Thirrja e Fugës dhe Markut, pse ka ardhur koha që profesorët të marrin përgjegjësi politike

Jul 8, 2018 | 20:30
SHPËRNDAJE

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Dita e enjte konturoi dy modele brenda së njëjtës mazhorancë në raport me Edi Ramën, i cili e demostroi qetësisht absolutizmin e vet! Nga njëra anë, i vetmuar, Pandeli Majko, socialist i orëve të para dhe nga tjetra Mirela Kumbaro, rilindëse e orëve të para, përfaqësuese e sjelljes së krejt grupit parlamentar Majko u tregua dinjitoz. Me gjasë ka vënë në diskutim karrierën e tij të mëtejshme, për aq kohë sa lider është Edi Rama! Nuk do t’i mungojnë thashethemet, distancimet dhe shënjimet me gisht si armik i brendshëm, derisa shefi të shprehet. Në Shqipëri, shefi është Zoti! Duke filluar nga fshati më i largët deri në qendër të Tiranës, nga zyrat e komunave te pallati i Kryeministrisë a selitë e partive. Shefi kësisoj është gjeni. Ai është më i dituri, më i drejti, më shakaxhiu, më i bukuri. Askush si ai

gjekmarkaj11

Majko nuk e hodhi atë votë të ndyrë dhe nuk u bë pjesë e shembjes së trashëgimisë kulturore dhe grabitjes së tokës publike për arsye të shëmtuara korruptive. Nuk ka rrezikuar pak, duke konstatuar sa rëndë e ka nënshtruar dhe tjetërsuar Edi Rama stofin e PS-së.

Ndërsa Kumbaro, ministrja që duhej të mbronte kulturën, u bë simboli më trishtues i tjetërsimit njerëzor e intelektual për një palo karrige. E zhubravitur në krenari, ish- përkthyesja e mirë e gjuhës frënge, ish-kolegia Kumbaro po jeton me gëzim (mbase jo) dekompozimin e fizionomisë së saj intelektuale. Personalisht, e kam tejkaluar pezmin e akteve të saj publike pa koherencë e plot telendisje. Madje, më dhimbset. Askujt si asaj s’i ka rënë kaq fat dreqi. Të kujtohet si shkatërruesja e Teatrit Kombëtar, betonuesja e Butrintit dhe rrënojave të Durrësit për një palo velierë, një përbindësh betoni!

Cila është ajo forcë e epërme, që e bën të akullt në shikim dhe të paepur në mbrojtje të këtij projekti mafioz?! Duhet të jetë një arsye madhore! Përsëri më dhimbset. Gjumin, ish- mikja s’duhet ta bëjë të mirë. Duket e hequr dhe e pikëlluar në fizionomi. Më trishton Mirela si individ, po mbi të gjitha metamorfoza e personit. Qenka e tmerrshme të jesh ministër në Shqipëri. Kosto e lartë. Zgjedhje kurajoze. E rëndë të ta bëjnë me gisht dhe të të përbuzë komuniteti që administron!

Majko, një politikan popullor e afatgjatë në PS, zbuloi sa socialistë kanë mbetur e sa rilindës e zotërojnë partinë. Pandeli Majko u shfaq si mohanikani i fundit. Edi Rama, thonë se ka kujtesë të fortë e nuk harron. Nëse koha nuk i punon ndonjë shaka në ditën e gjykimit, do t’i kujtohet ikja e beftë e ministrit të Diasporës në momentin e bastit të madh. Pak veta në politikë kanë bërë gjeste të tilla e shumë më pak do të bëjnë, ndaj Pandeli Majko bashkë me qetësinë e tij ka shumëfishuar respektin ndaj tij.

Gjithë ai unitet rreth liderit të kujton vitin 1934 në Gjermani, kur vdiste Presidenti Hindenburg dhe Parlamenti votonte bashkimin në një të postit të tij me atë të Kancelarit, duke prodhuar Fyhrerin!

Pasojat e aktit dihen. A do të pranojë Shqipëria një Fyhrer? Të enjten u bë prova gjenerale në favor të despotizmit.

Ajo që bën përshtypje në shëmtinë e së enjtes në raport me paraardhësit e Partisë Socialiste, komunistët legjendarë që historinë e bënin me grykën e pushkës, me ata që i thërrasim etër, është fakti se ata shtinin në mish njeriu drejtpërdrejt në emër të luftës së klasave, urrejtjes ideologjike e krahinore, në emër të Enverit e partisë, por ishin më të ndershëm në dhunë e terror. Nuk i fshihnin qëllimet. Nuk lodheshin me zgjedhje e Parlament. Përjashto vitet e para kur grabisnin vilat dhe floririn, sikur e mblodhën dorën më pas. Këta diktaturën e realizojnë me votë demokratike! Kjo është diktatura e grabitjes. Të përdorësh një Parlament të tërë për të kryer një akt të tillë, dëshmon se frika është e madhe sa babëzia. Të parën, Edi Rama e përpjesëtoi me votë. Të dytën, me më pak veta.

Tani më pas, përvijohen qartë dhunuesit në një anë dhe shoqëria në tjetrën.

Burgjet janë të vogla. Te mjaftueshme për dhunuesit dhe jo për qytetarët. Alternativë tjetër s’ka, o populli në burg, o dhunuesit! Policia e Xhafajt, gjyqtarët e rrethit të tij e të rretheve të tjera familjare në sistem, prokurorja Marku në pritje të urdhrit të Ramës ndër zyra për të ngjallur frikë dhe njerëzit e lirë, që te korrupsioni shohin vdekjen kapilare të shpresave për demokraci e normalitet në rrugë. Çdo skenar tjetër është nënshtrim afatgjatë, që duhet vënë në llogari. Nesër me ligj, me 75 vota, shpallemi armiq të shtetit, prishës të moralit të rilindjes, bartës të vesit dhe armiq të virtytit. Të presim deri atëherë?

Rruga që ka marrë pushteti s’ka asnjë ekuivok. Opozita ka premtuar qëndresë, të cilën personalisht me modestinë e individit që e di peshën e vet, e mbështes. Do te ishte e rëndë nëse ajo i ikën kësaj kauze e kompleksuar nga propaganda qeveritare. Duke mbrojtur Teatrin Kombëtar, ka një mundësi të shfaqë koherencë, e cila deri tani ka futur ujë dhe të lërë pa spektatorë teatrin e Kryeministrit. Nëse kjo nuk ndodh, paskësh ardhur koha bash për atë që profesorët Fuga e Marku qëmtuan në letrën e tyre publike, për një zbritje të botës intelektuale e universitare në fushën e përgjegjësive shoqërore e politike!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura