Analiza/ Zheji: Kush janë armiqtë më të mëdhenj të koalicionit PD-LSI, nëse Basha e Kryemadhi nuk e “pastrojnë”…

Aug 3, 2018 | 19:36
SHPËRNDAJE

Me titullin “A ka një koalicion të vërtetë PD-LSI?”, analisti Artur Zheji ne nje shkrim publikuar ne portalin “360 grade”, pergjigjen e jep ne kete menyre:

“Në të vërtetë nëse Kryemadhi dhe Basha, nuk “pastrojnë” partitë e tyre, nga “personazhet” e rëndësishme anti-Koalicion, ky koalicion nuk ka se si ta trembë realisht Km-në, tashmë një usta i vërtetë, në qëndisjen e intrigave në brendësi, të partive kundërshtare me të”.

Sipas Zhejit, “në këtë kohë, Pd dhe Lsi, duket që presin një forcim të turbolencës popullore, për të rritur aksionet e veta politike, sepse po nuk lëvizi populli nga pakënaqësia e situatës, raporti i forcave duket se mbetet gjithmonë në favor të KM-së dhe aleatëve të vet gri”.

Screenshot_23

 

Analiza e plotë nga Artur Zheji

Shtatori po mbrrin dhe KM-ja, ka në një dorë Thesin e madh të ndereve, mbushur me konçesione, leje ndërtimi, leje zhvillimore, biznesllëqe nga më të ndryshmet, me apo pa euro në dorë, tendera apo evazione të lejuara fiskale…, ndërsa në dorën tjetër, repartet e motivuara të shoqërisë gri, reparte të gatshme “sulmi”, të gatshme për çdo gjë, por nuk mungon dhë “kërbaçi” ndëshkues i Prokurorisë.

Në anën tjetër të Kampit Politik, është rreshtuar Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, që jep shenja lodhjeje politike dhe me një numër të papërcaktuar “dezertorësh”, që japin e marrin mesazhe të fshehta me KM-në apo ndërmjetësit e tij.

Në këtë kohë, Pd dhe Lsi, duket që presin një forcim të turbolencës popullore, për të rritur aksionet e veta politike, sepse po nuk lëvizi populli nga pakënaqësia e situatës, raporti i forcave duket se mbetet gjithmonë në favor të KM-së dhe aleatëve të vet gri.

Mirëpo a ka mirëfilli një koalicion të vërtetë PD-LSI?

Në të dyja partitë kryesore duket se ka probleme dhe këndvështrime të ndryshme, në lidhje me këtë koalicion.

Te Lsi-ja, “paja” politike që Meta i ka lënë Kryemadhit, në nivel deputetësh apo ish ministrash, përbëhet kryesisht nga ish socialistë, që Lsi-në e kanë konsideruar në fillimet e veta, si një parti-okazion, për të bërë një karrierë më të mirë se sa në Partinë Socialiste, dikur të Fatos Nanos dhe aq më keq, më pas nën dejtimin e KM-së së sotëm.

Sepse shumë nga ish ministrat e Lsi, nuk do të ishin kurrë dot të tillë, në konkurencën brenda Ps, ndërkohë që Meta, u vuri spaleta ministrash, ndonëse edhe gjatë opozitarizmit 2006-2009, rrinin me një këmbë brenda dhe me një këmbë jashtë Lsi.

basha kryemadhi berisha3

Pjesa më e madhe e “dezertorëve”, të hapur apo të fshehur të kësaj partie, nuk kanë këllqe për të duruar opozitarizmin e gjatë dhe janë nën presionin e Prokurorisë së re, të dirigjuar nga KM-ja apo njerëzit e tij në këtë sistem. Dhe kanë zgjedhur të mbajnë një profil të ulët politik, duke mos rreshtur komunikimin me Km-në dhe kupolën e tij, por gjithësesi, me frikë nga rreptësia politike e Kryemadhit.

Sepse, si politikanë të të përjashtuar nga Lsi-ja, ata e dinë që as KM-së dhe planeve të tija, nuk ka se çfarë të vlejnë, ay, KM-ja, i do që të rrinë të dyzuar dhe panikmbjellës te Lsi-ja, ta dobësojnë atë së brendshmi sa të munden.
Kryesisht duke minuar apo duke konsideruar si absurd, koalicionin me Pd, gjë të cilën e bëjnë fare mirë.

Në Pd, një pjesë e madhe të larguarve “Vip” prej saj, kanë qenë kundërshtarë të vendosur të Lsi, në koalicionin e parë Pd-Lsi, të viteve 2009-2013, duke ditur edhe marrëdhëniet speciale, edhe personale, të atyre kohëve, të Metës me Bashën, gjë që binte ndesh me ambiciet e tyre post-Berisha, në Pd.

Këta dhe pasuesit e miqtë e tyre të mbetur në Pd, janë armiqtë më të mëdhenj të koalicionit të sotëm opozitar Pd-Lsi, që mund të shndrrohet në një koalicion të nesërm qeverisës, duke i larguar opozitarët e Bashës, gjithmonë e më larg pushtetit dhe protagonizmit.

Edhe ky kontigjent, në një formë direkte apo indirekte, mbahet “ngrohtë” nga KM-ja, sidomos, nëpërmjet “biznesmenëve-miq”, që kujdesen për mbarëvajtjen e tyre ekonomike dhe shpërblehen për këtë nga KM-ja, në mënyrë që përçarja të jetë sa më e qëndrueshme dhe kolaicioni Pd-Lsi, sa më i dobët dhe i mbytur nga dyshimet reciproke.

Në të vërtetë nëse Kryemadhi dhe Basha, nuk “pastrojnë” partitë e tyre, nga “personazhet” e rëndësishme anti-Koalicion, ky koalicion nuk ka se si ta trembë realisht Km-në, tashmë një usta i vërtetë, në qëndisjen e intrigave në brendësi, të partive kundërshtare me të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura