Një lobim i dështuar që s’ka krahasim me krimin e kanabizimit

Nov 30, 2017 | 18:29
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Prej me shumë se një jave ka një përpjekje të madhe të kryeministrit Rama dhe njerëzve të tij më të afërt për të vënë në syrin e ciklonit Partinë Demokratike dhe kreun e saj, Lulzim Basha, pas publikimit nga BIRN të një artikulli të mbështetur në një raport zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, SHBA, sipas të cilit PD ka paguar dy a tre kontrata lobimi me lobistë amerikanë që kapin shumën 825 dollarë sipas BIRN. Partia Demokratike ka përgënjeshtruar disa nga të dhënat e artikullit, duke pohuar se ka paguar vetëm 125 mijë dollarë që i ka deklaruar sipas rregullave.

zogaj

Prokuroria ka nisur një verifikim për këtë çështje. Rezultatet priten të bëhen të ditura shumë shpejt, duke qenë se kontratat e lobimit në fjalë dhe pagesat e bëra janë deklaruar përveçse në Shqipëri (ato që pranon PD), edhe në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Pra, nuk ka ndonjë gjë për të zbuluar, por vetëm për të verifikuar. Publikimi i kësaj afere thuajse rutinore lobingu të partive kryesore shqiptare përkon në kohë me shpërthimin e skandaleve të drogës, apo drogopolit, siç do të thuhej përçasje me skandalin e tanxhentopolit në Itali, ku shihet të jenë përfshirë kupola e qeverisë së Edi Ramës dhe një numër shumë i madh oficeresh të lartë dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

E dërrmuar si asnjë qeveri tjetër nga këto skandale, Rama me shokë po bëjnë çmos të ngrenë një stuhi sa më të madhe me kontratat e lobimit të PD-së me qëllim që të largojnë sadopak vëmendjen dhe të balancojnë sa të jetë e mundur skandalet e tyre të drogës që kanë dalë e po dalin në dritë falë përgjimeve nga ana partnerëve perëndimorë. Është e drejta e tyre ta bëjnë këtë. I mbyturi nuk mund të qortohet se sheh shpresë te fija e barit.

Ma merr mendja kushdo në vendin e tyre do ta bënte, natyrisht jo aq trashë. Sepse realisht, afera e PD-së me lobingun dhe aferat e qeverisë me drogën janë jashtë çdo krahasimi qoftë sa u takon shkeljeve, qoftë sa u takon dëmeve që i kanë sjellë vendit. Ndaj përpjekja e Ramës me shokë për t’i vënë në një plan është veçse e sforcuar. Edhe sikur Prokuroria t’i gjejë të sakta të dhënat e BIRN.

Thënë këtë, kontratat e lobingut të PD-së me kompaninë amerikane meritojnë transparencë, analizë, reflektim. Edhe përgjegjë- si nëse është shkelur ligji. Fillimisht duhet të nënvizojmë faktin se kontratat e PD-së me kompaninë lobuese “Muzin Capitol Partners” të regjistruar në Maryland të SHBAve dhe me lobuesin “Stonington Strategies”, si pjesë e kompanisë së mësipërme, nuk janë investigime apo zbulime në kuptimin që të jenë nxjerrë nga fshehtësia. Ato janë deklaruar sipas rregullave në Departamentin e Drejtësisë së SHBA nga vetë kompania lobuese amerikane. Kjo hollësi i heq lajmit përmbajtjen dhe sharmin e zbulimit në kuptimin që kanë lajmet e kohëve të fundit nga fronti i drogës.

Por kjo hollësi nuk e zhvesh lajmin e pagesave të lobimit nga një lloj befasie dhe mandej edhe nga problematika që ngërthen financimi nga partitë shqiptare i kompanive ndërkombëtare për të lobuar në favor të tyre jashtë vendit apo për të asistuar me strategji, taktika, sondazhe, slogane e tjerë fushatat e tyre elektorale. Së shpejti besoj do të sqarohet në rrugë institucionale sa është shuma faktike që ka paguar PD për periudhën mars-qershor të këtij viti.

Shuma që thotë BIRN është vërtet e madhe për çdo subjekt politik në Shqipëri dhe sidomos për një parti që nuk kishte mundësi të mbështeste fushatën e kandidatëve të saj që u përballën me shpenzimet marramendëse dhe blerjen masive të votës nga PS, LSI dhe PDIU. Unë dua të besoj se kjo shumë do të vijë duke firuar rrugës në diferencën midis të thënës dhe të bërës për t’u ndalur aty ku thotë vetë PD. Nuk ka arsye që kjo parti të gënjejë për një gjë lehtësisht të verifikueshme.

Sidoqoftë, ma merr mendja se të gjithë kandidatët e PD-së, po të pyeteshin, do të ishin shumë dakord që këto para t’i jepeshin një kompanie lobimi që do të arrinte të informonte dhe sensibilizonte në shkallën e duhur zyrtarët më të lartë amerikanë në funksion të ndalimit të partive votëblerëse për të bërë atë që bënë në zgjedhje. Ky paralajmërim u dha në fakt njëherë në rrugë zyrtare, në janar të këtij viti, nga ambasadori i SHBA, Donald Lu, pa qenë nevoja e ndonjë lobimi, në kuadrin e ndihmës dhe mbështetjes konstante të SHBA për Shqipërinë mike. Lu deklaroi atëherë se politikanë të korruptuar dhe krimi do të blejnë zgjedhjet e 18 qershorit.

Më tej një paralajmërim si ky u zbeh në ndërthurjen e ngjarjeve të tjera dhe pastaj humbi fare në zakonin e politikanëve shqiptarë për të bërë sikur harrojnë kur nuk ua thua disa herë. Por mjerisht paralajmërimi i ambasadorit doli pikë për pikë. Politikanët e korruptuar dhe krimi i blenë zgjedhjet në Shqipëri. Rama nuk u tremb, përkundrazi, shkoi përpara dhe mund të themi se dyfishoi në oreksin e votëblerjes. Si e qysh guxoi ta bënte këtë, kjo mbetet gjithnjë një temë analize. Në këtë kontekst, duke parë se kryeministri i vendit të tij dhe rivali i tij ndihej komod të mobilizonte malavitën për të fituar zgjedhjet, Basha e ka pasur të detyrueshme të kërkonte me çdo çmim ndërhyrjen e Uashingtonit. Kjo ndërmarrje nuk ka funksionuar.

Lobistët u gjetën, kontratat janë bërë, një pjesë e parave janë paguar, por reagimi nga SHBA kundër kanabizimit dhe impaktit elektoral të drogës nuk qe ai që pritej; nuk qe ai që shohim të jetë sot kur zgjedhjet kanë përfunduar. Pse? Më e lehta gjë është të thuhet se lobimi dështoi për arsye se kompania e kontraktuar nuk ishte ajo e duhura. Por ka të ngjarë që arsyet të jenë edhe më komplekse. Rasti kërkon një analizë të ftohtë dhe realiste nga vetë Basha, nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë që zgjodhën këtë lobing, nga individë dhe forca të tjera të kualifikuara në PD dhe rreth PD-së që kanë kapacitetin për të kontribuar.

Fjala është për të analizuar e nxjerrë disa konkluzione të vlefshme për të ardhmen. Partneriteti strategjik me SHBA është një konstante e politikës sonë zyrtare dhe e partive kryesore që alternohen në pushtet. Ky angazhim programor kërkon në zbatim një interpretim të drejtë e sa më profesional nga ana e partive, sidomos kur partia është në opozitë. Duke shmangur me finesën e nevojshme asocimet ideologjike që prodhojnë nganjëherë edhe iluzione sikur Presidentët dhe qeveritë që alternohen në SHBA ua përshtasin politikën e tyre të jashtme pozicioneve ideologjike apo nevojave të partive të spektrit të tyre në vendet partnere.

Kjo nuk ka ndodhur e nuk ndodh. Ka qenë dhe është e gabuar të mendohet se Presidenti Tramp, fjala vjen, do të rishikojë axhendën e mëparshme amerikane për Shqipërinë. Koha ka treguar se në boshtet bazë politika amerikane ka vazhdimësi. Kjo u pa edhe në një detaj në dukje të zakonshëm, por kuptimplotë, të përshëndetjes së Presidentit Tramp për Presidentin tonë, Ilir Meta, me rastin e festës së Pavarësisë. Në tekstin lakonik të përshëndetjes së tij, Presidenti i SHBA kishte nënvizuar rëndësinë që i jep pala amerikane zbatimit të reformës në drejtësi.

Po ta lëviznin paratë e manjatëve apo të lobingjeve, Amerika nuk do të ishte kjo që është. Lulzim Basha e njeh mirë politikën e jashtme, ai ka performuar në nivel të lartë si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Në dritën e zhvillimeve të këtij viti dhe raporteve të bashkëpunimit miqësor e strategjik që shërben si kryetar i një partie që ka themeluar euroatllantizmin në Shqipëri, Basha duket të mënjanojë njëherë e mirë amatorët dhe amatorizmin në këtë lëmë me rëndësi të veçantë. Për sa i përket lobimit, unë mendoj partitë shqiptare duhet të heqin dorë nga dhënia e parave për shtrirjen e influencës së tyre në SHBA apo për të takuar politikanë të lartë amerikanë. Kjo mua më është dukur gjithnjë e çuditshme, provinciale, një gjë që bie erë.

Në Shqipëri, përveç ambasadës amerikane, veprojnë prej vitesh Instituti Demokratik Amerikan dhe Instituti Republikan Amerikan. Pra, dy partitë e mëdha të SHBA janë këtu. Këto institute japin para për veprimtari të ndryshme të partive shqiptare. Këto institute ma merr mendja se nuk e kanë problem të sigurojnë takime të nivelit të lartë kur ato përligjen me rëndësinë e çështjeve për diskutim. Ç’kuptim ka të jepen para nga Shqipëria! Lobingu i paguar do të përligjej vetëm për çështje të mëdha kombëtare. Për asgjë tjetër. Mendoj se duhet riparë edhe angazhimi i kompanive të imazhit apo strategjive në fushatat elektorale të partive shqiptare.

Nuk ka dyshim se këto kompani dhe stafet e tyre bartin një përvojë të vyer në vendet e tyre. Por nga çfarë kam parë unë, ato nuk hyjnë dot në lidhje me natyrën e zgjedhësve shqiptarë, paraqesin zgjidhje shabllone që nuk përtypën këtu, nganjëherë edhe abuzojnë, duke bërë sondazhe shkel e shko që i gabojnë liderit.

Me fjalë të tjera, kanë rezultuar një dështim kur me shumë më pak para një pjesë të madhe të punës së tyre mund ta bëjnë ekspertët vendës. PD nuk është e para parti dhe Basha nuk është i pari lider që kontrakton kompani lobingu apo lobistë në SHBA. E kanë bërë të gjithë para tij. Por Basha është thirrur në kauzë të bëjë transparencë si askush tjetër para tij dhe të ndërtojë një koncept të ri për vetë lobingun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura