T’i japësh penallti qyl Kryeministrit

Nov 16, 2018 | 9:53
SHPËRNDAJE

Nga PREÇ ZOGAJ

prec-zogaj-150x150 Kryeministri Edi Rama po shfaqet i qetë dhe dialogues me Presidentin Ilir Meta dhe me gjithë spektrin mediatik të vendit.
Duke shmangur hovet impulsive dhe shpërthimet emocionale, me të cilat na ka mësuar herë pas herë. Duke ulur piacën e bisedës në nivele deri banale në shërbim të shpjegimit shterues të krizës së  marrëdhënieve me Presidentin për çështjen e mosdekretimit të Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm.

Nëse mbajmë parasysh faktin se Iilir Meta po prek me nge në një nerv të zbuluar të Kryeministrit, duke i vënë në dyshim me një verifikim të pagjasë këshilltarin e tij të Sigurisë për pesë vjet me radhë, shpjegimi i parë i sjelljes prej zotërie të Rames është ky: në këtë periudhë, kur nuk po funksionon Gjykata Kushtetuese, Kryeministri nuk ka çfarë t’i bëjë Presidentit. Nga ana e tij, Presidenti ka në dorë t’i shkaktojë kokëçarje dhe pengesa Kryeministrit. Në këto kushte, zotit Rama i mbetet ta marrë me të mirë zotin Meta.

Po të ishte vetëm kjo, Kryeministri vështir se do t’i përkushtohej kaq shumë në media dhe në rrafshin e marrëdhënieve publike këtij rasti. Mendoj se Rama është duke lozur gurët e tij, po të shprehemi me gjuhën e shahut, që vetë ai thotë se po luan. Ai e di se kjo lojë po vëzhgohet me kujdes nga partnerët tanë amerikanë dhe europianë, të cilët po asistojnë me një vëmendje dhe angazhim të shtuar fazën finale, ku po futet zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe krijimi i drejtësisë së re. Reforma që shpjegon qëndrimet dhe lëvizjet e palëve në Shqipëri, shpjegon njëkohësisht edhe qëndrimet dhe veprimet e partnerëve, por me një rol specifik si bashkautorë të saj, duke mos qenë vetë subjekt i efekteve të kësaj reforme. Nuk janë subjekt, por janë “juri”. Para kësaj “jurie” përcaktuese në rrjedhat e zhvillimeve aktuale dhe të pritshme, Rama kërkon të duket konstruktiv, bashkëpunues, i dëgjueshëm, siç ka bërë edhe përgjatë kohës kur debatoheshin e votoheshin ligjet, komisionet Ad Hoc dhe çështjet e tjera të Reformës në Drejtësi.

Së dyti, mendoj se Rama po i mëshon shumë aspektit mediatik të çështjes, sepse mendon ta përdorë elektoralisht refuzimin e propozimit të tij nga zoti Meta. Vlera elektorale e një ngjarjeje është vetë fosfori që bën të shndrisin sytë e një politikani që jeton në tërheqjen e verbër të pushtetit. Rama si prerje politike është vetëm i tillë. Ai shfrytëzon çdo rast dhe rrethanë në funksion të votave. Kur ka guxuar të shndërrojë krimin në skemë elektorale në shumë pjesë të territorit të vendit, merret me mend sa te lehtë e ka dhe sa i lumtur është të shfrytëzojë peshqeshet që i bëjnë kundërshtarët. Apo për ta thënë me gjuhën e sportit: të gjuajë penalltitë që i japin kundërshtarët. E kemi parë në zgjedhjet politike të vitit 2017. Rama dhe Partia Socialiste e drejtuar prej tij janë një rast unikal i daljes se një force qeverisëse në fushatë pa një bilanc dhe pa një program të shkruar e të artikuluar. Duke zbritur një numër deputetësh që PS i ka fituar përmes shitblerjes së votës, gjë që e kanë bërë edhe dy partitë e tjera qeverisëse të asaj periudhe, LSI dhe PDIU, Rama doli i pari pa bilanc dhe pa program, duke përdorur dy karta elektorale.

Së pari, u paraqit në publik si kalorës i Reformës në Drejtësi- të gjithë e mbajnë mend. Këtë “penallti” të pamerituar ia dha opozita me refuzimin e saj gjatë gjithë periudhës tremujore të çadrës për të votuar komisionet parlamentare Ad Hoc të vetingut, me ç’rast shkaktoi befasi dhe zhgënjim pranë partnerëve amerikanë dhe gjermanë që i kishin dhënë pesëdhjetë për qind të këtyre komisioneve, pra, të drejtën e vetos. Kam dhënë disa herë argumentet e mia se Rama nuk e ka dashur Reformën në Drejtësi në formën përfundimtare që mori në Komisionin e Venecias. Në fshehtësi, ai ka shpresuar që zbatimin e saj ta pengojë në një farë mënyrë opozita, por së jashtmi ka përshtatur qëndrimin e flamurtarit të saj. Me ketë qëndrim ka marrë vota sepse shqiptarët në përgjithësi e kanë parë dhe e shohin drejtësinë e re si instrumentin e vetëm që mund të vrasë “kuçedrën” e pandëshkueshmërisë në sferat e larta, që është shkaku themelor i varfërisë dhe zbrazjes së vendit. Po të perceptohej edhe opozita si kalorëse e reformës, loja e Ramës nuk do të kishte pasur efekt elektoral.

Karta e dytë elektorale ka qenë metafora e timonit dhe tepsisë, që mund të përkthehet në frazën: “S’më ka lënë Ilir Meta me partinë e tij të tepsisë të qeveris gjatë këtyre katër viteve. Tani më jepni mua gjithë qeverinë dhe do të më shihni”. Spekulimi ka qenë i madh, sigurisht. LSI kishte plot kusure, por nuk e kishte çuar ajo Ramën me shokë në aleancë me narkotrafikun dhe krimin. Sidoqoftë, duke qëmtuar kudo ku fuste dorën, zyrtarë të korruptuar të emëruar nga LSI, që i zgjidhte me selektim, dhe duke luajtur me një përshtypje popullore të përqafuar edhe nga PD, në atë kohë se LSI ishte partia e tepsisë, Rama e nguliti gjatë gjithë fushatës metaforën e timonit dhe timonierit të vetëm. Ka pasur plot zgjedhës që e votuan me mendimin “ta provojmë një herë pa të tjerë”.

Me këto dy karta ia doli Rama të mbulonte dështimet dhe mungesën e programit. Kam përshtypjen se është gjithnjë në kërkim të kartave të ngjashme apo të “penalltive gratis”, që ç’është e vërteta i gjuan mirë. Dhe “krizën” më Presidentin po e shtyn në këtë drejtim, duke e parë atë si pjesë të opozitës politike të vendit, duke bërë vetë të urtin dhe të pafajshmin, duke grumbulluar shkelje dhe faulle në krahun e kundërt me qëllim që nesër, pasnesër, të dalë e të thotë se ata që nuk më lanë të qeverisë në mandatin e parë, m’u bënë pengesë të bëj shtet në mandatin e dytë. Në vend të tepsisë do të gjejë një metaforë tjetër. Ka kohë deri atëherë.

Qëndrimet e Ilir Metës në lidhje me mosdekretimin e Sandër Lleshit e ushqejnë këtë lojë të Kryeministrit. Më mirë se konstitucionalistët, juristët apo politikanët e çdo krahu, qëndrimet e Metës i kanë lexuar e shpallur dashamirësit e tij në media, të cilët i kanë njohur meritën se po i vë kufirin të thana Kryeministrit të pangopur me pushtet. Me fjalë të tjera, historia e mosdekretimit të Lleshit është një casus belli, që ka për qëllim të shfryjë pushtetin e Edi Ramës dhe mundësisht t’i fusë institucionet në një krizë, që nga institucionale mund të shndërrohet në politike. Edi Rama ka merituar e meriton të ndëshkohet politikisht për arbitraritetin dhe arrogancën e treguar në ushtrimin e pushtetit. Ai ka dëshmuar në dhjetëra e dhjetëra raste se nuk e njeh dhe nuk respekton ndarjen demokratike të pushteteve. Ai vetëm nuk e thotë se ligji jam unë. Kushdo që sjell një kontribut për ta frenuar Kryeministrin në këto tundime antidemokratike, sa pa ardhur zgjedhjet për ta larguar me votë, i sjell një shërbim të vyer vendit. Por ai nuk mund të luftohet se po ushtron pushtetin që ka si Kryeministër. Që është pushteti ekzekutiv. Ministrat janë të tijtë. Po të ishte ndryshe, do të ishte lëmsh gjithçka. Lufta e padrejtë e forcon kundërshtarin. Lufta e padrejtë forcon edhe të keqin. Presidenti Meta u ngrit si figurë institucionale me qëndrimin që mbajti për Ligjin e Teatrit. Presidenti ose opozita mund të depozitojnë në Gjykatën Kushtetuese një ankim kundër Ligjit për teatrin, njëlloj siç bëri Rama që ka depozituar një kërkesë për të sqaruar kur mund të refuzojë Presidenti ministrat e qeverisë. Presidenti do të lartësohej edhe me shumë nëse do të pengonte në bazë të argumenteve dhe fakteve ndërhyrjen e Kryeministrit në pushtetin gjyqësor apo në Prokurori. Këtu po që Kryeministrit i duhet treguar kufiri. Por casusi me mosdekretimin e ministrit të Brendshëm, me piruetat që ka ndjekur deri tani, vetëm i ka kompromentuar këto përpjekje dhe vetëm e forcon Ramën nëse vazhdon si një kokëfortësi pa mbështetje në Kushtetutë. Madje, shkon me tej. Sepse duke e pasur me Ramën, Meta ka harruar se është një individ tjetër në mes, është Sandër Lleshi me të drejtat dhe personalitetin e tij, zhbirilimi përtej kushtetues, ndaj të cilit merr automatikisht tiparet e një përndjekjeje të panjohur në praktikat institucionale.

Ka shumë për të luftuar Kryeministrin Edi Rama. Qeverisja e tij i jep mundësi opozitës dhe kujtdo tjetër ta verë me shpatulla pas murit për çështje dhe me fakte, të cilat i ndan publiku i gjerë, përfshirë një pjesë e publikut socialist. Siç janë kostot e stërlarta të PPP-ve, sa për të dhënë një shembull. Nëse për një arsye a tjetër nuk luftohet aty ku ka thembrën e Akilit, së paku të mos i jepen penallti gratis.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura