Anika Dokle: Aborti? Gruaja një qenie sociale, jo “fabrikë” riprodhimi

Jun 5, 2011 | 12:33
SHPËRNDAJE
Gjinekologia Anika Dokle, duke vizituar një paciente

Doktoresha Dokle! Thuajse të gjithë e njohin kështu! Mjekja e njohur gjinekologe në spitalin “Koço Gliozheni” rrëfen për profesionin e jetës, për luftën mes emocioneve të bukura dhe atyre brenglënëse… dhe për marrëdhënien speciale me babain politikan, Namik Doklen

Anika nuk është shembulli tipik i ecjes në gjurmët e të parëve. E bija e një gazetari dhe politikani të spikatur dhe një nëne mësuese, duket se zgjodhi të mos ndjekë si profesion asnjërin prej të dyve. Përkundrazi! Përqafimi i profilit të obstetri-gjinekologjisë ishte një zgjedhje e mirë studiuar. Në dyzimin e përditshëm dhe “luftën” e emocioneve, ardhjes në jetë të bebeve dhe vështirësive të pashmangshme, në radhët e bluzave të bardha ajo vazhdon të mbetet doktoresha e respektuar, të cilën e njohin herë si doktoreshë Anika dhe herë si të bijën e Namik Dokles. Ajo rrëfen shumëçka mbi këto mori ndjesish e marrëdhëniesh njerëzore.
Anika, si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
“Fëmijëria” është një ndër periudhat më të bukura të jetës sime, të cilën shpesh kujtoj ta kem kaluar në një shtëpi që i kishte gjithnjë dyert e hapura për miqtë e të dashurit e familjes sime të madhe. Mbaj mend netët e panumërta kur babai më tregonte përralla, sidomos të preferuarën time, atë “të gjysmagjelit”. Ka vazhduar ta bëj edhe me Inën, vajzën time, po me aq përkushtim.
Jam rritur në një lagje të varfër të Tiranës, ku me moshatarët e mi asokohe luanim “botash”, lojë të cilën vajza ime sot nuk e njeh.
Çdo të thotë për ju të qenit e bija e Namik Dokles, gazetarit dhe politikanit të njohur?
Të jem bija e një politikani të njohur nuk më bën të ndihem më e privilegjuar se të tjerët. Ndiej më shumë përgjegjësi për ta mbajtur me dinjitet mbiemrin e babait tim.
Në fillim gazetar, pastaj politikan, e bën kjo të vështirë jetën e një fëmije?
Angazhimet e babait tim në politikë janë më të vona sesa ato të profesionit të tij të vjetër, gazetarisë, i cili e bënte po aq të ikur nga shtëpia. Në perceptimin e një fëmije, nuk i kam kuptuar vështirësitë, për të cilat sot jam e sigurt se kanë qenë të tilla për nënën time.
Po privilegjet, cilat kanë qenë?
Nëse të punuarit shumë dhe me ndershmëri përbën privilegj, po, mund të them se e gëzoj këtë privilegj. Ndihem mirë, pse ta mohoj kur më thonë doktoresha Dokle, por kaq. Punoj shumë fort që çdo derë në jetë ta hap vet.
Po obstetri-gjinekologjia ishte një zgjedhje e juaja, apo e induktuar nga prindërit?

Anika me prindërit dhe vajzën, Ina

Zgjedhja e profesionit të mjekes ka qenë një zgjedhje e imja e studiuar mirë (kam kryer studimet pasuniversitare në një Universitet prestigjioz të Spanjës). Nuk jam shembulli tipik i të ecurit në gjurmët e të parëve në fushën e mjekësisë (babai im gazetar dhe nëna ime arsimtare). E kam pasur të qartë prej shumë kohësh që do të zgjidhja një profesion në shërbim të njerëzve dhe zgjidhjes se problemeve të tyre. Babai dhe nëna ime janë përkrahësit e mi të pakushtëzuar në çdo hap të jetës. Modeli i babait tim në politikë është modeli i një njeriu që punon shumë, që nuk dorëzohet në situata të vështira dhe që e do shumë atë që bën. Si i tillë, babai është modeli im.
Cila është një ditë e zakonshme e juaja me gjithë ngarkesat emocionale në punë…?
Një ditë e zakonshme e imja është kaq e pazakontë për gratë në profesione të tjera… Është një ditë e mbushur me emocione njerëzish të thjeshtë që presin me padurim lindjen e fëmijës së tyre, kureshtje nëse është vajzë apo djalë, ankth për shëndetin e nënave të tyre, ngarkesa dhe përgjegjësi të mëdha profesionale,  telefoni që nuk rresht së rëni, përqafime mes kolegësh në raste suksesesh të mëdha. Një ditë e imja është sa 100!
Eksperienca juaj në mjekësi, ju bën të përballeni me mentalitete dhe kultura nga më të larmishmet. Si merreni vesh me pacientet tuaja?
Pacientet e mia, të shumta në numër natyrisht dhe me një larmishmëri mendësie dhe kulture, para së gjithash janë gra, nëna, bija. Kur drejtohen në spital, sjellin me vete dhe një pjesë të halleve dhe problemeve të tyre të përditshme, e shpesh konsultat tona u ngjajnë atyre të psikologëve. Përpjekja për të hyrë në botën e tyre, është përpjekje për sukses të garantuar në profesionin tonë.
Cilat janë sakrificat që lyp ky profesion?
Ky profesion kërkon një angazhim orë e pa orë, deri në sakrifica. Të humbasësh një drekë apo darkë familjare nuk është ndonjë gjë e madhe, por duhet të sakrifikosh mbi detyrimet familjare, si të ndihmosh vajzën të bëjë mësimet, të gatuash, t’i gjendesh pranë nënës, e cila prej një viti është diabetike.. Shpesh më është dashur të lë nënën time në spital që të ndjek pacientët. Edhe natën, më ka ndodhur të çohem nga shtrati… Pastaj, të mos flasim edhe për sakrifica të natyrës shpirtërore, kur shpesh na duhet të konsumohemi edhe nga ana emocionale.
Sukseset dhe dështimet janë bashkudhëtare në profesionin tuaj. Ç’ndodh në të dyja rastet?
Kam pasur suksese të mëdha e mossuksese të vogla në punën time të përditshme, pra ka më shumë gëzim, sesa hidhërim në ditët e mia në spitalin “Koço Gliozheni”.
Ndonjë histori konkrete, pacienteje që ju ka mbetur në mendje?
Lindje të bukura ka pafund. Çdo lindje ka bukurinë e vet. Çdo çift e përjeton në mënyra të ndryshme ardhjen në jetë të fëmijës së tyre. Mua më kanë mbetur në kujtesë dy-tre raste kur baballarëve që patën hyrë në dhomat e lindjes për të mbështetur bashkëshortet e tyre, e u ka rënë të fikët. Gjë më të bukur nuk ka! Një tjetër ndër historitë njerëzore që më ka mallëngjyer është rasti i një nëne të re nga Librazhdi, ardhur në gjendje shumë të rëndë në spitalin tonë. E patëm të pamundur ta shpëtonim dhe pse qëndruam orë të tëra në këmbë për të ndryshuar fatin e saj. Familjarët nuk kishin asnjë mundësi për ta kthyer në shtëpi, e na u desh ne mjekëve të shërbimit të rojës të mblidhnim ca para në ndihmë të familjes së saj të rrënuar ekonomikisht.
Cili është reagimi juaj përpara kërkesës së një nëne për ndërprerjen e një barre, pra një aborti?
Sa i takon aborteve, sjellja ime është në varësi të arsyes për të cilën gruaja aborton. Natyrisht përpiqem mjaft për ta mbrojtur një shtatzëni. Por kam dhe bindjen që gruaja është një qenie sociale, e jo një “fabrikë” riprodhimi.
Ç’mund të na thoni për rastin kur nuk keni qenë më mjeke, por paciente?
Gjatë periudhës së shtatzënisë kam qenë në Greqi (bëhet fjalë për vitin e “mbrapshtë” për shqiptarët, 1997) e për rrjedhojë vajzën e kam lindur atje. Shtatzëninë time e ka ndjekur një mjeke e re për kohën, me origjine ruse, e cila ka pagëzuar më vonë vajzën time.
Si është marrëdhënia që t’i ke me të?
Kam një marrëdhënie shumë të mirë. Do ta kishin zili shumë vajza marrëdhënien që kam me Inën. Dhe pse na mungon shpesh koha fizike për të kaluar bashkë, përpiqem me çdo kusht ta kompensoj. E ndjek në të gjitha kurset jashtëshkollore që ajo kryen (Ina luan në piano dhe kitarë). Më bën të ndihem krenare. Është një nxënëse shumë e mirë, e edukuar, me një etje të madhe për dije, është vajzë me ndjeshmëri të mëdha. Shkojmë shpesh në kinema, në fundjavë dalim jashtë Tirane ose mblidhemi në strehën e ngrohtë të prindërve të mi, ku ndihemi më të përkëdhelura se kurrë.

 

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura