Anija me marinarë e marrë peng, si u gjet në Egjipt autori i rrëmbimit

Jun 27, 2016 | 8:33
SHPËRNDAJE

Adel Mohamed Muamed Salam, marinari egjiptian që mori përsipër rrëmbimin e anijes “Çelepia 2”, më 18 qershor, tri ditë më parë është parë në Egjipt nga një prej ish-kolegëve të tij, të cilët kishin punuar më herën pranë flotës së peshkimit Durrës.

Marinari egjiptian, Adel Mohamed Salam
Marinari egjiptian, Adel Mohamed Salam

Këtë informacion e disponojnë familjarët e marinarëve të marrë peng nga 30- vjeçari egjiptian, që dyshohet ta ketë shitur anijen së bashku me ekuipazhin, Luan Memën dhe Dhimitër Malaj, për ta shfrytëzuar për të transportuar klandestinë.

Vetë rrëmbyesi egjiptian e ka pohuar këtë fakt gjatë kontakteve që ka pasur ditët e fundit me pronarin dhe familjarët e motoristit dhe kapitenit të anijes “Çelepia 2”.

Të pamundur për të vepruar personalisht në një shtet të huaj, familjarët e dy të zhdukurve, si dhe pronarët e anijes së peshkimit, kanë kontaktuar me persona që kanë njohje me Salam, për të mësuar nëse ai ndodhet në Egjipt apo jo. Sipas të dhënave, Salam është parë në qytetin e Aleksandrisë, në Egjipt, aty ku dhe jeton.

Gjithashtu, pak ditë më parë ishte parë edhe mjeti lundrues, në një port të Egjiptit, por marinarët e rrëmbyer nuk janë pikasur gjëkundi. Nuk dihet nëse këto informacione janë verifikuar nga autoritetet vendëse, ndërsa burime zyrtare nuk kanë mundur të hedhin dritë mbi këtë ngjarje misterioze.

Familjarët nuk kanë asnjë informacion nga të rrëmbyerit. Ata kanë parë për herë të fundit motoristin e anijes, Luan Mema, i lidhur me zinxhirë në peshkarexhën ku punonte prej vitesh. Këtë fotografi e nisi vetë rrëmbyesi Salad te pronarët, duke i kërcënuar se duhet ta paguanin me 70 mijë euro që ata t’i linte të lirë.

Ndërkohë, për kapitenin Dhimitër Malaj, ai ka refuzuar të japë asnjë shpjegim se ku ndodhet dhe si është gjendja e tij. Plot 8 ditë nga rrëmbimi i anijes “Çelepia 2”, nuk ka asnjë sinjal për fatin e dy shqiptarëve, anëtarë të ekuipazhit.

Shpresa e vetme për familjarët që t’i shikojnë sërish të gjallë të afërmit e tyre është të ketë ndodhur ajo që dyshohet më shumë: që egjiptiani ta ketë shitur te persona me prirje kriminale anijen, me qëllim transportimin e refugjatëve drejt vendeve europiane.

Edhe vetë egjiptiani Salam që ka marrë përsipër rrëmbimin e anijes, në SMS-të e dërguara drejt pronarit thoshte: “Luani dhe Dhimitri do të kthehen bashkë me barkën në Shqipëri”. Egjiptiani kërkoi fillimisht 70 mijë euro, ndërsa më pas refuzoi negociatat me pronarin, duke i pohuar se e kishte shitur anijen për shumën e 100 mijë eurove.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura