Kush e mban “hipotekën” e karrierave dhe kontributeve politike?

Apr 25, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Fjala “hipotekë” këtu tingëllon metaforike, por është edhe reale. Për partitë e djathta, karrierat dhe kontributet e individëve që angazhohen në politikë janë pronë. Siç është edhe mendja pronë. Kush e mban këtë hipotekë? E mban e duhet ta mbajë kryetari i partisë pikësëpari. E mbajnë forumet funksionale. E mban anëtarësia. E mban tradita dhe mirëkuptimi për njohjen dhe promovimin e vetvetishëm të vlerave e kontributeve. Në mungesë të praktikës së commun sense, që zbatohet kryesisht në vendet me demokraci të vjetër, partitë u japin zgjidhje këtyre çështjeve në statutet që rregullojnë funksionimin e tyre.

prec zogaj

Në fakt, statutet e partive shqiptare janë rëndom letra pa interes publik. Për fat të keq. Statutet nuk janë marrë e nuk merren seriozisht nga publiku për një arsye të ditur: kryetarët e partive, të mëdha e të vogla, i kanë shkelur me këmbë sa herë u është dashur. S’ka rëndësi çfarë shkruhet në to. Është pikërisht kjo sjellje prej padronësh e kryetarëve, arsyeja pse diskutimet apo nismat e herëpashershme për ndryshimin e statuteve perceptohen nga publiku si rrahje uji në havan. PD kishte dhe ka një mundësi ta prishë këtë rutinë në kongresin e saj për statutin.

Kryetari i saj, Lulzim Basha, duke zhvilluar konceptin e demokracisë pjesëmarrëse, ka folur disa herë gjatë viteve të fundit për futjen e primareve, domethënë, përzgjedhjen me votën e anëtarësisë të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish, një praktikë që zbatohet prej dekadash në SHBA dhe po zbatohet gjerësisht sot në vendet europiane. Gjatë fushatës elektorale të vitit të shkuar, Basha e përfshiu idenë e primareve në një paketë propozimesh, që në tërësinë e tyre synonin reformimin e sistemit politik në Shqipëri.

Zgjedhja e kandidatëve nga anëtarësia, rikthimi në sistemin zgjedhor maxhoritar, rishqyrtimi i performacës së deputetëve nga zgjedhësit në mes të mandatit, konsultimet e gjera me grupet e interesit për çdo ligj e vendim të rëndësishëm- këto ishin disa prej pikave, mbi të cilat mbështetej koncepti i reformimit të politikës. Basha shkoi ndërkohë edhe më larg, duke folur në stilin e një La Fayet, figurë e njohur e Revolucionit amerikan dhe francez, për deputetë të qytetarëve, që vërtet janë kandiduar nga partitë, por kanë busull interesin publik, për një Kuvend të përfaqësuesve të popullit, që nuk janë në ato karrige për të bërë noterin e qeverisë, por për t’i qëndruar asaj përballë si opozitarë apo si oponentë.

E gjithë kjo tingëllonte utopike në mjedisin shqiptar, të lustruar nga konformizmi lajkatues i shumicës së deputetëve shqiptarë ndaj kryetarëve të partive. Por ndryshimet e mëdha gjithnjë kanë startuar nga një lloj utopie: përse të mos besohej, përse të mos e provonte një politikan i gjeneratës së re si Lulzim Basha? Statuti i PD-së mund të japë sot përgjigje vetëm për një pikë të kësaj paketë. Për atë të përzgjedhjes së kandidatëve, të cilën e ka në dorë vetë çdo parti. Sistemin zgjedhor e caktojnë me ligj opozita dhe qeveria. Primaret e paralajmëruara nuk janë përfshirë në statutin e ri. Nuk është e lehtë, sigurisht dhe nuk e përjashtoj se kur janë premtuar mund të ketë pasur më shumë dëshirë e entuziazëm sesa bindje.

Futja e primareve kërkon, veç të tjerash, parti të organizuara, me regjistra të saktë të anëtarëve dhe simpatizantëve. PD, me sa duket, nuk është përgatitur ta hedhë këtë hap. Por shpjegimi i tërheqjes, duke njoftuar edhe një afat eventual se kur mund të votohet me primare, qoftë edhe në formën e projektit pilot në disa degë të zgjedhura, është një detyrim etik para anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë. Në mungesë të primareve të pastra, po thuhet nga drejtuesit e PD-së ky statut e ka fuqizuar si asnjëherë tjetër më parë anëtarësinë.

Për shkak të rëndësisë që i kam dhënë votimit të drejtpërdrejtë përgjatë gjithë angazhimit tim të gjatë politik dhe publicistik, jam shumë i interesuar t’i gjej dhe t’i promovoj risitë e statutit të ri në këtë pikë, qoftë edhe si një hap i ndërmjetëm drejt primareve të vërteta. Në fakt, është pak e vështirë t’i dallosh këto risi në pyllin e rregullave. Në nenin 12, nëse ky është neni përfundimtar i statutit, thuhet se: “anëtarët e Partisë Demokratike kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale, sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara në rregulloren e brendshme dhe në udhëzimet e kryesisë së PDSH”.

Dhe më poshtë: “Kandidaturat përzgjidhen e seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së”. Në këto formulime të përgjithshme nuk është shkruar ajo që është thënë në konferencat e shtypit se kandidaturat do të votohen nga anëtarësia me parimin një anëtar, një votë. Mund të jetë harruar dhe kjo duhet korrigjuar menjëherë, sepse është një pikë substanciale. Nëse formulimi lihet kështu siç është, do të thotë se anëtarësia do të konsultohet sa për formë, në mbledhje të hapura, si ato që bëhen prej vitesh, ku gjithkush thotë një emër, dikush për bindje, dikush për oportunizëm, dikush për qokë dhe del ajo lista shumë e gjatë, që nuk e sheh njeri.

Por nëse formulimi korrigjohet dhe i jepet e drejta anëtarësisë të nxjerrë me votë të fshehtë renditjen e kandidatëve, PD ka hedhur vërtet një hap të madh përpara në krahasim me praktikat e dy dekadave të fundit. Por jo në raport me krejt historinë e saj. Në vitin e largët 1992, PD ka qenë afër primareve, për të cilat flitet sot. Në atë kohë, anëtarët e PD-së kanë votuar me votë të fshehtë listën e kandidatëve për deputetë. Sigurisht, janë mbledhur forumet për t’i venë vulën përfundimtare zgjedhjes nga baza; kryetari i Partisë, zoti Berisha, ka përdorur ndikimin dhe instrumentet e tij për të hequr dikë e shtuar dikë tjetër, ka pasur tek-tuk intriga dhe manipulime, por në një përqindje mjaft të lartë, lista ka mbetur ajo që ka propozuar anëtarësia. Neni i fuqizimit të anëtarësisë në statutin e ri ka ekuivokë, që duhen rregulluar dhe besoj se do të rregullohen në Kongres para votimit.

Një aspekt tjetër shqetësues që ndeshet në këtë nen dhe në nene të tjerë të statutit, është mbathja e të drejtave me rregullore, me udhëzime, me komisione, që lënë hapur kapjen faktike të vendimmarrjes nga një dorë apo një kupolë njerëzish, që në këtë rast u bie të jenë më të barabartë se të barabartët, siç do të thoshte një shkrimtar i njohur anglez. Një pyetje që do të ndihmonte një diskutim konstruktiv për këtë çështje, do të ishte: A do të mund të shkonte drejt noninimit si kandidat për President i SHBA zoti Donald Tramp, nëse gara në Partinë Republikane ku ai bën pjesë të ishte e kushtëzuar nga “rregulla e udhëzime të brendshme”, që pavarësisht qëllimeve të mira që u vesh retorika, vetëm e dëmtojnë në thelb garën e lirë?

Kam përshtypjen se jo. Analogjitë çalojnë. Por thelbi është pak a shumë i njëjtë. Shembuj të ngjashëm që tregojnë se jo aparatet partiake, por gara e lirë mundëson ruajtjen e karrierave, qarkullimin e elitave dhe daljen e talenteve, ka plot edhe në Europë. Të gjithë i dimë, i shohim. Ato janë modelet për t’u ndjekur. Të vetmet kufizime që mund të vendosë partia për anëtarët dhe simpatizantët e saj për të bërë karrierë politike, janë kufizimet ligjore. E kundërta është me kosto elektorale. Në shoqërinë e hapur, partia e madhe është konkurruese, jo unike.

Gara, hapja dhe gjithë funksionimi i saj duhet t’i përshtaten konkurrueshmërisë. Statuti ri ka fuqizuar nga pak anëtarësinë dhe forumet. Kjo ka ardhur edhe si një reagim apo reflektim nga zgjedhjet e fundit. Mund të jetë një zgjidhje. Duke preferuar garën e lirë, por pa paragjykuar fuqizimin e liderit në një konjukturë politike të përligjur, unë e them me bindje një gjë: zgjidhjet më pak elektorale janë zgjidhjet hibride “as kështu, as ashtu”. Në qoftë se PD nuk shkon dot akoma te primaret dhe për rrjedhim nuk ndërton dot për momentin një sistem të karrierave që rrjedh nga fuqizimi real i anëtarësisë, do të ishte më e këshillueshme fuqizimi hapur i liderit, pa i rënë tërthorazi, duke vendosur me një marrëveshje xhentëlmenësh institucionin e dorëheqjes së liderit në kushtet e një rezultati, që nuk është thjesht humbës, por dukshëm përfaqëson një dështim dhe nuk jep asnjë shpresë për ringritje.

Në shërbim të kohezionit dhe fuqizimit të partisë, ky lider duhet të angazhohet në rrugë statusore apo në forma të tjera për tri gjëra themelore: për sigurimin e karrierave, për qarkullimin e elitave, për hapjen e partisë si gjendje, si hapje e mendjes, si sistem rregullash të lojës demokratike. Sigurimi i karrierave, për të cilin flitet për herë të parë në statutin e ri të PD-së, është një risi. “Nuk impovizohet klasa politike”, thoshte Andreoti. Kjo është një e vërtetë e madhe. Një karrierë e panjollë është një investim dhe një aset publik. Liderët autoritarë dhe pronarë të partive shqiptare rrallë kanë qenë në lartësinë e konsiderimit të karrierave si asete publike.

Ato janë investuar në mjaft raste për t’i ndalur, për t’i shkatërruar, duke promovuar me përparësi konformizmin, anonimatin, deri edhe individë me rekorde kriminale, gjë që ka sjellë një deformim të madh të standardeve të profesionalizmit në politikën shqiptare. Më shumë se kaq, ka sjellë pasoja kriminale për demokracinë, sigurinë dhe orientimin e vendit. PD ka vënë një frazë për hipotekën e karrierave në statutin e ri. Është një hap i parë, që duhet te konkretizohet me sisteme te matjes se kontributeve e aftësive.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura