Analizë nga Besnik Dizdari/ Do të ishte më mirë që të mos zhvillohet Asambleja e zgjedhjeve në FSHF

SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI

Duket si paradoksale kjo. Mirëpo, “Panorama Sport”, në numrin e saj të së enjtes, ka publikuar një “hetim” shumë kuptimplotë: ka fiksuar se në stadiumet e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë vijnë mesatarisht vetëm 1500 shikues për ndeshje! Sigurisht nuk më- tojmë që të vijnë 6686 shikues për ndeshje, siç ka qenë sondazhi i jehonshëm i anglezes së famshme “World Soccer” e vitit 1985, çka e nxirrte Shqipërinë të parën në Europë për numrin e spektatorëve në raport me popullsinë.

Asambelja

Ia vlen t’i kthehemi më vonë këtij përkujtimi unik. Këtu kisha me thënë se rënia e sotme e spektatorëve që prapë së prapë nuk do ta krahasojmë me atë të viteve ’80 të Shqipërisë së izoluar – e njerëzit s’kishin ku tjetër të shkonin përveçse në stadium – “vetmia” e 1500 shikuesve për ndeshje tregon largimin historik të sotëm të popullsisë shqiptare prej futbollit të saj.

E, pra, mjafton kjo dukuri, ky fakt për të pohuar se nuk ka rëndësi aspak se kush do të zgjidhet president (kryetar) i FSHF-së, por ka rëndësi parësore të mësohet përse shqiptarët i janë larguar kësisoj futbollit të tyre. Kjo do të thotë se ka pak rëndësi se kush do të jetë president i FSHF-së, por ka shumë rëndësi se si do t’ia bëjmë që gara më e madhe e sportit shqiptar, që është Kampionati Kombëtar i Futbollit me emrin krejt të papranueshëm “Superligë”, të jetë pra pjesë e plotë e jetës së shqiptarëve.

Ndërkaq, e përjetoni se ka disa ditë që, në tematikën sportive në shtyp e televizione, nuk flitet për gjë tjetër, por vetëm se kush do të jetë president i FSHF-së. Si të ishin zgjedhjet për presidentin shpëtimtar të një republike a shteti. Kur, nga ana tjetër, dihet fort mirë se këto zgjedhje nuk janë thjesht për presidentin e FSHF-së, por janë zgjedhjet për organet drejtuese të saj.

E, këtu kisha me thënë, se në thelb, më shumë rëndësi se sa zgjedhja e presidentit, është zgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Kjo sepse ky Komitet me paanshmërinë dhe joservilizmin e tij ndaj statusit të presidentit – jo të një lokalizmi thjesht kryeqytetas deri sa s’ka ku shkon më – do të merrte përsipër pikërisht rolin drejtues mbarëkombëtar që i takon. Pa harruar ndërkaq, se sot me përbërjen që ai ka, krejt pak përfaqë- son gjithë hapësirën e futbollit të Shqipërisë.

Kur ndërkohë me mungesën prej vitesh në këtë Komitet Ekzekutiv të personaliteteve të sportit e futbollit kombëtar, po aq edhe të kulturës e jetës intelektuale kombëtare shqiptare, detyrimisht të çon në shumë pikëpyetje. Le të dëshirojë të ketë prirje autokrate presidenti i zgjedhur i FSHF-së, le të ketë dëshirë që gjithçka ta ketë vetëm në duart e tij, ai kurrë nuk do të mund të jetë i tillë, nëse aty do të ketë një Komitet Ekzekutiv të përbërjes së mësipërme, të një formimi intelektual, dinjitoz, të pakompromis edhe ndaj një presidenti, nëse ky i bie ndesh politikës së zhvillimit, rëndësisë përhapëse të futbollit kombëtar.

Duket ndërkaq se është ngushtuar tejet rrethi i shtresës intelektuale në mjedisin e futbollit tonë. Për ta kuptuar këtë, përveç sondazhit për numrin e spektatorëve në ndeshjet, do të ishte mirë të ndiqej një tregues tjetër, po aq interesant: ai që do të përcaktonte se prej çfarë kategorie sociale të popullsisë përbëhet “anëtarësia” e shifrës kërcënuese “1500”.

Nuk i lejohet kësisoj, medias shqiptare, që çdo ditë të flasë për zgjedhjet për presidentin e FSHFsë, edhe sepse kjo, përveç të tjerave, nuk është e vërtetë. Pra, nuk është e vërtetë se këto zgjedhje i kushtohen zgjedhjes së presidentit të FSHF-së. E vërteta është se ato janë zgjedhje për drejtimit tanësor për futbollin shqiptar, ku doemos hyn edhe zgjedhja e presidentit të tij. Të vjen vërtet keq që media shqiptare bie në kurthin e “madhështisë zgjedhore” të një njeriu të vetëm, të një “lideri shpëtimtar” të futbollit kombëtar.

E, edhe për këto them se do të ishte më mirë që Asambleja zgjedhore e FSHF-së, tash për tash, të mos mbahet. Në stadin që kalon problematika e mprehtë e ecurisë apo mosecurisë së futbollit shqiptar, do të ishte shumë më e drejtë që të zhvillohet një Asamble kombëtare e FSHF-së apo e futbollit shqiptar, quaje si të duash, që t’i kushtohet ndryshimit rrënjësor të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Dhe kjo jo vetëm për t’i përngjarë sa më shumë që të jetë e mundur Statuteve të shteteve të futbollit më të përparuar, por edhe me origjinalitetet që të detyron shkalla e zhvillimit të sotëm të futbollit tonë. Një Statut, i cili mbi të gjitha, do të sanksiononte themelimin e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë.

E cila duket qartë se deri tani është penguar pikërisht prej një mendësie “private”, e mbështetur fort prej një lloj gazetarije servile, e cila madje ka mbështetur tezën, po servile, se mosformimi i Ligës është për faj të përgjegjësve të klubeve të futbollit dhe jo të FSHF-së. Dhe sa me djallëzi është heshtur nga ana e drejtimit të futbollit për mosthemelimin e Ligës!

E kujtoni pra, se sa mbrojtje ka kjo mendësi nga një pjesë e shtypit. Madje, deri te mbështetjet “universale”, ku si askund në Europë, politikat e futbollit guxojnë t’i trajtojnë – sigurisht njëanshmërisht – deri dhe vëzhguesit e ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar, të cilët çdo javë, pa pyetur aspak për konfliktin e interesit të tyre “federalist”, sundojnë në ekranet e televizioneve.

Natyrisht jo thjesht për fajin e tyre, por për fajin e televizioneve që me sa duket nuk mund të bëkan pa to! Janë të vetmit në Europë! E tash së fundi madje, në kësisoj rolesh “propagandistike” po mbërrijnë deri dhe shitblerësit (“menazherët”) e lojtarëve. Vetëm një Statut, i cili mbasi do të sanksiononte themelimin e Ligës Profesioniste të Futbollit Shqiptar, do të detyronte që mbrenda një kohe të shkurtër të realizohej privatizimi i plotë i klubeve simbas modeleve të sotme, qoftë dhe me dhimbje të përkohshme, çka do të ishte hapi i parë i madh për ndryshimin.

Për të synuar kështu, që rrjedha e ecurisë së klubeve të qyteteve shqiptare të përçohet në një jetë normale të stilit europian. Miratimi i një Statuti të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit do të sanksiononte edhe detyrime të tilla që delegatët e Asamblesë të jenë presidentët e klubeve profesioniste siç dhe janë – por ata, ashtu siç e kanë federatat e shteteve më në zë të Europës, të vinin në një asamble zgjedhore duke pasur të paktën 12 muaj në krye të këtyre klubeve.

Po ashtu që delegatë të Asamblesë të jenë edhe drejtuesit e shoqërive të Ligës amatore të futbollit (a ekziston kjo në Shqipëri?); natyrisht edhe delegatë votues – përfaqë- sues të futbollistëve, trajnerëve e të arbitrave, që pak a shumë marrin pjesë edhe te ne. Ndonëse mënyrat, përzgjedhjet, kriteret duken të jenë tepër larg kërkesave të kohës së sotme. Për të shkuar mandej te stili i një shteti të parë të futbollit në Europë, i cili këtë e ka përcaktuar aq bukur deri në imtësi madje, në Statutin e tij.

Bie fjala, ai sanksionon që Liga Profesioniste të përbëjë 34 për qind të numrit të delegatëve me të drejtë vote, ajo amatore po 34 për qind, delegatët futbollistë 20 për qind, delegatët trajnerë 10 për qind, delegatët arbitra 2 për qind. Po ku t’i gjesh Ligat kësisoj të futbollit në Shqipëri, kur nuk ka Ligë?… Pa shkuar tek ajo tjetra, që statutet e tyre kanë ndërkaq përcaktimin me mjaft vlerë, atë të pranisë së delegatëve pa të drejtë vote, por me të drejtë diskutimi për të ndaluar sidomos prepotencën e mendimit sektar të drejtimit ekzekutiv.

2.

Natyrisht këto janë vetëm disa prerogativa a “ligje” që i kanë Statutet e vendeve të futbollit më të përparuar dhe më me përvojë organizative. Çka natyrisht nuk mund të merren absolute, duke u kopjuar si me urdhër. Kësisoj, kur merr parasysh se çfarë stadi po kalon futbolli shqiptar i sotëm, detyrimisht Statuti i FSHF-së, do të duhej të kishte edhe specifikat e tij.

Një prej të cilave mund të ishte që nga një asamble tejet e gjerë të dilte një Këshill Kombëtar – përfaqësues i të gjitha qendrave futbollistike të vendit – i cili, ndonëse jo në përditshmërinë e tij, do të vepronte përmes detyrimeve mbikëqyrëse të tij ndaj Ekzekutivit. Pa shkuar tek ajo tjetra, që mund t’i shkonte për shtat specifikës së përhapjes së futbollit në Shqipëri, që do të shtonte pra, në më shumë se 1 a 2 numrin e delegatëve me të drejtë vote për qendrat më të zhvilluara e më me peshë demografiko-ekonomiko-sociale të prefekturave apo bashkive.

Është shumë pak që një grup prej vetëm nja 60 a 70 delegatësh të ketë në duart e tij gjithë hapësirën e gjerë zhvilluese të futbollit shqiptar. Është kaq pak dhe kaq e ngushtuar sa nuk ka ku shkon më. Dhe me mundësi ideale që mbrenda nja dy ditëve t’i takosh të gjithë ose në pak minuta, krejt rrufeshëm t’iu nisësh mesazhet e fatmadhit celular për t’ua “blerë” votat. Sigurisht, nuk është fjala t’iu kthehemi gjigandizmit të “votimeve” spektakolare të kohës së Regjimit, por një ngushtim i tillë e ka zvogëluar tejet peshën vendimmarrëse tansisht përfaqësuese të krejt përhapjes gjeografike të familjes së futbollit shqiptar.

E, përveç shumë të tjerave – për të cilat kemi shkruar kushedi sa herë – edhe veprimtaria e këtij Këshilli, do të ndikonte jo pak për të mbështetur fort shërimin e plagës së madhe të futbollit shqiptar, që prej vitesh ka lënë jashtë Kampionatit Kombëtar të mpakur sa s’ka ku shkon më nën trysninë e shifrës shtypëse “10”, qendra të mirënjohura të tij, çka tashmâ i kemi përmendur kushedi sa herë: Kavajën, Beratin, Elbasanin, Dinamon…

Një fakt apo dukuri që, pa pikë ndrojtjeje, është pritur thuajse me buzagaz në mjediset “e pafajshme” që kanë pasur ndër duar drejtimin e futbollit. Ndërkohë që po e quajmë të rastit rënien e “mbretëreshës” së kampionatit tonë, Sportklub Tiranës – edhe pse ky rast i ka dhënë një lloj goditje “knockout”-i deri në një varfërim të skajshëm përmbajtjesor, gjeopolitikës së futbollit të Shqipërisë. Kur ndërkaq, rreziku i rënies më të fundit duket se po bie mbi dy qendra të mëdha historike të futbollit, Vllazninë e Shkodrës dhe Teutën e Durrësit.

Ndodhemi kështu, para fakteve dramatikë për krejt historinë tonë të këtij sporti. Futbolli shqiptar nuk ka problem se cili do të jetë presidenti i Federatës së tij. Përkundrazi, ai ka problem se a do të ketë një Statut të atillë, që në radhë të parë të krijojë hapësirë që në kryesinë drejtuese të FSHF-së të kenë mundësinë që të zgjidhen intelektualë të futbollit, të jetës sportive e kulturore shqiptare, njerëz të ditur e të një përvoje sa futbollistike po aq dhe tradicionale qytetare.

Dhe që patjetër në këtë Komitet Ekzekutiv të jenë anëtarë të tij përfaqësues të zgjedhur nga Tirana e tre klubeve po e po, por detyrimisht edhe Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Kavaja, Elbasani, Berati. Gjirokastra, Lushnja, Fieri… Kanë qenë dhe janë qytetet më futbollistike të Shqipërisë.

Pra, jo një tanësi vetëm prej të zgjedhurve që vijnë prej njerëzve “të rinj” të kryeqytetit. E aq më pak njerëz të politikës së ditës, të cilët, sado që të mundohen, vetvetiu që do të sjellin në drejtimin e FSHF-së ndikimin e një politike po të ditës, e pse jo edhe partiake, e cila duket se në Shqipëri ka dëshirë disi të shfrenuar të jetë e pranishme kudo dhe “të përvetësojë” gjithçka. E, pra, edhe futbollin. Për të gjitha këto, nëse duam vërtet të nxisim ndryshimet e mëdha në zhvillimin e futbollit kombëtar, mendoj se do të ishte mirë që zgjedhjet e FSHF të mos zhvilloheshin tash për tash.

Dhe një Asamble jozgjedhore mbarëkombëtare (vërtet mbarëkombëtare) të mblidhej për sendërtimin dhe miratimin e Statutit të ri modern të FSHF, që do t’u shërbente më fort ndryshimeve për mirë të futbollit kombëtar. Dhe vetëm mandej, mbas miratimit të këtij Statuti, të vendoset që e pakta 6 muaj më vonë të mbahej Asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Na duhet të përmbysim një lloj mendimi statik që mbizotëron, që ka rrezik që të na çojë te përdorimi pa arsye i fetishizimit të suksesit të madh të Kombëtares në EURO 2016 me rreth 90 për qind lojtarë, të cilët nuk janë prodhim i futbollit të Republikës së Shqipërisë. E, pra, ndoshta arritja më e madhe se kjo ishte ndërtimi për herë të parë i dy stadiumeve modernë. Ta do mendja se emblemë në futbollin e një shteti nuk mund të jetë as Kombëtarja e nja 7-8 ndeshjeve në vit dhe aq më pak presidenti (kryetari) i Federatës së futbollit të tij, cilido qoftë ai.

X X X

Mbi 25 vjet më parë, më 21 gusht 1992, autori i këtushëm ka botuar në gazetën “Sporti”, siç quhej edhe për pak kohë – “Sporti Shqiptar” pra, që ai drejtonte – “pikëpamjen”, siç e ka quajtur, me titullin “Mendësitë e reja të futbollit”. Midis të tjerave shkruante: “… Përvoja europiane aty është. Nëse Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka një kryesi prej 20 vetash që vijnë nga 16 qytete të ndryshme, kjo nuk do të thotë që edhe Shqipëria të ketë kaq…

Kjo do të thotë që ashtu si ajo, edhe ne të kemi përgjegjës konkretë: atë të Kampionatit Kombëtar, atë të kampionatit kombëtar të kategorisë së dytë, atë të të rinjve… Nëse H.Nojberger është presidenti i DFB, zoti i Bundesligës është Mayer. Nëse ky është zoti i Bundesligës, president i Bundesligës 1 është Bohmarti dhe i Bundesligës 2 Piepenbroku… Pra, nëse Italia ka kryesi të Federatës (FIGC) me 24 veta, kjo nuk do të thotë se kaq duhet të ketë edhe Shqipëria…

Por kjo do të thotë se, ashtu si dhe ajo që, përveç presidentit të madh Matarrese ka dhe presidentin e Ligave profesioniste, avokatin L.Nizola, edhe ne të kemi presidentin e kampionatit kombëtar. E, po kësisoj, nëse FIGC ka presidentin e Ligës së kategorisë së tretë që është dr. G.Abete, kjo do të thotë që edhe ne mund të kemi shefin e kampionatit të kategorisë së dytë, i cili do të përgjigjet ditë për ditë me komisionin e tij për zhvillimin e këtij kampionati…”.

Nga këto radhë “të vjetruara” del se e paskemi kërkuar themelimin e Ligës Profesioniste të Futbollit Shqiptar, menjëherë mbas rënies së Regjimit, plot 25 vjet më parë! Mirëpo, ja që nuk e kemi formuar ende, as mbas 25 vjetëve! Dhe as nuk kemi dëshirë ta formojmë. Kemi dëshirë vetëm të flasim për zgjedhjen e presidentit të FSHFsë dhe të mos flasim asnjë fjalë se cilët janë kandidatët prej të cilëve do të zgjidhet kryesia e re (Komiteti Ekzekutiv) e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sa qejf që i kemi “sundimtarët”, të cilët “i ledhatojmë”, “u përulemi”, “i ftojmë”… Ndërkaq, e shihni se sa është ngushtuar rrethi i varfër i pretendentëve për presidentin e FSHFsë, kur ende nuk dimë se a ka një rreth të gjerë kandidatësh për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, teksa nuk përmendet asnjë emër prej tyre, që merret me mend se mund të jenë edhe më të rëndë- sishëm se presidenti, ashtu siç u shpjegua më lart.

Nja dhjetë vjet të shkuara më patën nxitur fort që të kandidoja për president në FSHF, sepse edhe një gazetar me përvojë mund të zgjidhet, apo jo? Natyrisht nuk pranova. Ngaqë e mendoj veten thjesht një gazetar. E them këtë për të qenë krejt i sinqertë ndaj ndonjë lexuesi, i cili, për një çast, mund të mendojë se këtë shkrim për “kundër” Asamblesë zgjedhore të FSHF-së e bëra për ndonjë ambicie vetjake për t’u zgjedhur në FSHF. Kurrsesi!

 

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakOperohet bashkëshortja e Panuçit, falenderim special për trajnerin
Artikulli tjetërNdërron jetë një tjetër i dënuar

S'KA KOMENTE

Comments are closed.