Anija peng/ Asnjë sinjal nga egjiptiani, pse s’lokalizohet telefoni

Jun 25, 2016 | 15:44
SHPËRNDAJE

Mbetet mister fati i dy marinarëve të marrë peng shtatë ditë më parë nga kolegu i tyre, marinari egjiptian Adel Mohamed Salam, i cili ka shkëputur çdo kontakt me pronarin e anijes “Çelepia 2” dhe familjarët e Luan Memës e Dhimitër Malajt.

Luan Mema, marinari i mbajtur peng nga egjiptiani Salam
Luan Mema, marinari i mbajtur peng nga egjiptiani Salam

Autoritetet vendëse dhe homologët e tyre në Egjipt nuk kanë mundur të pikasin dhe lokalizojnë vendndodhjen e anijes në Aleksandri, siç tha në fillim Salam, ndërsa kërkonte 70 mijë euro nga pronari shqiptar.

Ky fakt, por edhe shkëputja e kontaktit me pengmarrësin, ka bërë që ankthi, frika dhe padurimi të shtohet në radhët e dy familjeve, të cilave po u veniten shpresat për t’i parë të afërmit e tyre gjallë.

Ata nuk kanë mundur të marrin asnjë informacion për veprimet që po kryejnë autoritetet shqiptare në këtë operacion kërkim-shpëtimi, ndërsa kërkojnë të dinë se përse organet kompetente nuk lokalizojnë valët e telefonit që përdor 30-vjeçari, i cili rezulton të jetë ende i ndezur, por që nuk u përgjigjet thirrjeve me numër shqiptar.

Djali i kapitenit të marrë peng, Darmian Malaj, si dhe pronari i anijes “Çelepia 2”, kanë tentuar vazhdimisht ta kontaktojnë në telefon, por që prej mbrëmjes së të enjtes, Mohamed Salam nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre. “Kemi shkëputur çdo kontakt me të. Që prej mbrëmjes së të enjtes, ai nuk u përgjigjet thirrjeve tona. Jemi në ankth, pasi nuk kemi asnjë informacion për të afërmit tanë, nuk e dimë nëse janë gjallë, apo i ka vrarë. Të paktën të dimë çfarë ka ndodhur, pastaj të pranojmë fatin tonë. Autoritetet nuk na japin asnjë informacion, nga marinari egjiptian asnjë sinjal, thuajse i kemi humbur shpresat për t’i parë gjallë. Ndoshta për shkak të ankthit që po përjetojmë, na duket sikur nuk po hetohet për këtë ngjarje. Pyes veten si ka mundësi që Policia apo Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e tij, pasi telefonin e mban ende të hapur”, u shpreh Darmian Malaj, djali i kapitenit Dhimitër Malaj.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në dorë hetimet për veprën penale të gjobëvënies, ndërkohë autoritetet shqiptare nuk mund të përcaktojnë se ku është anija, pasi është fikur aparatura e “blue box-it”.

Mësohet gjithashtu se autoritetet egjiptiane sqarojnë se nga kërkimet e bëra nuk kanë mundur të gjejnë anijen në Portin e Aleksandrisë. Marinari egjiptian, që ka marrë përsipër pengmarrjen e peshkarexhës “Çelepia 2” e cila ka humbur kontaktet prej disa ditësh me Portin e Durrësit, dyshohet se po e përdor mjetin lundrues dhe ekuipazhin e saj për të transportuar refugjatë.

Duke mbajtur të fikur aparaturën “blue box”, autoritetet kanë pak shanse për ta pikasur vendndodhjen e anijes “Çelepia 2”, e cila u nis për lundrim shtatë ditë më parë nga Porti i Durrësit dhe nuk dihet ku ndodhet aktualisht.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura