ANALIZA/ Si i demaskoi Turqia përrallat e Vladimir Putinit

Nov 26, 2015 | 20:10
SHPËRNDAJE

Gazetarja dhe analistja amerikane Anne Applebaum, në një artikull-analizë të saj shkruan se incidenti mes Rusisë dhe Turqisë për rrëzimin e avionit demaskon politikën e paqëndrueshme të Vladimir Putinit.

vladimir-putin-new-york-times

Sipas saj, i gjithë ky incident po përdoret nga Vladimir Putin për kapital të brendshëm. Në shkrimin e saj botuar në “Washington Post”, Applebaum – e cila ka shkruar vazhdimisht për Rusinë dhe politikat e saj duke fituar edhe çmimin “Pulitzer” për publikimin e librit me fakte tronditëse nga kampet e përqendrimit të sistemit sovjetik – analizon diskursin politik dhe mediatik të Moskës.

Applebaum shkruan se tashmë Putini, pasi u mbijetoi sanksioneve për Krimenë, kërkon ta nxjerrë Rusinë në sytë e rusëve si fuqi botërore me influencë në arenën ndërkombëtare.

Si i demaskoi Turqia përrallat e Vladimir Putinit

Anne Applebaum

Ditën e hënë, dy avionë turq, F-16s rrëzuan një bombardues rus, për të cilin Turqia pretendon se shkeli mbi hapësirën e saj ajrore.

Mbi këtë ngjarje pati një pafundësi interpretimesh, po aq sa edhe teorish. Nga pikëpamja turke, rrëzimi i avionit rus është një akt vetëmbrojtës, ndërsa nga një pikëpamje ruse është akt agresioni.

Por duke parë me vëmendje reagimet në Rusi, natyrshëm lind pyetja: Cilës prej përrallave të Putinit i shërben kjo ngjarje?

Duke ndjekur me vëmendje mediat ruse për një kohë të gjatë, mund të zbulosh zbukurime, zmadhime, lustra në raportimin e ngjarjeve. Asgjë nuk ndodh vetë! Çdo ngjarje është pjesë e një ngjarjeje më të madhe, zakonisht një teori konspirative. Rusia, apo një komplot për të shkatërruar Rusinë, është gjithnjë në qendër të titujve në mediat atje.

Por ka edhe elementë të realitetit në këto raportime, mirëpo ato vendosen dhe renditen sipas realitetit virtual që ka krijuar Rusia, në mënyrë që të shkojë me përrallat e Putinit.

Gjatë viteve të fundit, ne jemi ballafaquar me shumë raste të ngjashme nga Rusia. Më të bujshmet kanë qenë demonstratat proeuropiane të vitit 2014 në Ukrainë, të cilat u interpretuan nga Kremlini si “rilindje të Nazimit, të inspiruar dhe mbështetur nga NATO”.

Madje, ministri i jashtëm i Rusisë akuzoi Gjermaninë se po mbështeste një “Revolucion të Kadifenjtë”.

Televizionet “patriotike” ruse nisën të inskenonin lajme, dokumentare, kronika të betejave midis motoristëve rusë dhe “fashistëve ukrainas”, që mbanin simbolet e kryqit të thyer nazist dhe NATO-s.

Kjo propagandë vazhdoi edhe pas zgjedhjeve në Ukrainë, te cilat sollën në pushtet centristët, që përjashtuan të djathtët radikalë në Ukrainë.

Madje kjo propagandë vazhdoi edhe kur NATO dështoi që të organizonte mbrojtje ushtarake në Ukrainë.

Mirëpo, me pjesëmarrjen e Rusisë në bombardimet në Siri, Putini sapo ka thurur një tjetër përrallë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai bëri thirrje për një koalicion ndërkombëtar kundër terrorizmit, “të ngjashëm me atë kundër Hitlerit”.

Ky koalicion, sipas Putinit do të shpartallonte “forcat e errëta djallëzore që vrasin njerëz”. Kësaj here, armiqtë nuk ishin ukrainasit, por terroristët.

Diskursi anti-NATO thuajse u zhduk nga regjistri i Moskës pas muajsh të ngarkuar me shashka për një luftë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Televizionet “patriotike” në Rusi nisën të transmetonin me bujë efikasitetin e bombardimeve të pozicioneve terroriste.

Kjo propagandë vazhdoi edhe kur u bë më se e qartë se Rusia ishte duke bombarduar të gjithë kundërshtarët e Asadit, dhe më pak nga të gjithë, ISIS-in.

Por megjithatë, në Rusi fiksimi për Ukrainën nuk ishte shuar ende. Nisën të bëheshin paralelizma të paqena, se Ukraina furnizonte me municione ISIS-in.

Madje, televizioni i Ministrisë së Mbrojtjes thoshte se xhihadistët e ISIS-it stërviteshin në Ukrainë. Në atë kohë, Rusisë i dukej e lehtë të përballonte dy kundërshtarë njëkohësisht.

Mirëpo, Turqia tashmë e ka çuar në një nivel krejt tjetër më kompleks problemin. A është rrëzimi i avionit rus pjesë e planit të agresionit ndaj Rusisë të  “NATO-s dhe nazistëve”?

Nëse do të ishte kështu, atëherë do të lipsej një kundërpërgjigje ndaj NATO-s. A është rrëzimi i avionit sulm terrorist ndaj Rusisë? Nëse po, atëherë do të kishim një problem të madh, pasi Turqia pretendon se e lufton terrorizmin po ashtu.

Për momentin, Rusia ka zgjedhur përgjigjen e dytë, duke lënë në mënyrë të befasishme NATO-n jashtë.

“Tashmë, Turqia është një aleat tradhtar, një bashkëpunuese e terrorizmit, që e goditi Rusinë pas shpine”, tha Putini.

“Turqit po shpëtojnë ISIS-in”, tha një “ekspert” në televizionin shtetëror rus. Por parë nga pikëpamja e dy viteve më parë, ky është lajm i mirë, pasi Rusia nuk ka të ngjarë ta sulmojë Turqinë dhe të fusë NATO-n në luftë, siç kërcënonte dy vjet më parë.

Kjo do të thotë që Putini shpreson ende që të jetë pjesë e koalicionit në Siri. Por para së gjithash, ai kërkon një skenar tjetër për përrallën e radhës: Që ai arriti ta ngrejë përsëri vendin në radhët e superfuqive botërore.

Po kjo s’do të thotë se cikli i përrallave të Putinit po mbaron. Çfarë ndodh nëse qëllohet një tjetër avion rus?

Po nëse lufta në Siri shkon keq dhe humbet popullaritet në Rusi? Atëherë, Kremlinit do t’i duhet një shpjegim i besueshëm dhe do t’i duhet një tjetër përrallë.

NATO mund të jetë sërish personazh. E vetmja pyetje është nëse Rusia do t’i përgjigjet përrallës, apo realitetit.

*Autorja është gazetare dhe analiste amerikano-polake dhe fituese e çmimit “Pulitzer” në fitin 2004 për librin mbi tmerrin e kampeve të përqendrimit kulak në Bashkimin Sovjetik. Ajo ka shkruar vazhdimisht për komunizmin dhe zhvillimin e shoqërive civile në Europën Qendrore dhe Lindore në “Washington Post”. Autorja ka qenë mjaft aktive edhe në konfliktet në Ukrainë. 

Përgatiti: Erald Deliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura