Anëtari i Asamblesë së Lushnjës kritikon: Kemi dhënë 400 milionë lekë për vendin e fundit

Nov 24, 2017 | 10:44
SHPËRNDAJE

Me humbjen në Shkodër, ndaj Vllaznisë lushnjarët kanë vështirësuar shumë pozitat në fundin e tabelës. Tashmë, skuadra e drejtuar nga trajneri Hysen Dedja është -4 nga rivalët. Ndërkohë, që tekniku shkodran i verdhejeshilëve nuk ka marrë asnjë pikë që nga moment kur mori drejtimin e skuadrës myzeqare (3 ndeshje, 0 pikë).

lushnja flamurtari

Kur janë luajtur 11 javë, Lushnja ka grumbulluar vetëm 5 pikë, që është rezultati më i dobët i verdhejeshilëve në kampionatin elitar. Ramazan Gjyla, anëtar i Asamblesë së “KF Lushnja” 1930 sh.a, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” shprehet:

“Këshilli Bashkiak i Lushnjës, që është njëherësh Asambleja e klubit të futbollit, ka miratuar 400 milionë lekë të vjetër për këtë vit kalendarik. Fillimisht, kemi miratuar 300 milionë lekë të vjetër dhe në mbledhjen e muajit korrik kemi shtuar edhe 100 milionë lekë të vjetër. Unë këtë e kam kundërshtuar. Kemi dhe të ardhurat e projekt-planit (sekondaret).

Shpenzimi bëhet në bazë të rezultateve që ka klubi i futbollit. Ne nuk kemi rezultate dhe, në mbledhjen e këtij muaji, që jemi njoftuar se do të bëhet ditën e mërkurë, do të kërkojmë pse nuk kemi rezultate. Hedhim 400 milionë lekë, plus të ardhurat, për të qenë në vendin e fundit, për 400 spektatorë dhe, nga ana tjetër, na mungojnë fushat e stërvitjes. Na mungojnë dhe lojtarët e Akademisë.

Këta lojtarë që morëm ne, çfarë diference bëjnë me ata që hoqëm. Iku një trajner me dy pikë dhe erdhi një trajner tjetër që nuk ka asnjë pikë. Kush mban përgjegjësi për këtë prezantim kaq të dobët?! Të gjitha këto do t’i diskutoj në mbledhjen e Këshillit dhe të shohim mundësi zgjidhjeje për të ndryshuar situatën dhe ta nxjerrim ekipin nga kriza”, u shpreh anëtari i Asamblesë Ramazan Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura