Anëtari i KED-it ngel në të tria kriteret e rivlerësimit, gjyqtari akuzohet për…

Oct 4, 2018 | 13:40
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit riçeli ditën e djeshme seancat dëgjimore, pas ndërprerjes në muajin gusht dhe shtator.

gjyqtari shkoder

I pari që ka hyrë në sitën e vetingut ka qenë gjyqtari i Administratives në Shkodër, Ahmet Jangulli. Ky i fundit është anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe si i tillë bën pjesë në listën e përparësisë. Jangulli, i cili ishte i pranishëm në seancën që nisi në orën 09:30, zgjodhi të mbrohej vetë për gjetjet e hetimit administrativ.

Trupa gjykuese përbëhej nga Valbona Sanxhaktari në cilësinë e kryesueses, Brunilda Bekteshi në cilësinë e relatores dhe Suela Zhegu si anëtare. Problemet për gjyqtarin Jangulli u evidentuan që në nisje të seancës me leximin e raportit të ILDKPKPI-së. Sipas këtij institucioni, gjyqtari Jangulli ka deklarim të pasaktë të pasurisë, si edhe fshehje të të ardhurave. Po kështu, hetimi administrativ evidentoi probleme në pasurinë e gjyqtarit, papërshtatshmëri për vazhdimin e detyrës sipas DSIK-së, ku gjyqtari dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni, si edhe probleme me aftësitë profesionale.

PASURIA

Sipas hetimit administrativ të KPK-së, gjyqtari Jangulli kishte probleme me blerjen dhe shkëmbimin e një automjeti tip “Benz”, si edhe me lëshimin e 12 milionë lekëve si hua te dy njerëz të afërm të tij. Sipas KPK-së, automjetin që ka aktualisht në pronësi gjyqtari, e ka shkëmbyer me një automjet po tip “Benz” të blerë në vitin 2005. Mirëpo, sipas hetimin administrativ, rezulton se ai nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e atij automjeti. Po kështu, për huat e lëshuara pa interes të të afërmit ka deklarata noteriale të paplota dhe nuk justifikohet burimi i tyre. Problem, sipas KPK-së, është edhe një kredi 700 mijë lekëshe, që rezulton se është marrë nga bashkëshortja e gjyqtarit, por ky i fundit ka thënë se bashkëshortja është dorëzani në këtë kredi dhe se nuk është marrë për llogari të saj. Gjyqtari Jangulli u mbrojt për pasqyrat financiare dhe tha se analizat e hetimit administrativ janë të gabuara. Ai solli në seancë pasqyra financiare të tjera nga aktiviteti i zyrës noteriale të bashkëshortes, që, sipas tij, justifikon të ardhurat dhe shpenzimet.

FIGURA

Problem për gjyqtarin Jangulli është edhe integriteti i figurës. Kështu, sipas raportit të DSIK-së të lexuar nga relatorja Bekteshi, Jangulli konsiderohej si i papërshtatshëm për detyrën, pasi kishte dyshime se ishte përfshirë në një rast korrupsioni me një prokuror, kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Dibrës. Kështu, bëhej fjalë për një çështje të vitit 2004, ku të akuzuar ishin tre persona, një ishzyrtar i gjendjes civile dhe dy shtetas. Këta të fundit akuzoheshin për falsifikim dokumentesh, ndërsa ish-zyrtari për “shpërdorim detyre”. Sipas hetimit administrativ, rezulton se prokurori ka kërkuar dy vjet burg për ish-zyrtarin dhe nga një vit burg për dy shtetasit. Mirëpo, në fund, gjyqtari ka rikualifikuar veprat penale, duke ndryshuar nga falsifikim dokumentesh, në përdorim dokumentesh të falsifikuara. Ai i ka shpallur të pafajshëm dy qytetarët dhe ka dënuar me gjobë ish-zyrtarin. Gjyqtari Jangulli u mbrojt për këtë proces dhe tha se Gjykata e Apelit e kishte pushuar akuzën.

AFTËSITË PROFESIONALE

Një tjetër aspekt ku gjyqtari Jangulli ngeli ishte kriteri i aftësive profesionale. Për gjyqtarin kishte një lumë ankesash për shkelje të etikës profesionale. Kështu, vetëm në KLD ka pasur 16 ankesa për zvarritje të gjykimit apo mungesë të etikës në sallën e gjyqit. Nga këto ankesa, gjashtë ishin arkivuar dhe 10 të tjera ishin verifikuar në të shkuarën. Dy prej ankesave kanë qenë për shkelje etike dhe komunikim me ton të lartë zëri.

SKEDA 

Ahmet Jangulli është pjesë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri prej dy dekadash dhe ka punuar më parë si kryetar i Gjykatës së Bulqizës dhe gjyqtar në Gjykatën e Dibrës. Në 1 gusht 2013, ai u emërua me dekret të Presidentit të Republikës si gjyqtar i Gjykatës Administrative të Shkodrës.

Gjyqtari Jangulli është bërë pjesë e një procedimi disiplinor dhe e debateve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pranverën e vitit 2018, pas një kërkese të ministres së Drejtësisë për shkarkimin e tij. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë votuan kundër propozimit të ministres, duke e rrëzuar atë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ahmet Jangulli nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ahmet Jangulli zotëronte një pasuri prej 550 mijë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare është rritur me 60 herë, duke kapur vlerën e rreth 33 milionë lekëve.

Kursimet në cash dhe pasuritë e patundshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve të familjes Jangulli. Vlera e akumuluar e kursimeve në cash kap vlerën e 18.4 milionë lekëve, ndërsa pasuria e paluajtshme kap vlerën e 13.9 milionë lekëve. Gjyqtari zotëron gjithashtu 138 mijë lekë likujditete bankare dhe automjet në vlerën e 570 mijë lekëve.

Për periudhën deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare të gjyqtarit Jangulli janë 31.8 milionë lekë. Paga për shkak të funksionit si gjyqtar dhe të ardhurat e bashkëshortes si notere kanë pothuajse një peshë të barabartë te të ardhurat, respektivisht me 49 dhe 48.5 për qind. Ndërsa të ardhurat nga pagat e familjarëve zënë 2.4 për qind të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme, ndërkohë që BIRN identifikoi dy flamuj të kuq në deklaratat e pasurisë së gjyqtarit Jangulli.

Konkretisht, kursimet në cash dhe jashtë sistemit bankar me burim pagën e tij dhe të ardhurat e bashkëshortes nga noteria kapin në vlerë akumulative 18.4 milionë lekë, ndërkohë që kufiri ligjor për qarkullimin jashtë sistemit bankar është 1.5 milionë lekë.

Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu në vitin 2017 një kontratë porosie për një apartament me vlerë 82 mijë euro, por që sipas deklaratës së tij nuk ka shkaktuar efekte financiare në vitin 2017.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura