Anbeta Toromani, lë “Amici”-n, i dedikohet baletit klasik

Apr 28, 2016 | 20:45
SHPËRNDAJE

E lehtë si një pendë… madje ajër… sa herë që e sheh duke kërcyer, të jep një ndjesi lehtësie e perfeksionimi të jashtëzakonshëm.

Anbeta Toromani është balerina që çdo koreograf do të donte të punonte me të. Për të tashmë aventura televizive ka mbaruar, duke u kthyer tek ëndrra e gjithhershme, për të interpretuar në skena teatrosh të vërtetë. Anbeta Toromani duket se i ka thënë “lamtumirë” talent show-t “Amici” të Maria De Filippi-t, duke iu kushtuar baletit klasik. Së fundmi ajo ka qenë Copelia, vajza me sy të smeraldtë, e cila u ngjit në skenën e Teatrit “Verdi” në Trieste.

Anbeta-Toromani-e-AlessandrNjë produksion i Teatrit “San Carlo” të Napolit, ku ajo interpreton së bashku me partnerin e saj në jetë, balerinin e parë të “San Carlo”-s, Alessandro Macario. “Jemi njohur duke kërcyer dhe na ndodh shpesh të interpretojmë së bashku”, shprehet balerina, e cila e ka njohur partnerin e saj gjatë vënies në skenë të baletit “Giselle”. “Ka mbaruar aventura e ‘Amici’-t.

Tashmë i jam dedikuar tërësisht teatrit, duke përfituar nga mundësia për të bërë atë që ka qenë qëllimi im artistik që në fillim”, është shprehur ajo për gazetën “Il Piwolo”. E tërhequr nga “Amici”, ajo shpreson që të mos humbasë atë publik që ka bërë për vete përmes ekranit të televizionit.

“Shpresoj që në teatër të më ndjekë edhe një pjesë e publikut, që më ka njohur përmes televizionit, përndryshe puna ime, prej gati një dekade në talent show, do të ishte e kotë”, thotë ajo. Sipas Toromanit, do të mjaftonin vetëm nxënësit e shkollave të dancit në të gjithë Italinë, që të mbushnin sallat e teatrove, por, me sa duket, jo të gjithë ata që studiojnë për kërcim kanë kuriozitetin ta ndjekin atë në të gjitha format e tij.

JETA PERSONALE

E vlerësuar për profesionalitetin e saj, jo vetëm nga profesorët e “Amici”-t, në veçanti nga koreografja Alessandra Celentano, që e konsideronte si një burim frymëzimi, por edhe nga e madhja Carla Frawi, duket se Anbeta është në momentet e saj më të mira si balerinë, por edhe në jetën e saj personale.

Toromani me Alessandro Macario, në baletin “Copelia”
Toromani me Alessandro Macario, në baletin “Copelia”

Tashmë duket e qetë me partnerin e saj në skenë dhe në jetë. “Shpesh kjo krijon probleme, sepse kërkon që të mësosh të menaxhosh njohjen e tepërt me partnerin tënd në jetë, që mund të jetë çorientuese. Është e nevojshme që të kontrollosh sjelljet tepër konfidenciale. Por, nga ana tjetër, ka edhe shumë avantazhe, si sintonia dhe harmonia”, tregon balerina shqiptare, e cila prej vitesh zhvillon karrierën e saj artistike përtej detit.

Tanimë në moshën 37-vjeçare, Toromani po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje mësimdhënies. “E di se 37 vjet për një balerinë fillojnë të jenë shumë: unë ndihem mirë dhe e pjekur për të interpretuar role të ndryshme. Do të më pëlqente që të vijoja të jepja mësim, sepse më pëlqen të transmetoj pasionin për kërcimin”.

Alessandra Celentano: Anbeta, muza ime frymëzuese

“E lindur për të kërcyer, Anbeta Toromani i ka të gjitha të dhënat për të qenë një balerinë dhe një artiste në 360 gradë. Është pikërisht ai tip balerine që më pëlqen.

Nuk i referohem vetëm fizikut, pasi tashmë dihet që nuk mjafton, por proporcioneve, linjave, teknikës, shprehjes. Ajo ka ndjenjën e kërcimit, instinktin, inteligjencën e famshme të dancit! E kam parë Anbetën për herë të parë kur punoja në teatër. Isha gjithë ditën në punë dhe nuk shihja kurrë televizion (nuk kisha kohë, përveç ndonjë nate pagjumësie), dhe kështu qëlloi që e ndala telekomandën tek ‘Amici’.

Anbeta Toromani me koreografen, Alessandra Celentano
Anbeta Toromani me koreografen,
Alessandra Celentano

Mbeta menjëherë e mahnitur nga kjo balerinë dhe kuptova menjëherë që kjo vajzë kishte diçka më shumë. Kaluan disa vjet nga ai moment, ajo ishte ‘çupëlinë’, por edhe unë ende e re, dhe nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që ajo vajzë do të bëhej një ditë muza ime frymëzuese”.

Kështu shkruan koreografja e njohur italiane, Alessandra Celentano, për balerinën shqiptare, teksa i rendit formimin e saj në Shqipëri dhe gjithë sukseset në Tiranë e në Itali, në skena të ndryshme. “Kur Anbeta kërcen koreografitë e mia, në përgjithësi gjithmonë arrin të më bëjë të shoh dhe ndiej pikërisht atë që kisha imagjinuar e atë çka doja. A ka kënaqësi më të madhe për një koreograf?”, shkruan Celentano, duke e konsideruar Toromanin si vajzën e saj.

“Shumë profesioniste, shumë punëtore, perfeksioniste, e disiplinuar, serioze, e kujdesshme, e mbi të gjitha, dhe nuk është pak, një njeri i mirë, bujare, altruiste dhe tepër simpatike. Më pëlqen të them, një njeri për së mbari, special, një grua me klas në të gjitha format”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura