Anija “Kateri i Radës”, kthehet monument kulture

Dec 14, 2011 | 18:20
SHPËRNDAJE
Kater I Rades

ITALI -Anija shqiptare “Kateri i Radës”, ku nga mbytja e saj humbën jetën 81 shqiptarë më 28 mars të vitit  1997 në kanalin e Otrantos, do të kthehet në një monument kulture.

Copëtimi i saj ka nisur sot, ndërsa 8 artistë që do të marrin pjesë në projekt do të koordinohen me skulptorin grek Costas Varotsos. Vepra do të vendoset në hyrje të Portit të Otrantos, pranë plazhit, përballë brigjeve shqiptare.

Në tragjedinë e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen “Kateri i Radës” me 115 persona në bord, si pasojë e përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”, u mbytën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar

Anija u gjet pas 6 muaj kërkimesh në thellësi të detit dhe eshte derguar në Brindisi. Qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë patur mosmarrëveshje lidhur me mbajtjen  e saj. Qeveria shqiptare kërkonte kthimin e saj në Shqipëri me shpenzimet e qeverisë italiane, ndërsa qeveria italiane mendonte se ky nuk ishte nje akt i nevojshëm. Familjarët e viktimave kanë kërkuar gjithashtu që anija të kthehet në Shqipëri, duke kundërshtuar ngritjen e monumentit në Itali.

Monumenti është projekt i administratës komunale të Otrantos dhe Institutit të Kulturës Mesdhetare të Leçes që kërkuan mbajtjen e relikes së Katerit të Radës, në mënyrë qe me të të krijohet një vepër arti, një monument në nder të shqiptarëve të mbytur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura