Anëtari i Kushtetueses, Manja kundër qëndrimit të Metës: I mbaroi afati i përzgjedhjes, tani…

Nov 9, 2019 | 8:45
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Për Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga sot, Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi Presidentit Meta i kaloi afati 30-ditor për të zgjedhur emrin e dytë nga lista e kandidatëve, që i kishte paraqitur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

ulsi manja

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, në një prononcim për mediat, u shpreh se pas datës 8 nëntor ka skaduar afati kushtetues i tij dhe letra e kreut të shtetit për KED-në nuk ka asnjë vlerë juridike. “Unë nuk di nga pikëpamja juridike që letra pezullon një veprim juridik. Po të kishte qenë kjo logjika e ligjvënësit, i bie që vakancat në Gjykatën e Lartë të mos plotësohen, për sa kohë ne nuk kemi akoma asnjë kandidaturë të propozuar nga Gjykata e Lartë. Por nuk ka qenë kjo logjika e ligjvënësit. Logjika e ligjvënësit e ka lidhur me një afat 30-ditor, si mekanizëm zhbllokimi, sepse e ka pasur parasysh edhe këtë mosmarrëveshje mes institucioneve kushtetuese në procesin e kompozimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Manja.

Sipas Ulsi Manjës, sa i përket kompozimit të Gjykatës Kushtetuese, ligji është shumë i qartë, duke mos lënë asnjë shkas për bllokimin e procesit dhe ditën e hënë, në seancën plenare, Kuvendi do të votojë dy propozimet e tij për të zënë vend në Gjykatën Kushtetuese. “Kushtetuta dhe ligji organik për Gjykatën Kushtetuese flet shumë qartë. Secila nga institucionet kushtetuese të përfshira në procesin e kompozimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe këtu e kam fjalën për Presidentin, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë, nëse nuk e ushtrojnë këtë kompetencë kushtetuese dhe ligjore brenda afatit 30-ditor, kandidati i renditur i pari në listën e KED, konsiderohet i emëruar.

Ulsi-Manja-Ilir-Meta--770x433

Çdo aludim përtej këtij përcaktimi kushtetues, nuk i shërben kauzës. Kuvendi i Shqipërisë, ditën e hënë, do të ushtrojë këtë kompetencë në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha kryekomisioneri i ligjeve. Ulsi Manja, që njëkohësisht është edhe kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, në fund të fjalës së tij bëri dhe një ftesë për kreun e shtetit, duke thënë se maxhoranca pret një frymë bashkëpunimi në vijim.

“Kam përshtypjen se kemi këndvështrime të ndryshme për mënyrën se si e lexojmë Kushtetutën dhe ligjin, ne dhe Presidenti. Në vlerësimin tim, nga sot, Presidentit i ka skaduar afati 30-ditor për të dekretuar vakancën e dytë të shpallur prej tij në Gjykatën Kushtetuese. Unë e ftoj Presidentin që në këtë fazë të plotësimit të procesit të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese, të tregohet luajal dhe pse jo ta lexojë Kushtetutën dhe ligjin me frymën e zhbllokimit të procesit të ngritjes një orë e më parë të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Ulsi Manja.

Deri më tani, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese është dekretuar nga Presidenti Meta vetëm Besnik Muçi, i cili të martën do të përballet me shkallën e fundit të vetingut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura