Anastas Kostandini: Jeta e provincës mbi një pasqyrë të thyer

Apr 11, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Pasqyra si një kufi midis dy botëve, të prekshmes dhe imagjinares. Pasqyra si një terren narcizik.

Pasqyra si ballafaqim me veten dhe dramën personale të artistit të izoluar në qytetin e tij të vogël. Në qetësinë e provincës, pranë kaltërsisë së liqenit dhe një thatësire intelektuale, piktori Anastas Kostandini përpiqet pa u ndalur me veten. Kërkon forma të reja shprehjeje, duke e konsideruar një vepër gjithnjë në proces.

Piktori Anastas Kostandini
Piktori Anastas Kostandini

“Pasqyra e thyer”, kështu titullohet ekspozita e piktorit Anastas Kostandini, e cila hapet sot në Galerinë e Fakultetit të Arteve, FAB. Sipas vetë piktorit, kjo ekspozitë gjen frymëzimin në imazhin intim dhe poetik të pasqyrës së thyer, një lloj kaleidoskopi që thith e reflekton botën përreth dhe krijon një trill vizual ritmik.

“Forma të destrukturuara superpozohen mbi baza figurative dhe realiste, që bëhen pre e kësaj loje, por që qëndrojnë gjithsesi të lexueshme nëpërmjet filtrave gjeometrikë. Loja ka për qëllim të vërë në pikëpyetje krijimtarinë ‘tradicionale’ të artistit (peizazh, kompozime, natyra të qeta, figura njerëzore…) nëpërmjet denatyralizimit dhe transformimit të teknikave dhe motiveve klasike të tij.

1 cover tasoArtisti duket të insistojë qëllimisht në karakterin grafik për t’i dhuruar pikturës një strukturë e dimension të ri”, shprehet Taso. Dhe kësaj përthyerjeje i nënshtrohet gjithçka që e rrethon, që nga gratë e moshuara të mëhallës, te zamzanet e rakisë, penelat, furçat, kavaletet, madje edhe vetë imazhi i tij thyhet në qindra copa, sipas copëzave gjeometrike të pasqyrës së thyer.

“Këto tablo ‘të përmbysura’ nuk janë tjetër veçse punime të konsideruara si të papërfunduara apo të papërfundueshme. Ato i nënshtrohen një metamorfoze të zellshme, gjatë së cilës artisti aplikon një sërë ndërhyrjesh teknike për të krijuar një filtër opak në shikim të parë, por të lexueshëm për spektatorin gërmues. Ai ndez kuriozitetin prej arkeologu të çdonjërit prej nesh, duke na ftuar të zbulojmë në thellësinë e shtresave të veprës së tij”, thotë ai.

12tasoEkspozita sjell 40 punime në vaj, në formate të ndryshme, deri në 150×150 cm. Edhe pse nuk janë pjesë e një cikli të mirëfilltë, ato qëndrojnë fare mirë rreth boshtit që i ka dhënë edhe emrin ekspozitës. “Pasqyra e thyer” është kapitulli i tretë i një cikli mbi jetën në provincë. “Wine Day” prezantoi këtë cikël në 2006-n në Galerinë Kombëtare të Arteve, i ndjekur nga “Mikropolis” në 2012-n në Galerinë FAB. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 prill 2016.

METAFORA

Motivi i pasqyrës së thyer duket se është një shkëndijë e hershme, që e ka munduar vazhdimisht piktorin. Fryt i një ngjarjeje të thellë në kohë, që nuk lidhet posaçërisht me thyerjen e një pasqyre apo të një objekti të qelqtë, por edhe me thyerjen e një tradite, rituali, një gjendjeje shpirtërore, e cila në të vërtetë nuk do të humbiste kurrë, por do të përthyej në qindra sensacione të tjera.

10-tasoNë vitin 1967, një nga ato vite që do të linin një gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kujtesën e çdo shqiptari, gjatë të cilit u mbyllën dhe u shkatërruan institucionet e kultit, Taso, asokohe 13- vjeçar, asistoi në shkatërrimin e kishës së qytetit të tij.

Prej shandanit të kristaltë të hedhur përtokë, mblodhi copa që i shërbyen si kaleidoskop për të observuar dhe idealizuar realitetin.( E tashmë, pasqyra e thyer transformohet për piktorin, që nuk është më një fëmijë, në një filtër magjik mbi botën dhe shërben gjithashtu si një urë lidhëse midis artistit dhe historisë së familjes së tij.( Një pasqyrë e thyer e trashëguar brez pas brezi. Një lloj album familjeje, objekt afektiv dhe frymëzues, në të cilin pasqyrohen figurat e personave të dashur, që vijnë, ikin e nuk kthehen më. Vetë piktori e pranon se pasqyra reflekton raportin e ndërlikuar dashuri- urrejtje që ai ka me vendlindjen e tij.

9 tasoBesnikëria ndaj qytetit shpërblehet me avantazhin e qetësisë krijuese, por zymtësohet nga thatësira intelektuale që ofron provinca shqiptare. Pasqyra e thyer është një lloj metamorfoze poetike, e nevojshme për t’iu përgjigjur jo vetëm kërkimeve artistike të artistit, por edhe dëshirës dhe kuriozitetit fëmijëror për të magjepsur dhe për t’u magjepsur vazhdimisht nga bota që na rrethon duke e observuar dhe rindërtuar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura