ANALIZA/ “Teatri Kombëtar për Ramën, si Kosova për Millosheviçin”

Mar 23, 2018 | 13:24
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ÇIPI

Për publikun është e njohur historia e marrëdhënies së Millosheviçit me Kosovën. Ish-kryetari i komunistëve të Serbisë e filloi ngjitjen e rrufeshme drejt pushtetit absolut, pas një mitingu të improvizuar në Kosovë, në të cilin ai e portretizoi veten si mbrojtësi i serbëve të Kosovës. Për dymbëdhjetë vjet me radhë, pushteti i Millosheviçit vetëm u shtua. Ai dukej i pandalshëm nga luftërat, embargoja, opozita, kriza ekonomike, izolimi ndërkombëtar…

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Ironikisht, fillimi i fundit të tij ishte humbja e Luftës së Kosovës. Kosova u bë kështu trampolina dhe gijotina politike e Millosheviçit. Kjo parabolë duket se është element i përbashkët në historinë e marrëdhënies së Edi Ramës me Teatrin Kombëtar. Rama u emërua ministër i Kulturës (Rinisë dhe Sporteve) në fund të prillit 1998. Deri në atë kohë, të gjithë ministrat e Kulturës, që nga Vath Koreshi e deri tek Arta Dade, ishin karakterizuar nga një frymë bashkëpunimi me komunitetin e artistëve. Sistemi i Kulturës ishte përballur me sfidat e tranzicionit dhe pakësimin progresiv të buxhetit, por ministrat nuk e kishin vënë veten kurrë në konflikt me komunitetin.

Nismat ligjore ishin bërë kurdoherë në bashkëpunim me komunitetin dhe ministrat, kush më shumë e kush më pak, ishin përpjekur të bëheshin zëdhënës të artistëve në Qeveri. Gjatë nëntë muajve në detyrë, Arta Dade nuk kishte hapur asnjë konflikt. Nën shembullin e paraardhësve të saj, ajo kishte ngritur një grup pune me artistë, që do të hartonte projektligjin për teatrin. Askush nuk priste ndonjë rrufe në qiell të pastër me ardhjen e Ramës në krye të Ministrisë.

Por, shumë shpejt, ai do të tregonte se nuk ishte si paraardhësit e tij. Madje, koha provoi se ai nuk ishte as si pasardhësit. Në këto 20 vjet, pavarësisht nëse Rama ka qenë ministër Kulture, kryetar bashkie apo Kryeministër, një gjë mbetet konstante: urrejtja ndaj Teatrit Kombëtar dhe epshi për truallin e tij. Më 8 maj 1998, Rama u ftua të merrte pjesë në mbrëmjen gala të themelimit të Fondacionit për Ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Nisma e drejtorit të TK-së, Gëzim Kame, Presidentit të Republikës, Rexhep Mejdani dhe filantropit Vehbi Velija, e përfshinte edhe atë në cilësinë e anëtarit të Bordit. Rama erdhi së bashku me Kryeministrin Nano, që e kishte sjellë nga Parisi për ta bërë ministër. Atë mbrëmje, tri kompanitë shtetërore Albtelecom, INSIG dhe KESH ofruan në total 220 mijë dollarë për Fondacionin.

Çdo ministër Kulture do të kishte qenë i lumtur ta kishte nisur në këtë mënyrë karrierën: me një fondacion të mirëfinancuar qysh në start, nën patronazhin e Presidentit e Republikës. Çdo ministër, por jo Rama… Të nesërmen në mëngjes, Kryeministri Nano urdhëroi ndalimin e këtyre pagesave nga kompanitë shtetërore dhe Rama heshti. Foshnja lindi e vdekur, do të përkufizohej ajo që ndodhi me këtë fondacion. Ky abort ishte vetëm preludi i një historie konfliktesh e manipulimesh, abuzimesh financiare e shpërdorimi pushteti, që do të zgjaste (deri tani) njëzet vjet.

Shenja tjetër e vullnetit negativ të Qeverisë ndaj Teatrit Kombëtar ishte anulimi i vendimit të ish-ministres Dade për grupin e punës për hartimin e projektligjit për teatrin. Rama nuk i zëvendësoi anëtarët me të tjerë. Thjesht e anuloi grupin e punës, duke demonstruar se nuk donte një ligj për teatrin. Për drejtorin e TK-së, Kame, njëkohësisht kryetar i grupit të punës, kjo ishte shuplaka e dytë.

Në korrik të po atij viti, Rama e vuri veten hapur në konflikt me artistët dhe drejtuesit e TK-së, pasi urdhëroi mbylljen e sallës së shfaqjeve, me pretekstin e rrezikut të zjarrit dhe shembjes, pas “ekspertizës” së një francezi, që nuk ishte ekspert as për mbrojtjen nga zjarri e as për konstruksionet civile. Disa ditë pas hapjes së këtij debati, Inspektorati i MKZ-së në Tiranë, i erdhi në ndihmë Ramës duke paraqitur një paçavure si akt ekspertimi, që mbështeste pretendimet e francezit. Vetëm dy muaj pas emërimit, Rama kishte bërë diferencën me të gjithë paraardhësit. Kishte treguar se ishte arrogant, konfliktual dhe i paepur në qëllimet e tij të errëta.

Revoltës së artistëve, ai iu përgjigj me represion. Më 9 korrik, Qeveria miratoi dy vendime që i masakruan financat e teatrit. I pari, VKM nr.424, e privoi Teatrin Kombëtar nga të ardhurat e krijuara nga shitja e biletave dhe të drejtave televizive. I dyti, VKM nr. 430, ia hoqi të drejtën TK-së të administronte qiradhënien e hapësirave të lira mbi 200 m2 dhe ia kaloi këtë kompetencë Ministrit të Kulturës dhe Ministrit të Ekonomisë (për hapësira mbi 500 m2). Artistët e TK-së humbën kështu 50 dollarë në muaj që përfitonin nga Bingoja, si edhe përqindjet e biletave. Brenda dy muajsh, TK hyri në krizë të thellë, me sallë të mbyllur arbitrarisht dhe me trupë të pamotivuar për punë. Në shtator, Nano dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Majko.

Një përfaqësi artistësh të TK-së u takua me Majkon dhe i kërkoi dorëheqjen e Ramës, rihapjen e sallës, rikonstruksionin e Teatrit dhe kthimin e të ardhurave nga biletat. Majko nuk e pranoi kërkesën për shkarkimin e Ramës, por dha urdhër që salla e shfaqjeve të hapej menjëherë. MKZ dhe MKRS bënë një “autorizim” me shkrim, me ca këshilla për pastrimin dhe marrjen e pluhurave. Majko kërkoi gjithashtu që TK të bënte një studim mbi mundësitë dhe kostot e rikonstruksionit (ajo që sot quhet studim fizibiliteti) dhe premtoi se në vizitën e parë si kryeministër, do të kërkonte ndihmën e Greqisë (e cila eventualisht e pranoi këtë kërkesë dhe akordoi një grant me vlerë 2,5 milionë euro).

Rezistenca e artistëve, rezonanca e saj në publik dhe reagimi i Majkos, e bënë Ramën të kuptonte se nuk do ta shembte dot shtëpinë e artistëve, sa kohë ajo banohej nga artistët. I duhej pra, një manovër që do ta shkëpuste lidhjen mes artistëve dhe sallës së teatrit. Këtë detyrë ai ia ngarkoi Xhevdet Ferrit, si kryetar të grupit të ri të punës për hartimin e projektligjit për teatrin. Ndërkohë, Rama vazhdonte axhendën e vet, që ishte e  kundërt me atë të Kryeministrit. Ai liroi nga detyra drejtorin e TK-së, Kame.

Pavarësisht miratimit të ministrit të Financave Angjeli, ai nuk propozoi kurrë në Këshillin e Ministrave një VKM për rikthimin e të ardhurave në favor të Teatrit Kombëtar. Më 1 shkurt 1999, ishte Angjeli që ia kujtonte këtë detyrim Ramës me një shkresë zyrtare. Më 2 shkurt, nëndrejtori i TK-së, Sulejman Dibra, i paraqiti ministrit Angjeli studimin e kërkuar nga Majko, për rikonstruksionin e plotë të TK, vlera e të cilit ishte 141 milionë lekë, ose 1 milion dollarë.

Si shpërblim, më 6 shkurt Rama e pushoi nga puna nëndrejtorin Dibra. Njeriu i ngarkuar për shpikjen e formulës që do të ndante artistët nga salla, u emërua drejtor i TK-së. Studimi për rikonstruksionin humbi sirtarëve të administratës. S’kaloi shumë kohë dhe Rama dha një tjetër provë të qartë të vullnetit të tij. Në mes të vitit financiar, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi një kërkesë të Ramës për investimin e 300 mijë dollarëve në rikonstruksionin e kinemasë private “Republika”.

Ky fond ishte 100% e fondit të investimeve që Ministria e Kulturës kishte në dispozicion për vitin 1999! Në verën e vitit 1999, ministri i Veprimtarive dhe Trashëgimisë Kulturore të Italisë, Walter Veltroni, i propozoi homologut të tij shqiptar një projekt fantastik: 3 miliardë lira (2 milionë dollarë) të dhuruara nga Italia për restaurimin e ndërtesave të paraluftës. Rama duhej vetëm të propozonte listën e objekteve për restaurim. Por kjo do të thoshte shpëtim për Teatrin Kombëtar dhe vdekje e ëndrrës perverse të Ramës për shembjen e tij, kështu që ai propozoi qëllimisht ndërtime të reja (p.sh, një sallë me 140 vende në vend të pishinës në TK) për ta detyruar homologun italian të mos financonte.

Në vitin 2000, ato 2 milionë dollarë iu dhanë bashkive të Vlorës, Durrësit e Shkodrës, ndërsa për fasadat e tri ministrive, Rama shpenzoi 76 milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë! Viti 2000 ishte kulmi i krizës në marrëdhënien e Ramës me artistët. Në Shqipëri u shënua e para grevë urie artistësh në botë! Kryeministri Meta përdori dhunën policore për ndërprerjen e grevës dhe e mbështeti pa rezerva Ramën në miratimin e Ligjit për Teatrin në Kuvend.

Por për fatin e artistëve, Rama dhe Meta nuk e kishin nën kontroll grupin parlamentar të PS-së. Disa deputetë propozuan amendime që u vunë fre qëllimeve të Ramës. Amendamenti i Hamdi Jupes për ndalimin e qiradhënies dhe tjetërsimit të ndërtesave të teatrove ishte më efikasi ndër ta. Rama, ndonëse qëndroi në post edhe nëntë muaj pas miratimit të ligjit, nuk e zbatoi asnjë ditë atë. Në fund të atij viti, Rama u bë kryetar bashkie. Qeveria “Meta” nënshkroi marrëveshjen me qeverinë greke për pranimin e grantit prej 2,5 milionë eurosh për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, por edhe kjo marrëveshje “humbi” nëpër sirtarë.

Asnjë qindarkë nuk u shpenzua për rikonstruksion, ndërkohë që u dhanë me qira për një dollar metri katror të gjitha hollet dhe sallat e tjera, madje edhe pishina e TK-së. Katër vjet pas fillimit të krizës, Majko u rikthye në postin e Kryeministrit dhe Teatrit Kombëtar iu rikthye qetësia. Majko shkarkoi “jeniçerin” e Ramës, Xhevdet Ferrin. Ai shpalli vendimin për rikonstruksionin e TK, i cili filloi në verë dhe ndërtimin e një teatri të ri, pranë Universitetit. Të gjithë qiramarrësit e TK-së dorëzuan çelësat. Nga zyra e kryebashkiakut, Rama lëshoi një mesazh të koduar: Bashkia Tiranë shpalli konkurs për ide për Teatrin e ri Kombëtar.

Mesazhi u lexua si duhet nga Arta Dade, e cila në gusht 2002 zuri vendin e Agron Tatos, ministër Kulture në Qeverinë “Majko 2”. Dade bllokoi disa muaj rresht rikonstruksionin e TK-së dhe krijoi një klimë konfliktuale me drejtorin e ri të TK-së, Agim Qirjaqi. Në 11 vitet që pasuan, qeveritë e PS-së (Nano 3) dhe PD (Berisha 1 e 2), nuk e vazhduan projektin e Ramës për shembjen e TK-së, por as nuk e zgjidhën përfundimisht problemin, duke kryer rikonstruksionin e plotë. Me ardhjen në pushtet në 2013-n, Rama kishte tashmë gjithë pushtetin e duhur për ta realizuar ëndrrën e tij.

Por, sërish, atij i duhej të realizonte më parë ndarjen e artistëve nga salla. Marifeti i ligjit ishte përdorur njëherë dhe kishte dështuar në vitin 2000. Duhej një marifet i ri. Dhe kështu u shpik marifeti “Turbina”. Qeveria “Rama” shpenzoi një fond sa katërfishi i atij të kërkuar për rikonstruksionin e TK, për përshtatjen për teatër të kapanonit të laboratorit të Hidrometrologjisë. Katër vjet rresht, TK mbeti sërish pa një qindarkë investime. Rama shpresoi më kot në ndonjë shembje aksidentale, ndërkohë që vinte kryqe mbi emrat e aktorëve që ndërronin jetë.

Tashmë i rikonfirmuar Kryeministër, ai është vetëm një hap realizimit të ëndrrës. “Turbina” është gati të presë artistët e nënshtruar të TK-së. Atyre u janë hequr shpërblimet mbi pagë. U është mohuar çdo e ardhur shtesë nga shitja e biletave apo e drejta televizive. Dhe ata kanë heshtur. Tani, me një projektligj të ri, teatrot po rrezikojnë të humbasin çdo autonomi politike të fituar pas rënies së diktaturës. Artistët e TK po heshtin edhe për këtë. Me një VKM të vitit 2017, Teatri Kombëtar është përjashtuar nga zona e mbrojtur e Qendrës Historike të Tiranës.

Artistët e TK po heshtin edhe për këtë. Matrioshka e Ramës në Bashkinë e Tiranës shpalli vendimin (e paligjshëm) për shembjen e TK dhe tjetërsimin e gjysmës së truallit të tij dhe artistët e TK sërish po heshtin. Kështu bëri edhe Millosheviçi dikur. Nuk u mjaftua me suprimimin e autonomisë së Kosovës, as me pushimet masive nga puna, as me mbylljen e shkollave, as me burgosjet dhe vrasjet politike. Pas dhjetë vjetësh represioni e aparteidi, ai mendoi se kishte ardhur koha për zgjidhjen finale: gjenocidin dhe spastrimin e plotë etnik të Kosovës. Atëherë shqiptarët thanë: Boll! Ata morën armët dhe lufta e tyre gjeti aleatë në të gjithë Perëndimin. Millosheviçi humbi luftën dhe kështu filloi rënia e pandalshme e tij. Nëse Rama dështon edhe këtë herë, kjo do të jetë beteja e fundit, pas së cilës ai do ta humbë përfundimisht luftën me teatrin dhe kështu do të fillojë rënia e pandalshme tij nga pushteti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura