ANALIZA/ Zef Preçi: Lojërat e fatit dhe bastet online po mbyllen, por…

Oct 24, 2018 | 18:15
SHPËRNDAJE

Në një analizë për “Panorama”, ekonomisti i njohur Zef Preçi shqyrton pasojat e vendimit të qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit. Preçi shprehet qartazi pro mbylljes së këtij aktiviteti, por hedh dyshime lidhur me hapësirat e mundshme që krijohen në ligj për monopolizimin e këtij tregu…

zef preci

Lojërat e fatit dhe bastet online po mbyllen, por…

ZEF PREÇI

Në vrapin për të mbyllur lojërat e fatit dhe bastet online (me procedurë të përshpejtuar) janë disa çështje në dukje të thjeshta, të cilat për fat të keq, mbeten ende pa një përgjigje të qartë dhe ezauruese.

Të tilla janë: Modeli i tregut që po përdoret në këtë ristrukturim me forcën e ligjit të një tregu problematik nga disa këndvështrime. E shtroj këtë pyetje sepse vendet më të zhvilluara të Europës kanë kryer më parë studime të thelluara, kanë vendosur në plan të parë interesat e ekonomisë kombëtare etj., dhe mbi këtë bazë kanë ofruar një model të përshtatshëm për vendin. Për fat të keq, në rastin e vendit tonë, qeveria aktuale pretendon se me amendimet ligjore të diskutuara këto ditë do të rikthejë rolin rregullator të vetë shtetit (de jure), ndërsa ka përcjellë në duar private në mënyrë shumë të diskutueshme, një numër shërbimesh publike të rëndësisë së dorës së parë, siç është një pjesë e mirë e arsimit, shëndetësisë etj., kontrollit doganor (skanimit të kontenierëve), ngjyrosjes së karburanteve etj., dhe po diskuton edhe shërbimin e metrologjisë për këto të fundit etj..

2. Cilat janë interesat themelore të ekonomisë kombëtare në planet kryesore të këtij rregullimi ligjor. Sipas mendimit tim, çfarëdo debati i përgjegjshëm rreth kësaj teme, nuk mund të anashkalojë aspektet e mëposhtme.

2.1. Në planin moral: Unë jam i mendimit se qeveria duhet mbështetur për të mbyllur pikat e basteve, që përbëjnë një shqetësim të vërtetë për komunitetin në Tiranë dhe në rrethe. Por shkaku i përhapjes kaq të madhe të lojërave të fatit, deri në formën e një epidemie shoqërore, nuk besoj se janë lojërat e fatit, por edukimi i pamjaftueshëm e mbi të gjitha, mundësitë e kufizuara për të gjetur një vend pune e kështu për të jetuar me djersën e ballit dhe jo duke pritur që “paratë të rriten në pemë” për pjesën e varfër të shoqërisë. Ndërsa për pasunarët, politikanët e lartë në pushtet dhe në opozitë dhe nivelet e tjera të administratës publike, të cilët janë të varur nga lojërat e fatit, shkaku është pasurimi i tyre i paligjshëm, pa shumë mund e djersë, korrupsioni, pushteti i përqendruar në pak duar etj., dhe ata do të vazhdojnë të luajnë në kazinotë, edhe këto aq të përhapura në vendin tonë, si vendi më i varfër në Europë. D.m.th., vetëm funksionimi normal e demokratik i shtetit, lufta reale kundër korrupsionit mund të pakësojë burime të kësaj natyre dhe kështu ndoshta ul disi edhe vesin e kësaj shtrese të shoqërisë.

2.2. Në planin juridik. Mungon (ose të paktën ku është publikuar) analiza për gjendjen e këtij tregu, për dinamikën e tij, për problemet që janë shfaqur, mangësitë që ka shfaqur legjislacioni ekzistues në fuqi etj.. Ndër problemet juridike më kryesore mendoj se është edhe vlefshmëria dhe penalitetet e parashikuara në licencat përkatëse, kjo me qëllim që të shmangen proceset gjyqësore (kujtoni pallatin e famshëm në Ujë të Ftohtë në Vlorë, që u pagua “si frëngu pulën” nga taksapaguesit shqiptarë, ndërsa asnjë nëpunës shkelës i ligjit nuk është ndëshkuar deri më sot dhe nuk besoj se do të ndëshkohet ndonjëherë për paligjshmëri të tilla). E pra, ky rrezik është evident me licencat që do të anulohen me ligj dhe nën një procedurë të përshpejtuar, siç edhe po ndodh…

2.3 Ne planin fiskal. Nëse bizneset e kësaj industrie janë rritur më shumë se katër herë, ndërsa të ardhurat tatimore vetëm afërsisht me 60%, kjo tregon se kontributet në taksa për njësi të lojërave të fatit janë ulur, d.m.th., boom-i i kësaj industrie nuk është shoqëruar me kontributet në tatim-taksa. E këtu, pa dyshim kanë “ndihmesën” e vet edhe manovrat fiskale që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë gjatë viteve të fundit në favor të pronarëve të dukshëm dhe të padukshëm të operatorëve të kësaj industrie përmes uljes së taksave apo shtyrjes së fillimit të zbatimit të tij. Atëherë, nëse do të kishim një studim mbi modelin e tregut dhe ecurinë e këtij sektori, me shumë lehtësi të kishim mundësi të vlerësonim edhe opsione të ndryshme, që stabilizojnë tregun dhe shmangin evazionin fiskal të gjithëpranuar të tyre. Me këtë dua të paralajmëroj rrezikun që një pjesë e parave që qarkullojnë në këtë treg do të largohen jashtë vendit, si në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni etj., dhe se interesi i ekonomisë sonë kombëtare është mbajtja e këtyre parave brenda vendit, vjelja e tatim-taksave sipas ligjit, ndëshkimi i shkelësve të ligjit dhe pengimi i pastrimit të parave nga kjo industri.

2.4 Në planin rregullator. Është shumë e çuditshme mënyra se si po veprohet në këtë ligj të nxituar të maxhorancës parlamentare. Nga njëra anë shkrihet enti rregullator përkatës dhe nga ana tjetër ndërhyhet fuqishëm në treg, deri në nxjerrjen jashtë ligjit të një pjese të madhe të operatorëve të këtij tregu. Mendoj se është e gabuar që të shkrihet enti rregullator përkatës, por mund dhe duhet të riorganizohet ai mbi bazën e modelit të zgjedhur të tregut për këtë qëllim.

2.5 Mundësia e krijimit të një monopoli shtetëror. Nga debatet e sotme në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit, kam përshtypjen se që po tentohet të krijohet de facto dhe de jure një monopol shtetëror më ligj. Personalisht, mendoj se kjo çështje është shumë e debatueshme dhe nuk zgjidhet me një ligj të miratuar “në këmbë e në dorë” si në rastin tonë. Nëse në treg, p.sh. në lojërat online, do të mbetet një kompani e vetme e licencuar vetëm një vit më parë, të krijohet përshtypja se ligji vetëm sa do të orientojë dhe detyrojë fluksin e parave drejt kësaj kompanie. Nëse kjo është ë vërtetë, atëherë kjo provon katërçipërisht largimin nga interesat publike dhe vendosjen e Kuvendit në pozitën e mbrojtjes së interesave të oligarkisë dhe lobeve politike të lidhura me të, ashtu siç është denoncuar disa herë nga opozita.

2.5 Në aspektin e mbrojtjes së të punësuarve. Mendoj se ky problem ka filluar të adresohet të paktën në retoriken e qeverisë dhe të kreut të Bashkisë së Tiranës, por nevojitet një arsyetueshmeri më e madhe ë dobisë shoqërore dhe kostos përkatëse, mbasi ky sektor shquhet për një shkallë të lartë të evazionit fiskal dhe mospagesës së sigurimeve, ndërsa mbyllja e menjëhershme e tyre ndikon edhe një ofruesit e tjerë të shërbimeve të lidhura me to si: zotëruesit e ambienteve të ushtrimit të këtij aktiviteti, sistemin bankar, etj.

2.6 Në aspektin e parandalimit të pastrimit të parave. Një numër raportesh të BE dhe SHBA e evidencojnë këtë sektor si një ndër kanalet kryesorë të pastrimit të parave. Për fat keq, ndryshimet e propozuara të krijojnë përshtypjen se kufizimi i operatorëve në treg me forcën e ligjit, pa një analizë të modelit të tregut, mendoj se nuk garanton frenimin e këtij procesi (zt. Rama dhe një numër deputetësh të maxhorancës deklaruan me herët në Kuvend se ky treg qarkullon më shumë se 700 milionë euro, gjë që është dëshmia më e plotë e rrezikut që paraqet ky sektor).

Për më tepër, që akumulimi i pagjurmueshëm i burimeve të parave në këtë sektor po shfaq shenja të transferimit drejt sektorëve të tjerë siç është ndërtimi i kullave të larta në vendet më të preferuara të Tiranës, por edhe përfshirja në veprat e infrastrukturës publike në kuadrin e të ashtuquajturit “Programi 1 miliard euro”…

Si përfundim, duke mbetur një mbështetës i largimit të lojërave të fatit nga qendrat e banuara dhe riorganizimit të tregut, mendoj se problemet e mësipërme duhen trajtuar njëkohësisht me rishikimin ligjor në fjalë, përndryshe rrezikojmë të ndodhë ajo që ndodhi me Lazaratin, d.m.th. që kjo dukuri të marrë përhapje edhe më të gjerë edhe për shkak të lehtësive teknologjike që favorizojnë lojërat dhe bastet online…

Shkurt, jam pro mbylljes së lokaleve të lojërave të fatit në qendrat e banuara dhe kundër krijimit të monopoleve me ligj, e, më keq akoma, riorientimit të fluksit të parave të këtyre lojërave jashtë vendit apo vetëm në duart e një apo të disa kompanive të njohura për lidhjet e tyre politike…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura