instalacionin e ri “Hats Protect Ideas” të përbërë nga 62 kapela. Borsalino S.P.A më kontaktoi për të bërë një Capsule Collection Uomo 2012-2013 të titulluar “Borsalino dà i numeri”, i cili u paraqit në janar tek Pitti Uomo 2012 në Firence, një ndër aktivitet ndërkombëtare më të rëndësishme të modës. Për herë të parë unë krijova një linjë mode. Ky projekt mbart jo vetëm vlerat e një marke “Made in Italy”, siç është Borsalino – një markë historike italiane, por edhe të tjera, si p.sh.: artin bashkëkohor, kulturën e historinë time si artiste. Këto vitet e fundit arti dhe moda janë të lidhura gjithnjë e më tepër. Kufiri që i ndan është shumë i hollë e shpesh njëra ndikon tjetrën. Gjatë gjithë realizimit të projektit më kujtoheshin momente të së kaluarës, si për shembull durrsakët e vjetër, kur dilnin të dielave në mëngjes nga Vollga thoshin “ai zotëria atje me borsalinën në kokë”. E për një durrsak një borsalinë është një Borsalino e jo çfarëdolloj kapele.
Çfarë përfaqëson kapela për ju? E keni pasur temën tuaj edhe vjet në Bienalen e Venecias.
Historikisht në cilindo besim fetar, kulturë, gjini, vend, të varfër apo të pasur, koka është e mbledhur/mbuluar.
Po shpjegohem më mirë: kur i lutesh Zotit, në shenjë respekti ndaj tij, në kishë, xhami apo sinagogë, funksionon i njëjti rregull: koka duhet të jetë e mbuluar, me një kapelë, shami, qeleshe, kippah. Një mbret, mbretëreshë, fshatar, qytetar apo malësor historikisht gjithmonë kanë pasur një kapelë apo kurorë në kokë. Shpesh kapela ka qenë një objekt për të dalluar klasën, fenë apo kulturën së cilës i përket një person. Sot kapela si objekt ka vlera të tjera që janë shtuar me kohën. Jemi në 2012-n, por nuk ka humbur kurrë cilësinë për të cilën ka lindur: “të mbrojë kokën” nga shiu, era, i ftohti, i nxehti, por edhe të mbrojë idetë që janë brenda një koke: “Hats Protect Ideas”, siç quhej edhe instalacioni im i paraqitur në Venecia. Në instalacionin e Bienales së Venecias keni çuar 62 kapela burrash, mbi të cilat gra të huaja me banim në Itali kanë qëndisur secila një frazë.
Cili është filli që i lidh ato shprehje, ç’keni gjetur të përbashkët e të veçantë?

“Hats Protect Ideas” e Anila Rubikut

Ftova disa gra, që kanë emigruar e jetojnë në Europë, të merrnin pjesë ne projektin tim të Bienales, duke qëndisur historinë e tyre personale të emigrimit mbi 62 kapelat e prezantuara. “Një fije e një gjilpërë” që lidhi këto gra, ishin problemet e tyre të emigrimit, duke jetuar në vende të ndryshme. Një histori e treguar pikërisht nëpërmjet një fijeje e një gjilpëre.
Pse në njërën prej kapelave tuaja keni zgjedhur të shkruani:
“Everybody I met in those years asked me if I came with a boat like all the Albanians arrived in Italy. My only fault was being in Italy. It was OK for me to become a prostitute but not an Artist”?
Po, kjo frazë është qëndisur mbi një nga 62 kapelat. Flasim për vitet ‘90. Emigracioni shqiptar në Itali ishte një fenomen i jashtëzakonshëm. Situata nuk ishte e lehtë për një shqiptare studente si unë në ato vite në Milano. Sapo ndizje televizorin, dëgjoje vetëm lajme mbi shqiptarët: prostitucion, drogë, emigrantë. Kur më pyesnin se nga vija e kur tregoja kombësinë time, isha e lidhur menjëherë me këtë imazh…, por koha është ilaç për të gjitha gjërat.
Në instalacionin tuaj me titull “Lanscape Legacy” 2012 keni kaluar nga kapelat te… bunkerët. Në formë shumë të ngjashme, edhe pse si objekte përfaqësojnë dy botë shumë të largëta mes tyre. Çfarë mendoni se përfaqësojnë bunkerët tuaj në miniaturë për një artdashës jo shqiptar?
Janë që të dyja të rrumbullakëta e të ngjashme si forma, por jo në vlerat që ato sjellin e simbolizojnë. Një kapelë Borsalino mbart në vete vlera të mrekullueshme që lindën në 1856-n në Alessandria dhe vishet me krenari. Një bunker shqiptar është një objekt tipik i një arkitekture lufte. Për më tepër, një bunker i rrumbullakët si ata që gjenden në Shqipëri është një objekt tipik i arkitekturës shqiptare gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Në Shqipëri nga ana arkitektonike nuk ka shumë objekte që përfaqësojnë atë periudhë, përveç pallateve 5-katëshe. Por bunkeri dhe mentaliteti i bunkerit përfaqëson më mirë se gjithçka atë periudhë historike, politike dhe gjeografike. E çuditshme, por e vërtetë. Ky projekt “Lanscape Legacy” i bunkerëve shqiptarë u paraqit për herë të parë në Ukrainë (ish-vend i bllokut sovjetik) e kishte edhe një arsye pse të paraqitej atje. Ky lloj mentaliteti nuk ndryshon kollaj. Vazhdon e trashëgohet edhe në vlerat e politikanëve të Shqipërisë sot. Është një trashëgim i një peizazhi shqiptar i së djeshmes e të sotmes.
Në punët tuaja ndihet një traditë e rrënjosur e endjes, thurjes dhe qëndisjes. Kush ju ka mësuar të qëndisni?
Në familjen time të gjithë dinë të qëndisin me dorë e me makinë qepëse. Është një vlerë e traditë familjare që trashëgohet prej brezash. I kemi duart flori, them unë.
Keni studiuar në Shqipëri e në Itali. Si e vlerësoni shkollën shqiptare? Po artistët e tjerë shqiptarë në Itali?
Një ndër momentet e rëndësishme të formimit tim si artiste janë bazat e 4 vjetëve të studimit në Liceun e Durrësit. Nuk ishte vetëm piktura apo skulptura, ishte e gjithë atmosfera e studimit.  Dashuria për artin në të gjitha fushat nga viola tek pianoja, violina e kantoja. Një pjesë e mirë e artistëve durrsakë, si Gavril Priftuli, Nikolet Vasija, Nelo Lukaci, kanë lënë gjurmë të rëndësishme në formimin tim si artiste. Shqipëria është një vend shumë i vogël, e megjithatë janë të shumtë artistët e personazhet kreativë që po njihen nëpër botë. Ka ardhur koha të njihemi për gjëra të mira, pozitive e kreative, sepse për të këqijat jemi mjaft të njohur.
(“Shqiptari i Italisë”)

KETI BIÇOKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura