ANALIZA/Preç Zogaj: Cilët janë kandidatët më të mirë në zgjedhje? Përkushtim e punë nga Komisioni i PD, por në fund do zgjidhen kandidatë që ‘shqyejnë’ vota dhe jo dhëndurë për nuse. Pse përgjegjësia është e Bashës

| 22:00
SHPËRNDAJE
 

Basha-Rama-kandidatet-zgjedhja-deputetet

Nga Preç Zogaj

Komisioni  i vlerësimit  të  kandidatëve për  deputetë dhe kryetarë bashkish në  Partinë Demokratike  po çon drejt përfundimit listën  që do t’i  paraqitet  anëtarësisë për votim me parimin një anëtar një votë.

Ky është vlerësimi  i dytë pas të parit, me të madhit, që pati marrë në shqyrtim  tremijë e nëntëqind  kandidatë  të propozuar  nga seksionet  e Partisë Demokratike në mbarë vendin, duke kualifikuar për  të vazhduar më tej  rreth njëmijë syresh.

Në seleksionimin e dytë  Komisioni  ka nxjerrë nga njëmijëshja  treqindën që do t’i nënshtrohet votimit. Stafeta  tani i kalon anëtarësisë, që  do të  vazhdojë me votë negative të  fshehtë  shkurtimin e mëtejshëm të listës për t’i lënë radhë Kryesisë së PD  që do të marrë vendimin përfundimtar.

Pa hyrë në hollësira,  vetëm duke e vështruar nga jashtë, ky proces me pesë etapa, që janë në vetvete pesë provime apo pesë filtra për çdo  kandidat,  nxjerr në pah punën  dhe përkushtimin e madh  të komisionit prej pesë anëtarësh që mori përsipër të zbatonte në  fazat më  delikate e më të ndjeshme të procesit  një  model të paprovuar më parë nga asnjë parti në vendin tonë. Madje as në Europën kontinentale ku  po zbatohen gjithnjë e më gjerësisht  modelet  e thjeshta  të primareve- anëtarët votojnë kandidatët  që vetkandidohen në bazë të disa kritereve që  vendos partia- ose kryetarët e partive  marrin  përsipër autorësinë e plotë të listës së  kandidatëve shoqëruar me  klauzolën  e dorëheqjes në rast humbjeje.

Efikasiteti i  modelit të ndërmjetëm që  ka përshtatur  PD  mbetet për t’u verifikuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ajo që mund të thuhet në këtë fazë është se anëtarët e komisionit, jo vetëm ofruan  një shërbim të çmuar për Partinë Demokratike, deputetë dhe zyrtarë  të lartë të së cilës kanë qenë katër prej tyre, por bashkë me zonjën Papa  kanë   bërë  sipas  mendimit tim  një shërbim tjetër po aq të madh: me autoritetin, integritetin, profesionalizmin  dhe  të qenët jashtë  konfliktit  të interesit ata kanë  ndikuar e vijojnë të ndikojnë  për të zbutur ndjeshëm reagimet e natyrshme  të atyre që eliminohen,  për rrjedhim uljen e kostos së pakënaqësisë  së tyre.

Nuk ka dyshim se ka  prej  këtyre kandidatëve  që nuk janë pajtuar  menjëherë  e do të vazhdojnë të jenë të mërzitur që janë  skualifikuar, por kur mendojnë se  numri i  të propozuarave  ka qenë i madh, se vetë kandidimi  ka qenë  dhe mbetet një nderim për ta, se  nuk ka rrugë tjetër veç skualifikmit për të arritur të lista  përfundimtare,  se fitorja  e zgjedhjeve është interesi i përbashkët madhor i demokratëve,  se  marrja e pushtetit hap  perspektiva të sigurta angazhimi në  shumë poste  politike shtetërore për të gjithë ata që  përmbushin  kriteret,   shumica dërmueseve e  të mërziturve    e hedhin pas krahëve  hatër mbetjen.  Mendoj se në këtë paqtim të shpirtrave  ka ndikimin e  vet të veçantë  edhe  integriteti i komisionit.

Si përfundim, Kryesia e Partisë Demokratike   dhe kryetari Lulzim Basha  do të kenë  në dispozicion një listë  kandidatësh  të filtruar si asnjëherë tjetër. Është një premisë pozitive  për të përzgjedhur më  mirë se herë të tjera.

Por pikërisht këtu del  në pah një problem  me të cilin  komisioni  mund të merrej deri në njëfarë pike, por  zgjidhjen dhe vulën e fundit e ka  kryesia  dhe Basha.  Mbi të gjithë Basha,  i cili pavarësisht  ndërtimit të  procesit  me  pesë faza, mbetet përgjegjësi numër një  i listës.

Problemi mund të formulohet në formën e pyetjes “ çfarë janë kandidatët  më të mire në zgjedhje”?    Merret vesh se nuk  janë  për ti bërë  dhëndurë  apo nuse, siç thotë shprehja popullore; nuk janë për ti vendosur në tabelën e nderit, për  t’u dhënë  dekorata e tituj; nuk janë për t’i klonuar si popullin e ri të së ardhmes ,  siç do të thoshte,  Michel  Holebek,  autori i romanit futurist “Ishulli i mundshëm”.  Zgjedhjet  janë  më pak se kaq , por zgjedhjet kanë një specifikë. Kandidatët nuk konkurrojnë me  formularë dhe dosje,  siç konkurrohet për një  vend pune, por me prani, pikësëpari me prani.  Kandidatët më  të mirë në zgjedhje  janë ata që bashkë me përmbushjen e kritereve bazë  galvanizojnë shpresën, mobilizojnë mbështetësit  dhe zgjedhësit e zonës gri, marrin vota, “ shqyejnë” vota në kuptimin e aftësisë  t’i marrë, përcjellë  e mbrojtur pa firo ato  mbrojtur  në qendrën e votimit, në numërim dhe  regjistrim. Kjo është e thjeshtë të thuhet me fjalë. Në praktikë, në terren kandidati që “ shqyen” votat është një specie politike e veçantë, asnjëherë në një prerje standarde,  por në shumë prerje, sipas tipave,  natyrës se zgjedhësve në zonën  përkatëse, gjendjes  së punëve aty.  Partia dhe lideri i saj i  njohin e duhet ti njohin mirë këto  “specie”.

Nëse  në fazat paraprake seleksionuese janë në plan të parë  kriteret, në fazën finale  diferencën e bëjnë ata që marrin vota. Në fund të fundit zgjedhjet për këtë bëhen. Kush merr më shumë vota. Gjithçka tjetër i nën vendoset  të qenit  ose  jo autokombajnë votash, siç thuhet. Kjo që po themi ka vlerë për listat njëqind për qind  hapura, por edhe për të mbyllurat,  nëse ndodh që shumica, për një arsye a tjetër  e lë litarin jashtë,  duke hapur bishtin e  mbyllur kreun e listave.  Në  të gjitha zgjedhjet, sidomos në këto që  kemi përpara, nuk ka vend për qoka e ndere, siç ka ndodhur në të kaluarën. Nuk ka vend as për eksperimente  politike naive  të natyrës puritaniste a  eugjeniste, që  janë jashtë natyrës njerëzore, nuk vlejnë në zgjedhje të lira  dhe nuk i shkojnë Shqipërisë. Sot më pak se kurrë.

Në fillimet e demokracisë ishte kryesisht  fryma që  zhvendoste vota masive  herë në një krah, herë në krahun tjetër. Në vitin 1992, për shembull,  PD fitoi thellë në zgjedhjet politike të 22 marsit,  rreth 67 përqind të votave proporcionale. Katër  muaj më vonë,  në zgjedhjet vendore të korrikut,   rreth njëzet përqind e këtyre votueseve  nuk votuan më PD,  por PS dhe parti të tjera.

Me kalimin e viteve fryma erdhi duke e bjerrë, por  rëndësia e kandidatit në zonë erdhi duke u rritur derisa ishte në fuqi sistemi mazhoritar i garës kokë me kokë. Më vonë në plan të parë doli organizimi për të mbërritur në ditët tona kur organizimi ka marrë formën e  rrethimit të zgjedhësve nga PS,  duke i  mbajtur gjoja në lidhje të vazhdueshme, në të vërtetë nën  presion të vazhdueshëm   përmes listave të patronazhit që  kanë në duar të ngarkuarit  e PS në zona. Njëzet deri në tridhjetë zgjedhës secili. Këta  ndjekin online  pozicionin dhe humorin  e zgjedhësve  në ngarkim.  Duke qenë në pushtet  ofrojnë  sipas rastit,  premtime, ndere, lëshime, dhurata, lekë,  kërcënime, të gjitha këto   me qëllim që  të mbajnë  sa më shumë  prej tyre në rresht.

Në ketë mënyrë  drejtuesit zonalë të PS e dinë pothuajse  me saktësi  sa vota kanë në  kuti para se të numërohen. Në këtë sistem zgjedhjet kanë humbur  magjinë  e votës së fshehtë, befasinë e një vendimi autonom  të zgjedhësve të lirë  në kutinë e fshehtë. Zgjedhjet janë katandisur në aritmetikë.  Unë nuk kam dijeni sa ligjor është “rrethimi” në këtë mënyrë i zgjedhësve me justifikimin  e kontaktit të lirë me ta. Po gjithë ky mbulim  është kundër lirisë së zgjedhjeve dhe  lirisë në përgjithësi.  Zvogëlimi i popullsisë  dhe i numrit të votueseve  i jep dorë   kësaj aritmetikë, apo thënë ndryshe, mbajtjes në thundrën e organizmit të një numri të mjaftueshëm zgjedhësish për  të  shpresuar e synuar  fitoren.

Objektivi- direktivë i zotit Rama për të marrë  tetëqind mijë vota  apo shtatëdhjetë e katër deputetë është ilustrimi perfekt i kontrollit të zgjedhjeve.
Unë nuk e përjashtoi rikthimin e frymës, por mënyra si po organizohet PS dhe me strukturën e sotme të korpusit elektoral në vend, ku shumë e shumë njerëz e familje  janë detyruar  të bëjnë pakte të vogla me djallin për të mbijetuar,   PD e ka jetike  të nxjerrë përpara kandidatë që dinë të marrin votat e  subjektit  e jashtë subjektit dhe t’i mbrojnë ato deri në fund. /Gazeta Liberale

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

  1. me hajdutet dhe krimilet akoma pd vetem tju beje santazhe popullit se perndryshe nuk merr vota, te gjithe keta po te kishte gjykata te rregullt duhet te ishin ne burg

Comments are closed.