Analiza/ Si i fitoi zgjedhjet në Itali një parti me rrënjë neofashiste?

Sep 26, 2022 | 23:10
SHPËRNDAJE

Partia Vëllezërit e Italisë ka marrë numrin më të madh të votave në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën të dielën. Kjo forcë politike i ka rrënjët tek Lëvizja Social Italiane, një parti neofashiste krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

giorgiameloni

Giorgia Meloni arriti t’i shndërrojë Vëllezërit e Italisë, nga një grup periferik i ekstremit të djathtë, në partinë më të madhe të vendit. Ajo pritet të drejtojë qeverinë e parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme italiane që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë.

Partia Vëllezërit e Italisë, një forcë politike që fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e përgjithshme, i ka rrënjët tek Lëvizja Social Italiane, një lëvizje neofashiste e pas Luftës së Dytë Botërore. Duke ruajtur simbolin më të fuqishëm të saj, flakën trengjyrëshe, Giorgia Meloni arriti të shndërrojë Vëllezërit e Italisë, nga një grup periferik i ekstremit të djathtë, në partinë më të madhe të Italisë.

Pas një shekulli që prej marshimit të Benito Musolinit në Romë, në vitin 1922, që shënoi ardhjen në pushtet të diktatorit fashist, zonja Meloni është gati të drejtojë qeverinë e parë të udhëhequr nga ekstremi i djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke u bërë gjithashtu edhe kryeministrja e parë grua e Italisë.

Postfashizmi në Itali

Lëvizja Social Italiane, u themelua në vitin 1946 nga Giorgio Almirante, i cili shërbente si shef kabineti në qeverinë e fundit të Benito Musolinit. Ajo tërhoqi në radhët e saj simpatizantë dhe zyrtarë fashistë, bazuar në rolin e Italisë në luftë, fillimisht si aleate me nazistët e më pas kur vendi u çlirua nga forcat aleate.

Gjatë gjithë viteve 1950-1980, Lëvizja Social Italiane mbeti një parti e vogël e krahut të djathtë, duke marrë vota me përqindje njëshifrore. Por historiani Paul Ginsborg vë në dukje se mbijetesa e brishtë ndër dekada që prej përfundimit të luftës “ka shërbyer si kujtesë e vazhdueshme e tërheqjes së fuqishme që autoritarizmi dhe nacionalizmi ka ushtruar në mënyrë të vazhduar tek studentët nga jugu, të varfrit në zonat urbane e tek klasa e mesme dhe e varfër (italiane)”.

Vitet 1990 sollën një ndryshim nën drejtimin e Gianfranco Fini-t, një ndjekës i Giorgio Almirante-s, por që projektoi një fytyrë të re, të moderuar të së djathtës italiane. Kur zoti Fini kandidoi për kryebashkiak të Romës në vitin 1993, ai arriti të sigurojë 46.9% të votave, jo mjaftueshëm për të fituar, por mjaftueshëm për ta shndërruar atë në faktor. Brenda një viti, zoti Fini e riemërtoi partinë nga Lëvizja Social Italiane, në Aleanca Kombëtare.

Pikërisht në këto vite Giorgia Meloni, e cila u rrit vetëm nga e ëma në një lagje të klasës punëtore në Romë, iu bashkua, fillimisht degës së të rinjve të Lëvizjes Social Italiane dhe më pas drejtoi degën e rinisë së Aleancës Kombëtare të Gianfranco Fini-t.

A do të thotë kjo që Giorgia Meloni është një neofashiste?

Gianfranco Fini përndiqej nga rrënjët neofashiste të lëvizjes dhe nga një koment i tij se Benito Musolini ishte “burri më i madh i shtetit” i shekullit të 20-të. Ai e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe në vitin 2003 vizitoi memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Izrael. Atje ai foli mbi ligjet racore të Italisë, të cilat kufizonin të drejtat e hebrenjve, duke i quajtur si pjesë e “të keqes së padiskutueshme” të luftës.

Zonja Meloni, gjithashtu, e cila kishte lavdëruar Benito Musolinin në rininë e saj, vizitoi Yad Vashem në vitin 2009, periudhë gjatë së cilës shërbente si ministre në qeverinë e fundit të Silvio Berlusconit. Në autobiografinë e saj të vitit 2021 me titullin “Unë jam Giorgia”, ajo e përshkroi përvojën si dëshmi të asaj se si “një gjenocid ndodh hap pas hapi, e pak nga pak”. Gjatë fushatës, zonja Meloni u detyrua të përballet me këtë çështje, pasi demokratët paralajmëruan se ajo përfaqësonte një rrezik për demokracinë.

E djathta italiane ia ka dorëzuar fashizmin historisë, prej dekadash tashmë, duke dënuar pamëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese anti-hebreje”, shprehej ajo në një video të fushatës.

Si u shfaqën Vëllezërit e Italisë?

Zonja Meloni, e cila mburret me rrënjët e saj si militante e Lëvizjes Social Italiane, ka thënë se shkëndija e parë e krijimit të Vëllezërve të Italisë erdhi pas dorëheqjes së zotit Berlusconi nga posti i kryeministrit në vitin 2011, detyruar nga kriza financiare për shkak të borxhit në rritje të Italisë dhe problemet e tij ligjore.

Zonja Meloni refuzoi të mbështeste Mario Montin, i cili u ngarkua nga presidenti i Italisë për të formuar një qeveri teknokratësh për të garantuar stabilitetin e tregjeve financiare ndërkombëtare. Ajo ishte kundër asaj që e shihte si trysni e jashtme nga kryeqytetet evropiane për të diktuar politikën e brendshme italiane.

Zonja Meloni bashkëthemeloi partinë në vitin 2012, duke e emërtuar atë bazuar tek fjalët e para të himnit kombëtar italian. “Një parti e re, për një traditë të vjetër” shkruante ajo.

Vëllezërit e Italisë do të merrnin vetëm rezultate njëshifrore në dekadën e parë që nga themelimi. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në 2019 i dhanë Vëllëzërve të Italisë 6.4% të votave, një shifër që siç thotë zonja Meloni, “ndryshoi gjithçka”.

Si udhëheqëse e partisë së vetme në opozitë gjatë qeverisë së unitetit kombëtar të Mario Draghit në vitet 2021-2022, popullariteti i saj u rrit, duke arritur që në zgjedhjet e së dielës të sigurojë 26% të votave.

Sigla e partisë

Partia ka në qendër të siglës së saj flakën në ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe të gjelbër të Lëvizjes Social Italiane, që mbeti edhe kur lëvizja ndroi emrin në Aleanca Kombëtare. Ndonëse më pak e dukshme sesa një tufë shkopinjsh me një teh të prehtë, symboli kryesor i Partisë Nacional Fashiste të Benito Musolinit, flaka trengjyrëshe është megjithatë një imazh i fuqishëm që lidh partinë aktuale, me të kaluarën e saj.

Siglat politike janë një formë reklamimi dhe nuk ndryshojnë nga ato që kanë në qendër konsumatorët”, thotë profesori i Universitetit Rutgers, T. Corey Brennan.

Zoti Brennan kujton se kur Giorgio Almirante mbajti fjalimin përmbyllës të fushatës së partisë Lëvizja Social Italiane, në zgjedhjet e vitit 1948, në ato që njihen si Shkallët Spanjolle të Romës, ai vendosi simbolin e partisë, flakën, në majë të obeliskut dhe e ndriçoi atë me prozhektorë.

Të gjithë e kuptuan se Almirante po bënte një thirrje thellësisht emocionale për të mbajtur gjallë frymën e fashizmit”, tha ai.

Si ndihen italianët?

Në përgjithësi, rrënjët neofashiste të partisë duket se janë më shqetësuese jashtë vendit, sesa brenda tij. Por disa historianë e shohin amnezinë historike dhe rehatinë e përgjithshme të italianëve që jetojnë me reliket e fashizmit, si dëshmi se Italia kurrë nuk e hodhi poshtë Partinë Fashiste dhe Benito Musolinin në të njëjtën mënyrë sikurse Gjermania hodhi poshtë nacionalsocializmin dhe Adolf Hitlerin.

Ndërsa Gjermania kaloi përmes një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm duke marrë në konsideratë të kaluarën e saj, italianët, në shumë mënyra, thjesht kanë mbyllur qëllimisht sytë ndaj saj.

Historiani David Kertzer i Universitetit Brown vëren se ka 67 institute për studimin e rezistencës ndaj fashizmit në Itali dhe praktikisht asnjë qendër për studimin e fashizmit italian.

Përveç kësaj, arkitektura dhe monumentet e epokës së Benito Musolinit janë kudo, nga lagjja EUR në Romën jugore tek qendra e trajnimit për lojrat olimpike në lumin Tiber, me obeliskun e saj që ende mban emrin e tij (Musolinit).

Kushtetuta italiane e ndalon rithemelimin e partisë fashiste, por zoti Brennan thotë se grupet e ekstremit të djathtë vazhdojnë të shpalosin përshëndetje fashiste e të pranojnë simbolet e tyre.

Nuk ka vështirësi për të ndeshur në shenja“, thotë zoti Brennan në një intervistë telefonike. “Pothuajse një e katërta e të gjithë kapakëve të pusetave në Romë, kanë simbole të partisë fashiste”.

A do të thotë kjo se italianët mbështesin fashizmin?

Nëse e marrim të mirëqenë se historia është një udhërrëfyes, ajo që nuk ka ndryshuar në zgjedhjet e fundit politike në këtë vend është se italianët votojnë për ndryshim, me një dëshirë për diçka të re, që në dukje kapërcen ideologjinë tradicionale thotë Nathalie Tocci, drejtore e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare me qendër në Romë.

Zonja Tocci thotë se popullariteti i Vëllezërve të Italisë në vitin 2022 ishte dëshmi e kësaj lëvizjeje “të fortë”, që lidhet më shumë me pakënaqësitë e italianëve sesa me ndonjë rritje të ndjenjës neofashiste apo ekstremit të djathtë në vend.

Arsyeja kryesore se pse një pjesë e madhe e tyre, le të themi 25 apo 30% votuan për këtë parti, është thjesht sepse ata (Vëllezërit e Italisë) janë të rinjtë e terrenit politik“, thotë ajo.

Zonja Meloni flet ende me nderim për Lëvizjes Social Italiane të Giorgio Almirante-s, megjithëse ajo e ndryshon retorikën e saj për t’iu përshtatur audiencës.

Këtë verë, duke folur me një spanjishte të përfekte, në një tubim të partisë spanjolle të djathtë Vox ajo u shpreh me tone të forta duke thënë: “Po familjes natyrale. Jo lobit LGBT. Po identitetit seksual dhe jo ideologjisë gjinore”.

Por në Itali, gjatë fushatë, toni i saj ishte shumë më i moderuar. Zonja Meloni bëri thirrje për unitet në fjalimin e saj të së hënës ku shpalli fitoren.

Italia na zgjodhi ne. Ne nuk do ta tradhtojmë atë, siç nuk e kemi bërë kurrë“, tha ajo./ Marrë nga VOA

© Panorama.al

Te lidhura