Anastas Kostandini përjetëson “Ngjyrat e Vendlindjes”

Jul 12, 2018 | 13:57
SHPËRNDAJE

YLLI DRISHTI/ Ekspozita e mjeshtrit Anastas Kostandini – TASO, me të cilën u çel sezoni turistik i qytetit të Poradecit me titull “NGJYRAT E VENDLINDJES”, është pjesë e programit të bashkisë së qytetit dhe ka një rëndësi të veçantë në jetën e tij kulturore & artistike. TASO, siç njihet mjeshtri KOSTANDINI, është një artist me disa elemente të veçanta në rrugëtimin artistik mbi 40-vjeçar. Ai është artisti me dimensione të gjera në këndvështrimin artistik, teknik dhe intelektual.

kondi

Me krijimtarinë dhe kontributin që ai ka dhënë në artin shqiptar, Taso është pjesë e rëndësishme e historisë së tij. Ekspozita me 80 punime është ndërtuar në tri linja në kuptimin teknik të saj: piktura në vaj, pastele dhe vizatime, por që i bashkon subjekti i përhershëm i artistit: imazhi i qytetit dhe rrethinat e tij.

Në serinë e peizazheve si në vaj, pastel apo dhe në vizatimet me karbon, laps e penë ndihet që ai ndërton apo më saktë i thur poezi në pikturë qytetit të tij real dhe imagjinar, si në një skenografi realiste – magjike, që mjafton ta shohësh vetëm një herë dhe e dallon që është qyteti i tij, qyteti i vogël buzë liqenit – Poradeci, që Tasoja nuk e “tradhtoi” asnjëherë, por qëndroi, jetoi dhe krijoi aty mes vështirësive të panumërta të provincës shqiptare.

Në ekspozitën e tij mund të gjesh e admirosh mbi të gjitha shpirtin poetik të artistit, këmbënguljen e tij për të zbuluar çdo ditë si artist atë subjekt apo imazh, që atë e emocionon dhe e frymëzon: banesat e vjetra, njerëzit e thjeshtë që ecin në rrugicat e qytetit, një rrugë fshati, pasqyrimin në ujin e liqenit të ndërtesave dhe pemëve, por edhe Drilonin, Linin, Tushemishtin, Buçimasin e Çërravën. Koleksioni i pikturave dhe vizatimeve të Tasos, të përzgjedhura për këtë ekspozitë, i përket peizazhit që artisti e interpreton sipas kodit të tij piktorik tashmë mjaft individual, herë-herë me romantikën dhe delikatesën, por më shpesh me dramacitetin e lagjeve periferike e të fshehura nga syri i publikut.

Taso është një punëtor i madh – një artist i përkushtuar, një nga mjeshtërat e mëdhenj të pikturës shqiptare bashkëkohore. TASO, në peizazhet urbane kujdeset që pika e shikimit të jetë sa më lart mbi lagjet tradicionale pranë liqenit, ku ai zbulon magjinë dhe misterin e jetës së qyteteve të vogla. Pikturimi i çdo detaji gati me të njëjtin interes e dashuri nga Kostandini, synon thjesht të zbulojë vërtetësinë me mjete realiste, ku shpesh ndërtesat, por dhe vetë qyteti, duken sikur “po bien apo lëkunden” nga vjetërsia.

Gjuha shprehëse e piktorit TASO është tashmë si një çelës – kod, që ka drejtimin e përcaktuar: nga jashtë– brenda, nga e dukshmja tek e padukshmja dhe nga realja tek irealja, nga realja te fantazia. Ai nuk e zbukuron, por e zbulon atë faqe të padukshme që qyteti e përjeton përditë –jetën e njeriut të thjeshtë. Le të ndjekim shkurtimisht elementet piktorike, që TASO përzgjedh me dashuri për imazhet e tablove të tij: “Liqeni” – është imazhi i tij i preferuar, që pikturohet e pikturohet me qindra dhe mijëra herë: në pranverë, në verë, në vjeshtë dhe dimër.

Ai pikturohet herë “i përgjumur” në qetësinë magjike të papërsëritshme, aty ku “bashkohet” me Malin e Thatë, në sfondin njëngjyrësh gri apo blu e lehtë, por edhe në momentet kur ai herë valëzon me dallgët që tundin peshkatarët në varkat e tyre të vogla duke peshkuar, apo dhe kur shkumëzon furishëm në bregun para qytetit. Piktori, edhe pse pikturon në natyrë në vazhdimësi, ka mbetur si një “skllav i përjetshëm” i saj, duke mos jetuar pa natyrën, ku ai gjen frymëzimin e përditshëm.

Ndodh që hera–herës në studion e tij, artisti Taso “arratiset”, duke eksperimentuar nën magjinë e krijimtarisë dhe adhurimit që ai gëzon për mjeshtërat botërorë si: Picasso, Chagall, Leger dhe kjo ndihet sigurisht në disa nga punimet e tij, si në peizazh, por edhe në portrete, natyrat e qeta dhe kompozime. Ai më shpesh u qëndron besnikë mjeshtërve të mëdhenj të realizmit, romantizmit dhe ekspresionizmit.

Piktura e tij shpesh ngjan edhe me grafiket e tij të jashtëzakonshme, të gdhendura në dru me një mjeshtri mahnitëse. I “ngarkuar” me një dashuri dhe pasion të jashtëzakonshëm për pikturën, TASO e nis ditën duke dialoguar me shpirtin e tij; me penel në dorë, sikur kërkon të gjejë thesaret e fshehura të qytetit të tij.

Tablotë e TASOS mbi sipërfaqen e tyre nuk janë të mbuluara me ngjyrë, por me një dashuri e talent piktorik të veçantë. Ekspozita me shumëllojshmërinë e teknikave ofron një koleksion peizazhesh, që të japin kënaqësi estetike dhe të ngjallin optimizëm. Anastas Kostandini është pa dyshim një nga zërat e rëndësishëm të pikturës bashkëkohore shqiptare, një mjeshtër i saj.

Studiues & kurator arti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura